Categories
Opinione

Stereotipizimi demografik

Dialektika demografike i përngjanë raportit mes pesimistit dhe optimistit të cilët të njëjtën gotë e shohin ndryshe: i pari si gjysmë të zbrazur kurse i dyti si gjysmë të mbushur. Nëse bëjmë një analize krahasimtare të të dhënave statistikore zyrtare mbi strukturën demografike, (dy regjistrimet zyrtare të vitit 1994 dhe 2002) mund të ekzaminojmë kontraste të shumta demografike.
Demografia si shkencë objektive dhe ekzakte nën prizmin e opinionit shndërrohet në subjektive. Ajo që më shtyu të marr rolin e një demografi (edhe pse jam psikolog dhe metodolog) dhe ti qasem çështjes demografike në Maqedoni, është qasja dialektike dhe monoetnike e cila kontaminon perceptimin objektiv të qytetarit të rëndomtë. Nuk ka ditë që tema në fjalë të mos gjendet në faqet kryesore të medieve si të shkruara ashtu edhe të atyre elektronike (TV, gazetë,  portale etj). Por si rregull çdo herë paraqitet dhe trajtohet nga politikan me bagazh etnocentrik dhe parcial. Qasja etnocentrike që u jepet kontrasteve demografike shpesh herë i tejkalon kufijtë e sentimentalizmit subjektiv dhe jo rallë herë merr përmasa të një paranoje deluzive.
Deklarata e Kryeministrit të R.M-së dhënë për TVM, fill përpara ndërrimit të motëmotve, ishte mjaft intriguese. Ai mes tjerash theksoi: “…nataliteti i zvogluarështë sfidë” si dhe “për demografi kryesore është vetëdija kurse për migrimin ekonomia”. Në çdo deklaratë, sipas paradigmës psikologjike, duhet lexuar atë që është latente, sublime dhe e pathënë, por e cila nënkuptohet. Ekuacioni i proklamuar ka konotacion të thjesht dhe pragmatik, por nga aspekti i zbatimit të tij është etnocentrik dhe i njëtrajtshëm: migrimi i maqedonasve pengohet kurse i shqiptarëve në formë implicite stimulohet. Ekuacioni demografik përbëhet prej një sërë elementesh dhe jo vetëm prej natalitetit: ferteliteti, mortaliteti, nataliteti, migracioni, të (mos)pasurit shtetësi metodologjia e përdorur gjatë regjistrimit etj.
Kryeministri në ekuacionin demografik tek maqedonasit detektoi variablin kontaminues efektin e të cilit nuk arrin dot ta kontrolloj “nataliteti i zvogëluar.. është sfidë”. Por cila variabël mbetet kontaminuese tek demografia shqiptare?
Ndryshimet të cilët ndodhin në strukturën demografike në Maqedoni janë të natyrës tejet dinamike dhe shumë interesante. Por jo edhe aq dinamike dhe interesante sa paraqiten dhe si pranohen në opinionin më të gjerë: maqedonasit do të bëhen pakicë kurse shqiptarët shumicë, maqedonasi i fundit si Kryetar shteti, etj. Dialektika demografike i përngjanë raportit mes pesimistit dhe optimistit të cilët të njëjtën gotë e shohin ndryshe: i pari si gjysmë të zbrazur kurse i dyti si gjysmë të mbushur. Nëse bëjmë një analize krahasimtare të të dhënave statistikore zyrtare mbi strukturën demografike, (dy regjistrimet zyrtare të vitit 1994 dhe 2002) mund të ekzaminojmë kontraste demografike të shumta. Në këtë vend jemi të interesuar t’i paraqesim vetëm kontrastet demografike etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Gjendja faktike demografike. Të dhënat zyrtare tregojnë se nataliteti në vend është në rënie të vazhdueshme: në vitin 1950 janë lindur gjithsej 50.000 fëmijë, në vitin 1980 gjithsej 40.000, kurse në vitin 2012 gjithsej 22.000 fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare statistikore, rritje natyrore pozitive shënohet te bashkësitë etnike: shqiptare, rome, boshnjake dhe turke, kurse te pjesëtarët maqedonas, serbë dhe vlleh kemi trend regresiv. Në periudhën tetë vjeçare (mes dy regjistrimeve të vitit 1994 dhe vitit 2002), numri i maqedonasve është rritur për 2.017 persona, kurse i shqiptarëve për 67.979 persona. Në këtë formë përqindja e maqedonasve, është zvogluar për 3,0%, kurse ajo e shqiptarëve është rritur për 3,3%. Të dhënat mbi shtimin natyror te dy përkatësitë etnike më të mëdha, në mungesë të regjistrimit të ri (i cili në vitin 2012 u anulua për shkaqe “të panjohura”), do ti paraqesim duke marrë përbazë të dhënat nga nataliteti dhe mortaliteti që i ofron ESHS (lexo Enti Shtetëror Statistikor).
Nga të dhënat zyrtare të ESHS (2002-2012) numri i shqiptarëve është rritur për 48.066, i turqve për 6.080, i romëve për 11.998 i boshnjakëve për 930, përkundër etniteteve tjera që shënojnë rrënie: te maqedonasit shënohet rrënie për -22.086, ndërkaq te serbët dhe vllehët së bashku rrënie për -2.776 banorë. Të dhënat krahasimtare mbi shtimin natyror të shqiptarëve për periudhat 1994-2002 (shtim prej 67.979) dhe 2002-2012 (shtim prej 48.066), tregojnë rrënie.
Për shkak të hapësirës së kufizuar në formë tabelare do ta paraqesim shtimin natyror demografik vetëm për 5 vitet e fundit 2008-2012.
 

Viti kalend.

shqiptarë

maqedonas

nataliteti

mortaliteti

dallimi

nataliteti

mortaliteti

dallimi

2008

7.309

3.170

4.139

12.254

14.140

-1.886

2009

7.454

3.023

4.431

12.490

14.332

-1.842

2010

7.888

3.073

4.815

12.658

14.280

-1.622

2011

7.727

3.198

4.529

11.544

14.409

-2.865

2012

8.035

3.416

4.619

11.995

14.823

-2.828

Gjithsej

38.413

15.880

22.533

60.941

71.984

-11043

Në periudhën kohore 2008-2012 te shqiptarët kemi një rritje prej 22.533 kurse te maqedonasit kemi rrënie prej -11.043.
Struktura demografike etnike në Maqedoni nuk ka qenë çdo herë në nivelet dhe pritjet e së tashmes. Në periudha të caktuara struktura demografike etnike ka qenë e sfiduar nga faktorë të ndryshëm: shpërnguljet, migrimet, kolonizimet, kushtëzimet administrative (mosdhënia e nënshtetësisë, procedura birokratike), tendencat redukcioniste (paraqitja më e vogël e përkatësive etnike të caktuara) etj. Pritet që edhe në të ardhmen të sfidohet edhe nga faktorë plotësues (evropeizimi, zhvillimi jo i barabartë i rajoneve si produkt i investimeve etnocentrike etj).
 Projeksionet demografike të cilat mund të zhvillohen nëse analizohen të dhënat nga publikimet “Lëvizjet natyrore të popullatës 2003-2012” të ESHS, flasin se gjatë dekadës së fundit rritja natyrore e popullatës për vit lëviz mesatarisht mes 22.000 dhe 24.000, kurse ai i mortalitetit mes 17.000 dhe 19.000. Proporcioni mes natalitetit dhe mortalitetit sugjeron se deri në vitin 2030 në Maqedoni do të kemi një rritje të popullatës së përgjithshme për 150.000 banorë prej të cilëve 137.880 do të jenë të bashkësive etnike: shqiptare, rome, boshnjake dhe turke. Projeksionet sugjerojnë se deri në vitin 2030 numri i shqiptarëve do të rritet për 96.300 banorë, i romëve për 26.980, i turqve për 6.360 dhe i boshnjakëve për 2.000. Me fjalë tjera, numri i pjesëtarëve të bashkësive etnike: shqiptare, rome, boshnjake dhe turke, deri më vitin 2030 do të rritet për 5,52% krahasuar me përqindjen në vitin 2010.
Fertiliteti. Shkalla e fertilitetit tek maqedonasit është 1,4 fëmijë në një grua kurse për reproduksion të thjeshtë të popullatës nevojitet të tejkaloj 2,1 fëmijë, që është për 30% më i ulët nga minimumi i nevojshëm për reproduksion. Tek shqiptarët fertiliteti edhe pse tejkalon shifrën e reproduksionit të thjeshtë prej 2,1 fëmijë prapëseprap krahasuar me dekada më parë ai është gjithnjë në rënie. Të dhënat zyrtare flasin se në vitin 2012 fertiliteti tek maqedonasit shënon një rritje të vogël dhe aktualisht është 1,51 dhe hynë në zonën e sigurtë dhe kjo falë politikave që i ndërmerr qeveria (shtesa financiare për fëmijë të tretë dhe të katërt, ngritja e vetëdijes për familje shumëfëmijëshe, etj). Parashikimet e mia pesimiste janë se fertiliteti progresiv i maqedonasve dhe fertiliteti regresiv tek shqiptarët pas një dekade me gjasë të takohen.
Zvogëlimi i popullatës në bazë natyrore kompensohet përmes vendosjes në ekuacionin demografik të variablave, para se gjithash, të kontrolluara të cilën gjë e pohon edhe vet kryeministri “..migracioni është çështje ekonomike”. Migracioni i brendshëm është njëri prej mekanizmave kontrolluese. Nëse me kujdes analizohen të dhënat mbi migracionin e brendshëm do të evidentohen tregues shumë të rëndësishëm.
Migracioni. Pikërisht, migracioni është variabli i cili në ekuacionin demografik shqiptar konsiderohet si faktor shqetësues. Rritja tek shqiptarët analizohet vetëm përmes prizmit të natalitetit dhe mortalitetit, por jo edhe përmes atij të migracionit. Edhe migracioni i brendshëm edhe ai i jashtëm shkojnë në disfavor të kontrasteve demografike dhe neutralizojnë saldon pozitive të natalitetit dhe fertilitetit te shqiptarët. Migracionet e brendshme reflektojnë dukshëm etnocentrizmin dialektik në vend. Migrimi i brendshëm është më i theksuar te maqedonasit të cilët i paraprijnë këtij procesi me përqindje fascinante prej 73,22% nga totali i migrimeve përkundër shqiptarëve me një përqindje simbolike prej 15,02%. Te turqit dhe romët migrimi lëviz rreth 3,5% kurse te etnitetet tjera kjo përqindje është nën 1%. Migrimi i brendshëm është më i dukshëm në Shkup me 36% nga numri i përgjithshëm i migrimeve të brendshme. Kjo flet shumë mbi procesin e vazhdueshëm të deshqiptarizimit të Shkupit dhe sugjeron se “humbja e tij” ndodh për çdo vit, (në vitin 1912 numri i shqiptarëve tejkalonte 1/3, që në vitin 2002 të zbres në 20,49%, kurse përqindja për vitin 2013 “le të imagjinojë vetë lexuesi”).
Migracioni i brendshëm i maqedonasve qëndron në korrelacion të plotë me të dhënat statistikore mbi rajonet më të prekura me shtim natyror të popullsisë. Këto rajone me një shtim negativ të popullsisë prej – 4,9 promil (i pellagonisë me -3,0, ai lindor me -1,9 promil dhe rajoni i Vardarit me 0,33 promil, njëkohësisht konsiderohen si rajone me migrim të brendshëm dhe investim ekonomik më të lartë (si rezultat i politikave etnocentrike që i ndërmerr qeveria dhe të cilët janë në funksion të zhvillimit demografik monoetnik). Migrimi i brendshëm i maqedonasve më i madh është kundrejt qyteteve: Manastir, Strumicë, Shtip, Ohër dhe Veles, ku janë të përqendruara zonat e lira ekonomike (në të cilat edhe kemi investime më të mëdha, si qeveritare ashtu edhe të huaj të cilat kategorizohen me më shumë hapje të vendeve të reja të punës etj.). Tek shqiptarët migrim të brendshëm më të theksuar kemi, edhe pse minor por përsëri relevant për nxjerrjen e konkludimeve, në Tetovë, Gostivar, Çair dhe Lipkovë (rajone me (as)pak investime në zonat e lira ekonomike).
Vënia në funksion formal të zonave ekonomike në pjesët e dominuara me maqedonas është argument për mospërfshirjen e migrimit si element brengosës nga Kryeministri. Vetëm në Veles brenda viti 2013 janë hapur dy fabrika me 700 punësime të reja, kurse pritet që numri i tyre të shtohet në 1500 (Marquardt GmbH 500 vende). Kompanitë si Xhonson Kontrols (768 të punësuar, pritet të punësohen edhe 732), Van Hul, Drekslmajer (1.048 të punësuar, pritet të punësohen edhe 2952), Kromerg dhe Shubert (836 të punësuar, pritet të punësohen edhe 1664), Markart, Kofikab (150 të punësuar), Kumal etj në qytetet Manastir, Strumicë, Shtip dhe Gjevgjeli kanë hapur gjithsej 4.028 vende të reja pune, kurse sipas qeverisë deri në vitin 2015 pritet të hapen edhe 7.772 vende të reja pune.
Të dhënat e prezantuara nxjerrin në pah intencën dhe efektin nga zbatimi i një politike kontrolluese, politikë e bazuar kryesisht mbi transcedencën monoetnike. Të dhënat flasim se variabli migracion në ekuacionin demografik është lehtë i manipulueshëm dhe i kontrolluar. Në kontekst të këtij konstatimi shkon deklarata e kryeministrit “…migracioni është çështje ekonomike”. Në ekuacionin demografik variabli i cili mbetet i pakontrolluar për kryeministrin, por me efekt të kontaminuesit, mbetet nataliteti. Prandaj ai thekson se sfida jo vetëm e qeverisë së tij por edhe e demografëve, është nataliteti. Në këtë këndvështrim duhet kuptuar edhe politikën djathtiste e cila praktikohet në kontekst të mos lejimit të “gej” martesave sepse nga ky fenomen skajshmërisht më të prekur do të dalin të përkatësisë sllave (OJQ-të dhe anëtarësia e tyre janë sllavë).
Ngulmuesi më i rëndësishëm i zhvillimit demografik të shqiptarëve mbetet migrimi i jashtëm. Të dhënat mbi strukturën dhe përbërjen etnike, të cilët e karakterizojnë migrimin e jashtëm, i fitojmë nga disa burime, të gjitha zyrtare: Eurostati (Agjensioni për Statistikë i EU-së), Qeveria e RM-së, Banka Botërore etj. Eurostati në vitin 2011 doli me të dhëna zyrtare mbi numrin e migrimeve nga Maqedonia (zyrtarisht nga viti 1998 deri në vitin 2011 rreth 230 mijë banorë të RM-së kanë rregulluar qëndrimin e tyre në vende tjera, prej të cilëve 170 mijë në shtetet evropiane: kryesisht në Itali, Gjermani, Austri dhe Slloveni). Shifrat e prezantuara u dëshmuan edhe nga autoritetet vendase (10.000 – 15.000 banorë çdo vit e braktisin vendin, nga publikimi Strategjia për zhvillimin demografik në RM). Banka Botërore vitin e kaluar doli me të dhëna zyrtare për një numër prej 380 mijë migrimesh. Sipas burimeve në fjalë, përqindja më e madhe e migrimeve shënohet nga rajoni i Pollogut dhe rajoni jugperëndimor (kryesisht shqiptarë të moshës mes 20 dhe 39 vjeçare – nga publikimi Strategjia për zhvillim demografik në RM). Trendi aktual i tregut të lirë të punës si dhe mungesa e investimeve në zonat e banuara me shqiptarë japin stimul për migrim sepse pikërisht këto mosha konsiderohen edhe si më vulenerabile për nga gatishmëria për migrim.
Në vend të konkludimit. Që numrat e prezantuar të jenë më të qartë dhe më të kuptueshëm për lexuesin të njëjtat do ti sublimoj. Numri i maqedonasve në vit zvogëlohet për 2,500, kurse i shqiptarëve rritet mesatarisht për 4,500. Numri i shqiptarëve në migrim rritet (mesatarisht për 7,500), kurse i maqedonasve zvogëlohet ose mbetet konstant. Investimet e përgjithshme (në zonat e lira ekonomike, infrastrukturë, arsim), te rajonet me popullim të koncentruar maqedon është i lartë dhe në rritje, kurse tek ato shqiptare në stagnimm ose regres. Shtimi natyror nga viti 2003 deri më 2012 prej 48.066 shqiptarë të rinj neutralizohet prej 115.000 migrime të jashtme (burimi Eurostati dhe MPPS). Të gjithë këto së bashku mund të merren si tregues relevant për sa i përket ndryshimit të kartës etnike demografike në Maqedoni, por jo në përmasat siç pretendohet të paraqitet në opinionin më të gjerë.
Për në fund një rekomandim deri te popullata e rëndomtë, demografët, mediat dhe “politikë-bërësit” e “politikë-implementuesit”. Popullata e përgjithshme shqipfolëse, përfshirë dhe mediat shqipfolëse, të zhvillojnë një qasje kritike ndaj të dhënave demografike dhe të mos bien pre e makinerive propaganduese pa marrë parasysh se nga cila anë vijnë. Demografët shqiptarë të zgjohen nga gjumi akademik dhe tu rroken analizave dhe hartimeve të strategjive demografike.  Politikbërësit në kuadër të strukturave të veta të zhvillojnë komisione të veçanta në përbërje: profesionist dhe “assesi politikosë”, detyra parësore e të cilëve do të jetë hartimi i strategjive dhe sensibilizimi i trungut politik mbi kontrastet demografike nëpër qytete. Jo aq larg në harkun kohor, në memorien tonë kolektive janë të freskëta kujtimet mbi dominimin kuantitativ të shqiptarëve në shumë qytete të cilët sot për fat të keq i konsiderojmë si të humbura. Të zbërthejmë të ardhmen dhe jo vetëm historinë – historisë ti japim karakter transcendent dhe le të shërbej vetëm si korrektues i të tashmes dhe kontribues i të ardhmes. Mos të lëmë hapësirë që gjeneratat e ardhme të na gjykojnë, ashtu siç ne i gjykojmë paraardhësit tanë, dhe me mallëngjim të flasin se në fillimin e shekullit 21 qytetet si Struga, Dibra etj kanë qenë me popullsi dominante shqiptare (ashtu siç ne sot me sentimentalizëm kujtojmë dhe flasim për Shkupin, Manastirin etj).

Autori është doktor i shkencave të psikologjisë dhe metodolog

Shkrimi i publikuar në gazetë KOHA më datë 23.01.2014

Exit mobile version