Prof. Halid Ebu El-Fadl
Kur imam Zuhriu, një dijetar i famshëm i Sunetit (traditës profetike) i shprehu Kasim ibn Muhamedit (dijetar në fushën e Kuranit) dëshirën për të marrë dije, Kasimi e këshilloi t’i bashkohej asamblesë së një juristeje shumë të njohur muslimane, Amara bint Er-Rahman. Imam Zuhriu e ndoqi asamblenë e saj dhe më vonë e përshkroi si një “oqean njohurish pa brigje”. Dhe në të vërtetë, Amara kaloi nëpër duar një sërë dijetarësh me famë, si Ebu Bekr Muhamed Hazama dhe Jahja ibn Seidi.
Amara nuk ishte një mutacion në historinë islame, pasi ajo i bashkangjitet zinxhirit të gjatë të transmetueseve të diturisë, duke filluar që nga Aishja, gruaja e Profetit (a.s). Një numërim konservativ do të nxirrte në pah së paku 2500 gra juriste më njohuri të jashtëzakonshme, transmetuese hadithesh dhe poete të shkëlqyera nëpër historisë islame.
Kjo ndodhte atëherë, ndërsa tani mezi gjen qoftë dhe një juriste të vetme myslimane. Gratë thuajse mungojnë fare në Islamin publik dhe në jetën intelektuale. Në shumë xhami gjen aktiviste të zonjat myslimane, por shumë pak shkrimtare mbresëlënëse si Zejneb el-Gazali. Por të gjitha këto janë përjashtime. Zor se mund të gjesh një grua, që të mbajë leksion në një audiencë të përzier për ndonjë çështje gjini-asnjanëse, siç është kamata për shembull. Mund të gjesh plot gra myslimane profesioniste në çdo fushë të jetës, por është shumë e vështirë të shohësh ndonjërën prej tyre në bordet e qendrave islame apo në pozita drejtuese.
Ka një sërë arsyesh, që kanë çuar në këtë gjendje alarmante. Një arsye veçanërisht shqetësuese është qëndrimi nënvlerësues, që ka infektuar shumë burra myslimanë. Të rrallë janë ata, që mund të pëlqejnë të udhëzohen apo mësohen nga gratë. Burrat myslimanë në Amerikën e Veriut dhe në vende të tjera po ushqejnë një ndjenjë fobie ndaj grave, që herë pas here tenton t’i largojë gratë nga konferencat, takimet, tubimet e madje dhe nga xhamitë.
Allahu e bekoftë Fatime bint Keisin, e cila me një vendosmëri tepër të madhe polemizoi me hazreti Omerin dhe hazreti Aishen mbi një çështje ligjore dhe nuk pranoi të ndryshonte mendim. Kemi dhe Umu Jekabin, e cila pasi dëgjoi Abdullah ibn Mesudin tek sqaronte një çështje ligjore, iu drejtua me një mirëbesim tek vetja: “E kam lexuar gjithë Kuranin dhe askund nuk kam gjetur një sqarim të tillë”.
E vërteta është, se Islami as nuk i kufizon gratë në sferën private dhe as nuk u jep burrave superioritet në jetën publike apo atë private. Po të kërkosh, do të gjesh se kulturat greke dhe ato romake që i paraprijnë qytetërimit Islam, nuk nxorën as edhe një femër të famshme, filozofe apo juriste. Ngjashëm me këtë, deri në vitet 1700, në Evropë nuk doli as edhe një femër e vetme e shquar në fushën shoqërore, politike apo atë ligjore. Ndërsa në Islam ndodhi krejtësisht e kundërta në çdo aspekt, aq sa vetë hazreti Omeri ia kishte besuar Shafa bint Abdullahut mbikëqyrjen e tregut të Medines. Më tepër se kaq, historia islame është e mbushur plot me figura të shquara, profesoresha që u kanë dhënë mësim juristëve me emër.
Ndërsa është për t’u trishtuar, që ne sot i kemi kthyer gratë në kohën para islame, duke i përjashtuar nga jeta dhe aktiviteti publik. Një dijetar i kohëve të fundit, Muhamed Gazali, e përshkroi këtë fenomen si “mbërritja e fikhut beduin”. Me të nënkuptonte, se kultura e botës bashkëkohore vërtitet më së shumti rreth burrave dhe se çdo gjë kanalizohet për t’u ardhur në shërbim atyre.
Në traditën profetike gjejmë, se profeti (a.s) i ndihmonte gratë në punët e shtëpisë. Por shumica e dijetarëve bashkëkohorë as që kanë pasur mirësinë t’u drejtohen burrave, se kjo lloj veprimtarie, si një dorë më shumë në familje, jo vetëm që është e pëlqyeshme, por madje dhe e kërkuar në disa rrethana. Shumë burra kënaqen apo dëfrehen me mohimin e një gjëje të tillë dhe prej sunetit përzgjedhin gjithë entuziazëm atë, që u përshtatet më mirë interesave të tyre.
Dihet se grave si: Aishja, Ume Seleme, Lejla bint Kasim, Esma bint Ebu Bekër, Kaula bint Umu Darda dhe shumë të tjerave, u është besuar ruajtja dhe transmetimi i një të katërtës së fesë.
A nuk është koha që grave t’u besohet sërish kontributi në jetën publike dhe atë intelektuale?