Categories
Lajme FRI

Të drejtat e gruas, në Kuran dhe në Kanun

Çdo 8 Mars shkruhet, flitet, madje edhe organizohen manifestime të ndryshme për të kujtuar të drejtat e grave. Këtë rast po e shfrytëzoj edhe unë, që simbolikisht të hedhë pak dritë mbi të drejtat e gruas nga këndvështrimi islam dhe atë shumë shkurtimisht por edhe me një krahasim me Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili na imponohet vazhdimisht si vlerë e kombit tonë.
Ideja për të shkruar rreth kësaj teme më erdhi më herët kur para më shumë se dy muaj lexova një artikull me titull: Dilema, a duhet dhënë grave hise!  Nga autori Kajtaz Gecaj/Skenderaj. Si rezultat edhe një gazetar doli në rrugë dhe mori opinion nga qytetarët për të drejtën e femrave në trashëgimi. Disa opinione që i dëgjova, ishin sipas asaj që kanë dëgjuar nga të vjetrit, se nuk u takon grave të marrin hise edhe te burri edhe te baba…
Të gjitha këto paqartësi si pasojë kanë “Kanunin” e Lekë Dukagjinit, ku tekstualisht thuhet:
“TAGRI I TRASHIGIMIT në Kanun.” (Nyje i tridhet e gjashte).

  1. “Kanuja njef për trashëgues djalin e jo vajzen.”
  2. “As te prindja as te burri gruaja s’hin në pjesë të trashigimit”.

Me gjithë diskriminimin që u bëhet grave nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, dikush e pëlqen atë, e një prej tyre është Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo në një përvjetor të Gjeçovit, patë deklaruar, se Kanuni i Lekë Dukagjinit është më i mirë se Sheriati Islam. Unë them se po t’iu kishte përmbajtur Kanunit të Lekë Dukagjinit, ajo do të ishte një amvise e pa shkolluar dhe e pavlerë… e jo presidente e vendit.
Kur’ani, i cili është burim i sheriatit islam, e për të cilin presidentja s’ka fare haber, për atë edhe fletë kuturu. E me këtë rast dua të sqaroj se Kur’ani në të mirë të pozitës së grave e zbriti një sure (kaptinë) të tërë me 176  ajete, të cilat rregullojnë të drejtat e grave si dhe çështje tjera. Ajo sure quhet sureja “Ennisa’ – Gratë”.
Këtu do të mjaftohem të përmendi vetëm dy ajete kur’anore, të cilat u jepin të drejtë grave në trashëgimi:
 “Grave jepnu dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) me të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hane atë hallall të mirë.” (S. En-Nisa’, ajeti 4). Poashtu edhe ajeti tjetër:“Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti).” (S. En-Nisa’, ajeti 7)
Rreth dhuratës së kurorës e bëjë këtë sqarim: Islami parasheh që kurora të bëhet para martese. Kjo dhuratë bëhet me marrëveshje të caktuar në mes të dy palëve dhe ndahet në dy pjesë: Allahu i Lartësuar ka dashur që vajza të ketë një pavarësi ekonomike (hise) menjëherë  te burri, ngase ajo të nesërmen merr tjetër tretman (ajo quhet grua), e pjesa tjetër mbetët për më vonë, ose me fjalë tjera mbetët në dispozicion të gruas. Kur ajo e kërkon atë pjesë nga burri i saj, ai duhet t’ia jap. Ajo pjesë e mbetur mund edhe t’i falet burrit, si u përmend më lart. Por në rast të divorcit ajo pjesë duhet të i jepet gruas në mënyrë të obliguar, që ajo të ketë një mbështetje financiare edhe pas divorcit.
Gjatë debateve dhe shkrimeve të medieve të shkruara, përmendej se trashëgimia bëhet edhe me testament. Sipas Islamit, testamenti nuk i jepet atij që është trashëgimtar, por testamenti i lihet atij që nuk është trashëgimtar, qoftë individ apo institucion, duke i plotësuar kriteret e kërkuara… Mirëpo disa gra nuk i pranojnë të drejtat që ua ka dhënë Islami, ngase çka është Islam është e errët për to. Andaj e pëlqejnë Kanunin e Lek Dukagjinit, i cili nuk u jep trashëgimi as te baba e as te burri, përkundrazi, i konsideron ato si skllave e të pa vlera.
Ne për çdo gjë iu referohemi perëndimit, qoftë për të drejtat e grave, qoftë për të drejtat e njeriut në përgjithësi. Kurse realiteti është krejt diçka tjetër. Ne pamë më lartë se kur Islami ua ka dhënë trashëgiminë grave para 1440 viteve, e në Evropë deri në shekullin e XX-të, as të drejtën e votimit nuk e kanë pasur, e lëre më për trashëgimi që nuk bëhet fjalë fare.
Gruaja i ka arritur të drejtat e saj të plota nën hijen e sheriatit Islam në çdo lëmi. Islami e ka ruajtur nderin dhe respektin e saj, e ka ngritur në vend të lartë deri sa ka arritur  nivelin më të lartë në çdo shoqëri ose civilizim të kaluar, apo të tanishëm. Përkundër asaj që ngriten zëra që thërrasin, se Islami, femrës nuk i ka dhënë të drejtën e saj të plotë. Kjo është shpifje ndaj Islamit dhe shpifje për gruan myslimane.
Sa për ilustrim, po përmendi disa shembuj si janë trajtuar gratë në Evropë: P.sh. në Romë dhe në Greqinë e vjetër, gruaja nuk zotëronte asnjë të drejtë. Madje edhe filozofët më të shquar të asaj kohe, Aristoteli dhe Platoni kanë deklaruar se “Gruaja është një mall i shkëmbyeshëm që duhet të kalojë nga dora ne dorë” dhe “Gruaja është një mashkull i mbetur përgjysmë qysh në krijim”. Kurse në Angli, ndërmjet shek. V-XI, burrat mund t’i shisnin gratë. E trajtuar si një qenie e ndytë, ajo nuk mund të prekte Ungjillin. Vetëm në kohën e sundimit të Henrikut VIII u arrit një vendim i dalë nga parlamenti që gratë mund të lexonin Ungjillin.
Në përgjithësi në Evropë, e drejta e burrit mbi gruan ka zgjatur deri në vitin 1805. E vetëm në vitin 1946, në Francë p.sh. gruas iu lejua të votoi. Në Itali këtë të drejtë gratë e fituan në vitin 1954, e kështu me radhë në vende të tjera të Evropës.
Sa u takon të drejtave të njeriut, Islami i ka rregulluar qe 14 shekuj. Në Islam të gjithë njerëzit janë të barabartë, si në mes gjinive, si në mes feve, kombeve apo fiseve, i Lartësuari në Kur’an thotë
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (S. Huxhurat, ajeti 13).   Parimet e Kura’nit janë të përhershme, ngase nuk janë produkt i njeriut, por produkt i Allahut të madhërishëm dhe është i përshtatshëm për çdo kohë dhe çdo vend. /ekuiliber/
Autor: prof. Bajrush Ahemti

Exit mobile version