Në Janar të këtij viti një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në botë (Brill Accademic Publisher), botoi librin e shkruar nga Lejla Demiri, studiuese shqiptare nga Maqedonia, me titull “Ekzegjeza myslimane e Biblës në kajron mesjetare” (Muslim Exegesis of the Bible in Medieval Cairo).
Ky libër është botim i tezës së doktorraturës që Lejla Demiri ka mbrojtur në vitin 2010 në Universitetin e Kembrixhit. Ai është një përkthim nga gjuha arabe e një traktati të dijetarit mysliman Nexhmudin el-Tufi (vd. 716/1316) me titull “Koment kritik i katër ungjijve, Torahut dhe librave të tjerë të profetëve”. Lejla Demiri e ka bërë të disponueshme këtë vepër, në formë akademike, për herë të parë në arenën ndërkombëtare dhe e ka publikuar atë në formën e një edicioni kritik, të pajisur me shënime kritike dhe me një parathënie të gjatë në të cilën ajo e vendos autorin dhe veprën në kontekstin historik të kohës.
Lejla Demiri është një nga studieset më premtuese në arenën ndërkombëtare, për sa i përket fushës së dialogut ndërfetarë, studimeve të krahasuara të fesë dhe të polemikave mesjetare islamo-krishtere. Karriera e saj akademike është e jashtëzakonshme. Ajo ka kryer Universitetin dhe Masterin për studime islame në Universitetin e Marmarasë (Turqi) dhe më pas në vitin 2002-2004 ka kryer studimet e teologjisë së Krishterë në Romë, në Universitetin Papnor Gregorian si edhe në Universitetin Papnor Angelicum, ku ka marrë një diplomë pasuniversitare (2003) dhe një liçencë në studimet ndërfetare (2004). Nga viti 2007-2010, ajo ka ndjekur dhe ka përfunduar me sukses programin e doktorraturës në Universitetin e Kembrixhit (Research Fellow at Trinity Hall College). Më pas ajo ka përfunduar kërkimin e saj të post-doktorraturës në Gjermani (Free University of Berlin), në programin me titull: ” Zukunftsphilologie: Rishikimi i kanoneve të shkollarizmit tekstual”. Studimi i saj i post-doktorraturës fokusohej në pikëpamjet e teologëve myslimanë rreth pluralizmit religjioz në fundshekullin e XVII dhe fillimshekullin e XVIII. Aktualisht ajo punon si profesoreshë e studimeve islame në një nga universetet më prestigjioze dhe më të vjetra të Gjermanisë, Universiteti i Tübingenit.
Aktiviteti dhe arritjet e kësaj studieseje shqiptare nga Gostivari janë një krenari për bashkësinë myslimane shqiptare dhe urojmë që ky botim i saj të pasohet edhe nga shumë të tjerë dhe që karriera e saj akademike të jetë sa më e shkëlqyer dhe një shembull për të gjithë studiuesit myslimanë të religjioneve. (e-zani)
EDITOR
12 years ago
previous article