Tarik Ramadan
Situata në Egjipt po përkeqësohet më kalimin e ditëve dhe të orëve. Çdo gjë mund të ndodhë. Edhe pse kërcënimi i luftës civile ende nuk është materializuar, ne duhet të marrim në konsiderate të gjitha rezultatet e mundshme dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat. Duket se struktura e pushtetit -civilët dhe ushtarakët- nuk bien dakort mbi strategjinë. Disa do të donin që të çrrënjosnin Vëllazërinë Myslimane (VM) ndërsa të tjerët do të preferonin që ai të mbijetonte por pa pushtet, pasi kjo do të ishte në të mirë të ruajtjes së iluzionit për një të ardhme pluraliste dhe demokratike. Porse ato bien dakord mbi një gjë: kundërshtarët e tyre të vetëm janë “Vëllazëria Myslimane”, të cilën ato e demonizojnë si “terroristë” dhe “ekstremistë”. Shtypja tashmë po i hap rrugë radikalizimit, e cila nga ana tjetër do të përdorej për të justifikuar shtypjen e mëtejshme. Nuk do të kishte qenë hera e parë që Egjipti modern ka përjetuar një rreth të tillë vicioz.
Kundërshtarët e grushtit të shtetit, të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane, kanë dalë në mënyrë paqësore në rrugë dhe vazhdojnë të demonstrojnë përkundrejt gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtypjes. Rezistenca e tyre e gjatë për javë me radhë ka qenë dhe do të vijojë të jetë, e padhunshme përpos provokimeve të Forcave të Armatosura dhe policisë, taktikat e së cilëve janë të njohura mirë: ekzekutime masive ose të shenjestruara, kriminelë (të njohur si batalgija) të paguar nga autoritetet përdoren për të sulmuar demonstruesit, përveç djegies me zjarr të kishave Kopte për të krijuar përçarje dhe për të ushqyer zemërimin sektar (Sadati dhe Mubaraku përsosën të njëjtat teknika).
Mbetet e domosdoshme që përpos vijimit të demonstratave jo të dhunshme, shoqëria civile e të gjithë ngjyrimeve politike që kundërshton dhunën dhe ushtrinë, të krijojnë një front të përbashkët të përqendruar në kërkesa të qarta, kurajoze dhe realiste. Një koalicion kombëtar që sjell së bashku sekularistët, islamikët, Koptët, gratë, aktivistët e rinj duhet të përgatitet për të hyrë në dialog me autoritetet dhe të kërkojë:
· Dhënien fund të shtypjes; Lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, liderëve dhe anëtarëve të partisë, të cilët do të mund të çojnë në një fund urgjent të demonstratave; Një udhërrëfyes për restaurimin e autoritetit politik civil si dhe të një kalendari të negociuar politik dhe elektoral.
Shoqëria civile duhet të bëjë sot që zëri i saj të dëgjohet si dhe të refuzojë gënjeshtrën që Forcat e Armatosura janë rreshtuar kundra vetëm ndaj Islamikëve. Ajo çka është në rrezik është e ardhmja demokratike e Egjiptit, diçka kjo që Forcat e Armatosura nuk mund ta përkrahin kurrsesi. Shoqëria civile duhet të shqyrtojë gabimet e saj të kaluara dhe të punojë së bashku për të gjetur një rrugëdalje nga kriza. Të jesh një vëzhgues pasiv dhe jo i dhunshëm i dhunës është në mënyrë të tërthortë të zgjedhësh dhunën.
Perktheu: Ervin Hakorja
Categories