Studentët shqiptar të cilët banojnë dhe studiojnë në Tetovë, ndërsa janë nga qytete tjera të Maqedonisë, afërsisht në vit harxhojnë rreth 4 mijë euro për nevoja elementare.
Në rast se marrim parasysh se studimet zgjasin 3 apo 4 vite, këto harxhime arrijnë afërsisht 16 mijë euro, ndërsa parashtrohet çështja se a do të mund ti kthejnë ndonjëherë këto mjete.
‘Jam nga Shkupi, studioj në Tetovë dhe njëkohësisht banoj atje. Banojmë në një banesë me shoqen time e cila është nga Struga, qira paguajmë 200 euro në muaj, pastaj, gjatë dimrit energjia elektrike vjen diku 5 mijë apo 6 mijë denarë, ujin e paguajmë diku 2000 denarë…është ushqimi, janë librat, është semestri që del diku minimum 400 euro. Dhe kjo është e vështirë, me siguri’ tha Hana, studente në fakultetin ekonomik në USHT.
Për disa prind është edhe më e vështirë, pasi ata kanë nga dy apo tre fëmijë nëpër universitete.
‘Studioj në fakultetin ekonomik në USHT. Me motrën time banojmë në Tetovë, pasi edhe ajo studion mjekësinë. Paguajmë qira për çdo muaj nga 150 euro, rryma gjatë dimrit kushton 4000 apo 5000 denarë, kurse gjatë verës deri 2500, pastaj uji rreth 1500. është investim i madh, falënderojmë prindërit, dhe besojmë se një ditë kur të punësohemi do të arrijmë ti kthejmë këto mjete’ tha Besarta Xhoni, nga Shkupi.
‘Unë dhe vëllai im studiojmë në Tetovë, unë në UEJL, ndërsa ai në USHT. Ne banojmë në Tetovë, dhe me të vërtetë harxhimet janë shumë të mëdha. Fillimisht udhëtonim çdo ditë, mirëpo as ajo nuk ishte zgjidhje, pasi rruga na merrte shumë kohë dhe nuk arrinim të mësojmë, humbnim shumë kohë… Vendosëm të banojmë atje, harxhojmë shumë, mirëpo shpresojmë që kur të punësohemi, do të arrijmë të nxjerrim këto mjete ndonjëherë, ndoshta pas 10 vitesh’ tha Arbnora Rexhepi./Portalb