Categories
Lajme

Të gjithë studentët në „Sofër“

Si çdo vit, shoqata “Studenti” organizon ngjarjen „Sofra“, takim ky tradicional i studentëve të brezave të ndryshëm. „Sofrës 2014“ i janë bashkuar një numër i konsiderueshëm i studentëve të rinj shqiptarë.
Jetmir Behluli është brucosh në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Cyrihut. Jetmiri është me origjinë nga Ferizaji i Kosovës, ndërsa është rritur dhe shkolluar në kantonin Zug. Ai këtë vit ka filluar studimet në Cyrih dhe është hera e parë si pjesëmarrës e darkës studentore „Sofra 2014“ në Cyrih.
Jetmiri është befasuar me organizimin që ka bërë shoqata „Studenti“, duke mbledhur studentët shqiptarë nga e tërë Zvicra.
„Takimi me studentët shqiptarë të ofron një kënaqësi të veçantë, ngase unë jam rritur dhe shkolluar në kantonin Zug dhe atje kam takuar pak shqiptarë. Prej kohës që kam filluar studimet po shoh gjithkund studentë shqiptarë. Kjo ka domethënie të madhe, sidomos për ne studentët që kemi filluar studimet për herë të parë”, tha Jetmiri.
Ai thotë se ka shumë studentë shqiptarë në vitin e parë të studimeve dhe se secili prej tyre është ndihmuar nga shoqata „Studenti“.
„Është e pamundur të mos takosh ndonjë student shqiptar në Universitetin e Cyrihut“, thekson Jetmiri, duke e vlerësuar si mangësi që ende nuk ka informacione të sakta për numrin e studentëve shqiptarë në fakultetet zvicerane.
Përveç Jetmirit,  „Sofrës“ i janë bashkuar edhe studentë të tjerë të rinj dhe të vjetër, madje edhe ata që tashmë kanë kryer studimet.
Njomza Spahiu kishte marrë pjesë disa herë në aktivitetin studentor të shoqatës „Studenti“. Spahiu kishte kryer studimet në degën e Psikologjisë dhe tash punon si psikologe.
„Prej kur është formuar shoqata „Sudenti“ edhe ka lindur ideja për „Sofrën“ shqiptare, ku të gjithë sjellin ushqime tradicionale shqiptare për të ruajtur traditat tona, por edhe për t’u njohur me njëri-tjetrin. Ka pasur shumë studentë që kanë ardhur nga e gjithë Zvicra, St Galleni, Gjeneva, por edhe nga shkollat e larta të Zvicrës. Në fillim kishim një listë të saktë të numrit të studentëve shqiptarë në fakultetet e Cyrihut, ndërsa tashmë nuk dihet ngase është numër i madh i tyre.  Gjeneratat e reja studentësh po bëjnë atmosferë tjetër në organizimet e tyre studentore. Dhe kohët e fundit po i bëjnë organizimet e tyre shumë më të mira se më herët“, kujton organizimet e mëhershme psikologia Njomza Spahiu.
Edhe Arjeta Zhuta, e cila tashmë ka përfunduar studimet në Universitetin e Cyrihut, thotë se „Sofra„ gjithnjë e më shumë po bëhet interesante për studentëtët.
“Më herët, kur e organizonim „Sofrën“, nuk merrnin pjesë më shumë se 20 studentë, ndërsa tani numri i tyre shkon deri 100. Po shihet se ka fytyra të reja dhe kjo tregon se për çdo vit numri i studentëve shqiptarë po rritet“, tha Zhuta. Ajo thotë se ndoshta do të ishte mirë që në sofër ndonëherë të ftohen edhe studentët zviceranë që të shohin se çfarë ushqimesh hamë ne shqiptarët.
Për qëllimin e „Sofrës“ ka folur kryetarja e shoqatës „Studenti“, Vjosa Ismaili. „Qëllimi është që të bashkohen studentët shqiptarë dhe miqtë e tyre, të sjellin me vete ushqime tradicionale shqiptare dhe të festohet bashkë. Një pjesë e kulturës sonë janë edhe ushqimet. Ne po bëjmë përpjekje që t’i ruajmë traditat tona këtu në Zvicër“, tha kryetarja e shoqatës „Studenti“, Vjosa Ismaili.
Sofra është vazhdimësi e shumë sofrave të tjera që janë organizuar për këto vite nga studentët, thotë Vjosa.
Gjatë këtij takimi është lansuar portal në dy gjuhë i studentëve shqiptarë të Cyrihut:http://www.studenti-zh.ch dhe janë regjistruar studentët e pranishëm në darkën tradicionale „Sofra 2014“.
Sofra do të jetë aktiviteti i fundit i shoqatës „Studenti“ për këtë semester, për të vazhduar me aktvitete të tjera në semestrin tjetër, si një udhëtim 7 ditor në Shqipëri, „“Old meet Young”“ dhe shënimi i 28 Nëntorit. /albinfo.ch/
 


Exit mobile version