Categories
Dita Botërore e Mbulesës Lajme FRI

Të përkushtuara vendosmërisht në identitetin tonë, kështu gjetëm lumturinë

Edina Mici, psikologe

Identiteti është elementi kryesor i njeriut, përmes të cilit individi paraqet veçoritë dhe karakteristikat me të cilat është pajisur, do të thotë vetëdije dhe gatishmëri për ta njohur veten se kush është.

Kur flitet për hixhabin, është shfaqje e jashtme e identitetit të shumë femrave myslimane dhe në takim të parë me të e kupton me kë flet, në çka ajo beson dhe çfarë bindje ka. Studimet në shkencën e psikologjisë, kanë treguar se njerëzit që e kanë gjetur identitetin e tyre dhe vendosmërisht iu kanë përkushtuar, janë më të shëndetshëm dhe më të lumtur nga ata që nuk e kanë arritur. Por, shpesh për ata që kanë pak ose fare njohuri për këtë indentitet të femrave myslimane, ndersa kanë më shumë paragjykime, hixhabi shkakton një sërë polemika, dyshime, gjykime dhe padrejtësi ndaj atyre që e bartin atë. Feministet, mediat perëndimore, shpesh portretizojnë hixhabin si një simbol i shtypjes dhe robërisë së grave.

Nëpërmjet shënimit të 1 shkurtit, Ditës Botërore të Hixhabit ne ngremë zërin kundër vendimeve të turpshme dhe ligjeve që diskriminojnë, injorojnë, poshtërojnë dhe stigmatizojnë femrën e cila ka vendosur që me hixhabin të shfaqë identitetin e saj dhe u përgjigjemi se JO, ne nuk jemi simbol i shtypjes apo i robërisë, jemi simbol i fuqisë dhe lirisë, mbulesa (Hixhabi) jonë konsiderohet adhurim (ibadet), mbrojtje për trupin dhe dinjitetin tonë, poashtu me mbulesën ne u mundësojmë të tjerëve të gjykojnë duke u bazuar në inteligjencën, diturinë, personalitetin tonë dhe jo të gjykohemi vetëm në bazë të pamjes fizike.

Krenohemi me identitetin tonë dhe kjo është lumturia jonë!

Exit mobile version