Categories
Lajme FRI

SUBHANEKE

Subhaneke, ja Rabbi!
Unë për Ty më nuk mund të shkruaj!
Edhe sa herë duhet të zhgënjehem, për ta kuptuar se të gjitha fjalët që do t’i them,
Gjer në fund të jetës sime, edhe përtej, të gjtha një proton a neutron do të jenë,
Në hapësirën e pafund të mundësive për të të përshkruar Ty,
Mbase edhe diçka më e vogël, por për grimca më të vogla unë nuk di.
Jo, ka edhe kuarqe! Ja, vogëlsia e fjalëve të mia nuk ka kufi,
Unë megjithatë vazhdoj të shkruaj, se patjetër e kam ta kanalizoj disi këtë dashuri!
O Dritë!
Sa herë kam dashur të lë gjithçka prapa dhe të vij te Ti.
Se shpesh më kap një padurim, se të mendoj, dhe në ATË çast dua të të takoj!
Ç’ti bëj kësaj nxitjeje për të shkruar për Ty,
Që çdoherë më lë të dëshpëruar!
Ku të gjej unë, veç një fjalë, qoftë edhe një rrokje të vetme,
Dashurinë për Ty për ta përshkruar!
E, si s’u mbusha mend! Mijëra fleta me shkronja kam ngarkuar,
Duke menduar se do thoja diçka për Ty,
Por sado që mendja ime lart e poshtë ka gjurmuar,
Unë akoma s’arrita ta them një fjalë të denjë për Ty!
Dhe përsëri, pa shkruar për Ty s’mund të rri!
Ndonjëherë dua t’i mbledh të gjithë lapsat e botës,
Në një laps të vetëm t’i shndërroj,
T’i marr pastaj të gjithë drunjtë, t’i bashkoj,
Të gjithë në një vend t’i mbledh, në një laps të stërmadh,
Ndoshta ashtu do të mundesha ta vizatoj disi tërë këtë mall!
Shqipe Palloshi

Exit mobile version