Për ta parë nivelin moral dhe human të shoqërisë sonë, mjafton që të lexojmë në media disa artikuj që trajtohet e njëjta ngjarje ku pata rastin t’i lexoja para dy muajve. Kështu, artikulli me titullin “Do ta shes veshkën për ta shëruar vajzën” i publikuar më 9 shkurt në vebsajtin e gazetës Kosova Sot dhe në disa portale tjera, kemi tregimin më rrënqethës të mundshëm, ku tregohet se si një nënë, në pamundësi për të siguruar mjetet financiare për shërimin e së bijës, kërkon që të shesë edhe veshkën e saj që të sigurojë mjetet e nevojshme që i duhen për shërim jashtë vendit. Mungesa e mjeteve financiare është krejt e justifikueshme për njeriun e thjeshtë në Kosovë, ky është fati i të sprovuarve, por, mungesa e ndjeshmërisë karshi një realiteti të këtillë është diçka krejt jashtë rrjedhës normale të zhvillimit të një shoqërie të shëndoshë që ka vulën e sojit njeri. Hallet e njerëzve që aq papërfillshëm kalohen në shtetin tonë që në masë të madhe e udhëheqin politikanë milionerë janë dukuria më e shëmtuar që po bëhet si normë e re morale, gati e paparë në traditën tonë të mëhershme.
Ky shfrenim i hidhur që e ka përcjellë pushtetin e shtetit tonë që nga paslufta (pushteti i paraluftës ishte armik dhe s’bëhet fjalë këtu për marrëzitë e tij) është shoqëruar në vazhdimësi me luftë të hapur ndaj moralit, me institucionalizimin e shfrytëzimit dhe mashtrimit të qytetarëve, me korrupsionin dhe gënjeshtrën. Derisa qytetari është i preokopuar se si të shesë veshkën për ta shëruar vajzën, ministri i shtetit ishte i preokupuar se si ezani i xhamive na qenka ndotje akustike, e zyrtarët tjerë të arsimit lëndën fetare në shkolla e quajnë cënim të laicitetit dhe nxënësen e duan të veshur sipas shijeve të tyre laike.
Forca nga e cila buron mëshira, që është religjioni, në vazhdimësi është nën kërcënimin e vazhdueshëm dhe kjo e sqaron më së miri se përse kemi nëna që kërkojnë shitjen e veshkave të tyre. T’i provokosh sot besimtarët islam (pasi është feja e shumicës) është bërë rutinë e përditshme. Nuk do të zgjerohem këtu rreth kësaj teme të gjerë, por, e potencoj se bashkë me kërcënimin që po i bëhet religjionit po zbehet edhe ndjenja e obligimit që kemi ndaj bashkëkombasve tanë, dhe përgjithësisht ndaj çdo krijese njerëzore.
Sot qytetari shihet si pre e plaqkitjes. Atyre i kërkohen taksat për t’i paguar të gjitha lukset e shfrenuara që duhet t’i jetojnë një grusht pushtetarësh, por, askush nuk e qan hallin e nevojtarëve që gjejnë dyert e mbyllura të ndihmës së institucioneve që u ngritën me djersën dhe gjakun e tyre. Sakrifica të tilla të nënave mund të bëhen vetëm në tokat që veprohet me ligjet darviniste të gjunglës, ku i forti mbijeton e i pafuqishmi vdes. Njeriu që nuk e ka të kultivuar ndjenien e llogaridhënies para Zotit të Gjithëfuqishëm, gjen lehtë hapësira manovruese për t’i ikur lloaridhënies së ligjeve shtetërore për të cilat qytetarët e dijnë fare mirë se shkelen çdo ditë. Andaj, për qytetarin e thjeshtë, arena e ateistëve, laikëve dhe atyre që tani e sa herë na kanë gënjyer me premtime boshe nuk është ambient i sigurtë. Shembulli që deri tani ka dhënë pushteti nuk është shembulli ideal që kemi pasur në traditën tonë. Luksi i shtruar mbi tragjedinë e tjetrit zë vend vetëm atëherë kur ia zëmë vendin fuqisë së moralit njerëzor, që është feja. Atëherë kur ligjet e Zotit të Plotfuqishëm i zëvendësojmë me ligjet e përqudnuara njerëzore, dhe në vend të edukatës fetare në shkolla kërkojmë edukatë seksuale, në vend të përkrahjes sociale, qytetari “përkrahet” me kamata bankare, në vend të thirrjes për bashkëjetesë dhe dashuri me njëri tjetrin, krijohen përçarje, dhe shume alternative tjera që prodhom epshi njerëzor, gjithnjë do të rezultojë me dobësim të ndjeshmërisë humane. Sa më shumë që ikim nga feja, aq më shumë do të na ndjekin nga pas praktikat shfrytëzuese dhe gjithnjë e më shumë njerëzit me nevojë do të jenë të braktisur. Andaj, nëse nuk e promovojmë fuqinë e moralit që prodhon feja, ligjet hyjnore që shtrojnë zgjidhje problemesh, do të kalohet në anën e kundërt të kësaj medalje, do të kemi skllevër modern që punojnë për pushtetarët e tyre të pangopur nga shfrytëzimi.
Categories