Categories
Opinione

Të jesh, edhe atëherë kur s’je

Pranë lapsit e bardhësisë së letrës dhe përballë një mori ndjenjash, fillova të shkruaj, po ç‘të shkruaj, kur edhe shkronjat më nuk ishin shkronja,ngase ishin mpleksur në ndjenjat, të cilat ishin rezultat i kujtimeve që sulmonin herë kujtesën e herë zemrën time, për ata veprimtaria e të cilëve në shërbim të atdheut kishte shkaktuar mjaft zhurmë, po s’ka se si të mos shkaktojë kur përballë këmbënguljes se tyre dështuan edhe dështimet.
Me fjalë të tjera këta nuk ishin nga ai lloj i njerëzve që janë të gjallë deri sa të vdesin, pra, ata janë pjesë e frymëmarrjes sonë edhe atëherë kur nuk frymojnë.
E të frymosh do të thotë të ballafaqohesh me lindjen dhe  vdekjen, gëzimin dhe dhembjen,  takimin dhe ndarjen , të jesh pjesë e një copë toke që ne i themi vend, e ku i bëjmë hapat e parë në rrugëtimin e quajtur jetë, rrugëtim, i cili për ata që dinë të ecin është sinonim i luftës me të gjithë ata anomali që  njeriun s’e lënë të bëhet njeri, e një pjesë e konsiderueshme e tij duhet kushtuar luftës kundrejt gjithë atyre faktorëve që synojnë që vlerat e atdheut tim t’i godasin me antivlera, e lufta ndaj këtyre të fundit na bën me vlerë.
E unë e shkreta e gjendur përballë kontributit të atyre, të cilët vdekjen në rrugë për çlirimin e atdheut e konsideronin si çastin më të lumtur të jetës dhe para gjakut të derdhur nga ata, të cilët me të mëtonin të mbushnin zbrastësirat të cilat kishin gëlltitur një numër të madh të vendasve të pavend.  Marr guximin t’i qasem kësaj rruge, me qëllim që ngjyrën e gjakut të tyre ta përdor për ta pikturuar të ardhmen, për të cilën ata vranë egoizmin duke i dhënë jetë altruizmit. Njëherit në këtë udhëtim nuk do të lë anësh edhe ngjyrën e penës së dijetarëve që më shumë se kushdo tjetër na mësuan se nuk do të dini të jetoni, gjersa nuk keni një qëllim për të cilin duhet të vdisni.
Do të doja ta përmbyllja, me dëshirën  që fundi im të jetë në kohën kur errësira më nuk do të jetë pjesë e ditës së nënqiellit tonë, dhe duke shpresuar që të jem e qetë ndaj rrebesheve që do të më sjell materializimi i synimeve të parealizuara, të të gjithë atyre që ishin pjesë e karvanit të ashtuquajtur ,, zhurmë për qetësi”, e përmes kësaj qetësie dua të bëj zhurmë apo të jem zë i  vendit tim.
Afërdita Demiri

Exit mobile version