Organizata ‘Dorë për Dorë” e studentëve shqiptarë, të cilët jetojnë në Gjermani, përmes një aksioni humanitar ka ndihmuar nxënësit e shkollës së të verbërve në Pejë. Ndonëse ende nuk janë regjistruar si organizatë, ky nuk është aksioni i parë humanitar nga kjo organizatë. Po ashtu human në këtë rast është treguar edhe firma transportuese ‘Dibrani-Transport’ me drejtorin Asllan Dibrani, i cili ua ka mundësuar transportin këtyre mjeteve gratis nga Gjermania. Edhe për firmën ‘Dibrani Transport’, nuk është aksioni i parë humanitar, e cila ka ndërmarrë disa herë aksione të tilla.
Përmes një shkrese, organizata ‘Dorë për Dorë’ ka treguar se ky aktivitet i dedikohet shkollës të së verbërve në Pejë.
“Ne shoqata studentore “Dorë për Dore” me këtë shkresë e vërtetojmë se aktiviteti bamirës i shoqatës sonë humanitare dedikon ndihma humanitare për Kosovën në vazhdimësi, por kësaj here e kemi përcaktuar shkollën për të verbër –me Qendër në Pejë, që ta ndihmojmë me mjete ndihmëse humanitare”, thuhet në këtë shkresë.
Ata po ashtu falënderojnë edhe firmën e transporteve ‘Dibrani-Transport’, që ka mundësuar transportin falas.
“E falënderojmë edhe firmën e transporteve me seli në Stutgard “Dibrani-Transport” me përfaqësuesin e saj zotin Asllan Dibranin, që na u bashkëngjit në aksionin humanitar, duke e bërë këtë transport falas pa kurrfarë pagese”, thuhet në këtë shkresë.
Nga ky aksion humanitar dedikuar nxënësve të shkollës së verbër, janë grumbulluar gjithsej 44 çanta të përdorura, pjesërisht të mbushura me lapsa dhe fletore, 17 pako me rroba, lodra të ndryshme dhe lapsa të përdorur, 15 pako me gjithsej 1500 stilolapsa dhe 500 blloka të rinj, 5 qese thasë me rroba të përdorura, një kompjuter i përdorur.
Arbëresha Hoti, një nga studentet shqiptare në Gjermani tregon për aksionin e ndërmarrë nga studentët shqiptarë në Gjermani.
“Unë jam Arbresha Hoti një studente shqiptare në Gjermani. Bashkë me studentë të tjerë në diasporë e kemi formuar një iniciativë humanitare me emër ‘Dorë për Dorë’. Qëllimi ynë është të japim ndihmë për atdheun. Pas disa aksioneve në këtë vit kemi organizuar një transport me çanta të shkollës, rroba dhe lodra për shkollën për të verbër në Pejë”, tregon Arbëresha.
Ajo thotë se ky mall është mbledhur nëpër shkolla të ndryshme në Gjermani, në bashkëpunim me një gjerman dhe disa aktivistë të tjerë shqiptarë.
“Mallin e kemi mbledhur nëpër shkolla të ndryshme në Gjermani. Sascha Nagel një gjerman, i cili shpeshherë ka dërguar ndihma në rajonet e Ballkanit dhe Jeton Krasniqi, Agron Kabashi, Sabrina Ademaj, Agnesa Kollica dhe Albiana studente të iniciativës tonë më kanë ndihmuar shumë”, thotë ajo.
Ndërkaq për Asllan Dibranin, drejtorin e firmës ‘Dibrani-Transport’, Arbëresha thotë se ai u ka ndihmuar edhe më parë për aksione të tjera humanitare.
“Pronari i firmës ‘Dibrani-Transport’ zoti Asllan Dibrani jo veç në këtë rast, por edhe për aksione tjera ka organizuar transportin e mallrave për ne falas dhe kështu e ka bërë të mundur këtë aksion”, tregon ajo.
Sipas saj, hapi i ardhshëm për organizatën ‘Dorë për dorë’ është të regjistrohen si shoqatë.
Ndërkaq, njëra nga studentet tjera Albijana Alija, tregon gëzimin e fëmijëve kur ata kanë pranuar këto ndihma nga organizata e tyre.
“Edhe pse nuk ishin të gjithë fëmijët të pranishëm, pasi ishte festa e Bajramit, por ata që i takuam u ndjen mjaft të lumtur kur pranuan dhuratat”, tregon ajo.
Ndërkaq, ndihmat që janë të tepërta ajo thotë se do t’i dërgojnë tek familjet e varfra, të cilët kanë fëmijë në shkollë.
Asllan Dibrani, drejtor i firmës ‘Dibrani-Transport’, tregon se cilat janë arsyet që e kanë shtyrë atë të ndërmarrë aksione të tilla humanitare. Ai thotë se derisa në Kosovë mbretëron një varfëri e skajshme kjo është arsyeja që e ka shtyrë drejtë aksioneve humane.
“Siç e din shumë kush në Kosovë mbretëron një skamje, një varfëri që e ka goditur në palcë një shtresë të popullit e posaçërisht njerëzit e kategorisë jo në gjendje shëndetësore siç janë rasti konkret i invalidëve të luftës njerëzve të vobektë siç është rasti konkret që i kemi drejtuar këto ndihma për shkollën përkatëse në Pejë andaj në këtë gjendje aktuale të tyre mendojmë se sado pak me i zbut dhimbjet e tyre besoj se do të jemi te nderuar tek ta dhe tek Perëndia. Dihet se kjo kategori njerëzish ka nevojë për neve”, thotë humanisti Dibrani.
Dibrani në këtë rast u bën thirrje të gjithë mërgimtarëve të ndërmarrin aksione të tilla, dhe të jenë sa më afër qytetarëve të Kosovës. Po ashtu u bën thirrje edhe institucioneve të vendit.
Ai thotë se i kujtohet një rast kur një i moshuar kërkonte lëmoshë në koshat e plehrave, ndonëse ishte baba i tre dëshmorëve të luftës. Përmes kësaj ai thotë se njerëzit duhet të vetëdijesohen dhe ata që janë në pushtet të ndërgjegjësohen.
“Mos të harroj ta përmendi. Shpesh më rri parasysh një plak i shtyrë në kohë duke kërkuar bukë në koshat e plehrave, ishte babë i tre djemve të vrarë në luftë pastaj është për tu ndërgjegjësuar edhe ata që janë ulur në karrige të buta, që kanë zënë vend duke ju falënderuar gjakut edhe të tre djemve që ishin pjesëtar në frontin e luftës së Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, ka njëqind e një arsye të ndihmojmë dhe t’i hapim zemrat tona dhe xhepat tonë ndaj kësaj shtrese në nevojë. Ndërsa, thotë se aksione të tilla do të ndërmarrë derisa të ketë mundësi.
Edhe gjatë muajit janar të këtij viti, firma ‘Dibrani-Transport’, në bashkëpunim me një mësuese dhe humaniste, Mera Kabashi, kishte sjellë ndihma për fëmijët e varfër, jetimët dhe ata me aftësi të kufizuara në Kosovë.
E një aksion të tillë, firma transportuese ‘Dibrani-Transport’, bashkë me organizatën humanitare ‘Im- Zeichen- der-Liebe’,e kishin ndërmarrë gjatë vitit 2009, ku kishin sjellë ndihma humanitare për invalidët e luftës .
Categories