Krejt pa pritur e rastësisht, në rrugë, në ndeja të të rinjve e besa edhe në shtëpi, dëgjoja se: “ja i dënoi Zoti, kështu e meritojnë këta”.
Eh mor njeri, meqë po të drejtohem me epitetin njeri, dije vendin tënd, nëse e ke zënë një qosh në këtë rruzull, mjaft e ke, e mos u përziej në punërat e Perëndisë, ekzistenca jote të mjafton të merresh vetëm më punëra njerëzish, e jo t’i gjykosh punët e të Lartmadhëruarit. Edhe pse po shkruaj me mllef, ky mllef nga sekonda në sekondë herë po zbutet e herë po ashpërsohet edhe më shumë. Unë ju kuptoj, se jam pjesë e juaja, ndjeni apo më mirë thënë ndjejmë urrejtje ndaj sllavëve në përgjithësi, se na kanë djeg e përvëluar, besa edhe kafshatën e gojës na kanë ndaluar, shkurt mor miq, drejt një urrejtje të tillë rrethanat na kanë drejtuar, por mor bashkëkombasit e mi a nuk ka ardhur koha të gjykojmë me kokëftohtësi e të bëhemi më objektiv? Ne kemi qenë dhe do të jemi kundër çdokujt që mundohet të na shlyejë nga faqja e dheut, me mish e me shpirt do t’i luftojmë ata. Ne ishim kundër një regjimi që në krye mbante parulla antishqiptare e mundohej të na hyjë në hak. Pasha besën e imanin që kam, kam qenë me ju e me ju do të jem e bashkarisht jemi kundër çdo regjimi e kundër çdo “millosheviçi”, por ç’faj kanë mor miqtë e mi, ç’faj kanë i tërë populli matanë kufirit, ose ose ç’faj kanë ata fëmijë të vegjël që sipas nesh po i korrin të mbjellurat e paraardhësve?
Unë ju njoh, se kam lindur në mesin tuaj e do të vdes (në dashtë Zoti) mu aty, e ndajë çdo gjë me ju, në ditë pikëllimi e në ditë lumturie, por edhe në ato ditë të stërmbushura me plot urrejtje të përbetuara, por do t’ju pyesja a nuk ka ardhur koha ta shtrijmë dorën e paqes e të solidaritetit, se ata të “moçmit” kishin pas thënë : ”me të keqin mos u fut në një thes”, andaj do të kërkoja nga ju të tregohemi më humanë e të bashkohemi në ndihmë edhe përkundër standardit tonë financiar të ulët, por ne mundemi t’u ofrojmë një shishe ujë, të paktën këtë, e mos të harrojmë që përskaj këtyre “armiqve tanë të përbetuar” për mbijetesë po luftojnë edhe vëllezërit tanë mysliman.
Ndoshta shumë shpesh dëgjojmë se po i afrohet fundi botës (po afrohet kiameti), por mos të harrojmë që një gjë e tillë do të ndodhë pikërisht kur te njerëzit do të humb njerëzorja, por unë besoj që te ne të paktën grimca të një gjëje të tillë ka ende!
Categories