Categories
Lajme FRI

Të kalosh ditën me 21 denarë!

“Duhet urgjentisht ndryshim rrënjësor i sistemit të mbrojtjes sociale. Duhet të ketë ndihmë sociale nga 8000-10000 denarë, e jo deri në 3000 siç është aktualisht. Ndihma e vogël sociale po detyron qytetarët të merren me ekonominë gri, ekonomi kjo që po dobëson edhe shtetin. Në vend që të jepen miliona euro për përmendore dhe projekte tjera joprofitabile, paratë mund të dedikohen në zgjidhjen e problemeve sociale në vend”, ka akuzuar kreu i iniciativës qytetarë “8 Shtatori”
Ulja e varfërisë te familjet e rrezikuara sociale është qëllimi i vetëm i iniciativës qytetare “8 Shtatori”, e cila përmes debateve, i drejtohet kësaj mase të rrezikuar, nga e cila kërkon edhe mbështetje për ndryshimin e legjislaturës ligjore që mbron këta qytetarë, të cilët në Maqedoni janë me dhjetëra mijëra.
“Jetojmë në një gjendje të padrejtësisë sociale edhe pse Kushtetuta na garanton të drejta sociale. Maqedonia ka humbur objektiv për të reduktuar varfërinë, e cila kohët e fundit, vetëm se po rritet. Kemi më shumë se 30 për qind qytetarë të varfër, ndërsa dhjetëra mijëra tjerë po shkojnë drejt kësaj rruge. Ky numër nuk është më një grup margjinal, çdo person i tretë në vend është i varfër. Çdo person i tretë ka problem se si të shtyjë ditët, muajt… Praktika po tregon se akoma nuk e kemi sistemi funksional për mbrojtje sociale. Disa raste sociale jetojnë me 21 denarë në ditë për person, shumë kjo më pak se në vendet e varfra të Afrikës. Për të përmirësuar situatën, është e nevojshme për të ndryshuar prioritetet e Qeverisë dhe për të vënë varfërinë në vendin e parë”, tha Xhelal Hoxhiç, kryesues i iniciativës “8 Shtatori”.
Aktivistë të shoqërisë civile kanë propozuar së fundmi amendamente dhe masa për forcimin e gjendjes sociale dhe personave në nevojë. Hoxhiç ka thënë se do të propozojnë Qeverisë që t’i shlyejë faturat e energjisë elektrike dhe detyrimet ndaj pushtetit vendor për pagesën e faturave të ujit dhe shërbimeve komunale të atyre familjeve që tashmë janë rrezikuar nga varfëria. “Përveç kësaj, të bëhet lirim tek shërbimet shëndetësore, transport publik falas për pjesëtarët e këtyre familjeve, strehim falas për studentët. Kjo, sepse Maqedonia është lider në Evropë nga xhini-indeksi sa i përket dallimit të madh mes të pasurve dhe të varfërve”, ka thënë për mediat maqedonase Hoxhiç.
Kërkesat që iniciativa “8 Shtatori” i ka drejtuar Qeverisë, sipas Hoxhiç, nuk janë asgjë pos ndihmë sociale, të paraparë me Kushtetutën e Maqedonisë.
“Të gjitha qeveritë e deritashme nuk punuan asgjë në përmirësim të jetë së personave të rrezikuar social. Përkundrazi. Madje, nuk po marrin guximin të ndryshojnë ligjet që do të përmirësonin jetën e të varfërve. Dhe me këtë, këto familje janë edhe ndër më të manipuluara pikërisht nga partitë politike. Duhet urgjentisht ndryshim rrënjësor i sistemit të mbrojtjes sociale. Duhet të ketë ndihmë sociale nga 8000-10000 denarë, e jo deri në 3000 siç është aktualisht. Ndihma e vogël sociale po detyron qytetarët të merren me ekonominë gri, ekonomi kjo që po dobëson edhe shtetin. Në vend që të jepen miliona euro për përmendore dhe projekte tjera joprofitabile, paratë mund të dedikohen në zgjidhjen e problemeve sociale në vend”, ka akuzuar kreu i iniciativës qytetarë “8 Shtatori”. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i tyre tre herë në pesë ditët e javës ushqehen në 41 kuzhinat popullore, të cilat Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i ka hapur gjatë këtyre katër viteve të fundit. Por për fat të keq, të drejtën e ushqimit në kuzhinat popullore, sipas drejtorit të shoqatës “Banka për ushqim”, Dushko Hristov, e kanë vetëm ata qytetarë që marrin ndihma sociale, ndërkaq në Maqedoni ka një numër të madh të qytetarëve të cilët jo vetëm që nuk kanë aspak të ardhura, por edhe nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti. “Në bazë të një analize të bërë në terren, realiteti është më i hidhur sa e tregojnë të dhënat statistikore për varfërinë. Ka shumë familje që nuk mund brenda ditës të sigurojnë një vakt e të mos flasim për tri vakte ushqimi”, thotë Hristov. Edhe të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, sipas Hristov, tregojnë se në Maqedoni të varfër janë 32 për qind e qytetarëve dhe se rreth 40 mijë qytetarë janë bartës të ndihmave sociale dhe kjo flet se shumë njerëz bien të flenë më bark të uritur. “Se në Maqedoni ka mbi 70 mijë njerëz që shumë vështirë vijnë deri të ushqimi këtë e vërteton vendimi i fundit i miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë për ndihmë plotësuese për familjet e rrezikuara sociale, gjegjësisht 100 denarë rritje të ndihmave dhe 600 denarë subvencionim për energjinë elektrike. Sipas këtij vendimi, rreth 20 mijë amvisëri kanë fituar të drejtën e subvencionimit të energjisë elektrike dhe nëse llogarisim një familje të ketë tre apo katër anëtarë, atëherë vijmë deri të numri i 70 mijë qytetarëve që jetojnë në varfëri të skajshme”, thotë Hristov.
Maqedonia, vendi i tretë më i varfër në Evropë
Bruto Prodhimi Vendor për kokë banori, për vitin e kaluar, i matur sipas paritetit të fuqisë blerëse, ka kapur vlerën prej 35 për qind nga mesatarja të cilën e kanë 28 vende anëtare të BE-së. Këtë e tregojnë të dhënat e zyrës evropiane për statistika “EUROSTAT”. Sipas kësaj, Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë menjëherë pas Shqipërisë me BPV prej 30 për qind dhe Bosnjë e Hercegovinës me 29 për qind nga mesatarja evropiane. Maqedonia dhe Serbia si vende kandidate për anëtarësim në BE kanë indeks të njëjtë të BPV-së, i cili vitin e kaluar ka kapur vlerën prej 35 dhe 36 për qind. Vendi më i pasur në BE është Luksemburgu, ku BVP për kokë banori, për vitin 2012, ka qenë për 2.5 herë më i madh se mesatarja evropiane. Bullgaria, edhe përkundër përmirësimit në tre vitet e fundit, vazhdon të mbetet vendi më i varfër në mesin e shteteve anëtare të BE-së./koha/

Exit mobile version