D. Dani

Gjatë dekadës së fundit shteti maqedonas ka ndërmarrë një aktivitet të vrullshëm identitet-formues duke komunikuar me masat nëpërmjet monumenteve dhe hapësirave publike ku janë ngritur simbolet kombëtare. Ndonëse serioziteti i pretendimeve simbologjike dhe mitologjike është mjaft i diskutueshëm, për të mos thënë qesharak, si për shembull në rastin e analogjive etnike me maqedonët e Aleksandrit të Madh, diça e tillë nuk mund të thuhet në lidhje me vullnetin shtetëror në masivizimin e aparatit të hipnozës kolektive. Vendosmëria e shtetit maqedonas mund të përceptohet më sëmiri duke e krahasuar me homologët në Shqipëri dhe Kosovë, ku çdo hap drejt shfaqjes publike të simboleve dhe miteve kombëtare zbehet përballë projektit sistematik të Maqedonisë.
Hendeku zmadhohet nëse kujtojmë qëndrimet e vyshkura të politikës kosovare në mbrojtje të kufijve territorial – e nuk po tejkalojmë në qëndrimet e kësaj politike në favor të zonës Preshevë-Medvegjë-Bujanovc –, apo tedencën fantanacionaliste të ndonjë force politike që kërkon me doemos pushtet, ashtu si edhe qëndrimet e homologëve në Shqipëri, veçanërisht të spektrit të djathtë, të cilët simbologjinë kombëtare dhe retorikën nacionaliste i shpalosin për pazarin e votave, le pastaj spektri i majtë i politikës shqiptare që ndaj identitetit kombëtar është historikisht indiferent, aq sa shfrytëzon ca kritikëza perëndimore ndaj pseudonacionalizmit qeveritar për t’i treguar të huajve se «në fillim ishin të tjerët» e pastaj vjen turma jonë.
Është histori me vete analiza e burimeve të vendosmërisë së shtetit maqedonas për ta aktualizuar nacionalizmin në sferat e ndryshme të jetës, përkundër indiferencës zyrtare ndaj vetove greke që mund të ndikojnë në procesin e integrimit maqedonas në BE, por rezulati është i qartë: nëse për vite me radhë shfaqej në horizont, tashmë nuk mund të ketë dyshime që ka filluar «countdown» i mbijetesës dinjitoze brenda sistemit multietnik maqedonas. Shenjat janë ngjarjet e fundit të dhunës në Shkup, që vijnë si vazhdimësi e skenareve të mirënjohura në Maqedoni dhe në Ballkan, ashtu si edhe në vendet e tjera të cilat më herët kanë ndërmarrë faza nacionalizimi masiv në kurriz të Tjetrit. Në rastin e Maqedonisë, Tjetri janë shqiptarët.
Shteti maqedonas nuk i ka përshkallëzuar investimet faraonike për të ndërtuar një «identitet multietnik të Maqedonisë», por, në të kundërt, për ta fragmentaur identitetin e këtij vendi në disa njësi dhe për të zgjedhur si dominues «identitetin e maqedonasve». Anomalia nuk qëndron tek ekzistenca e disa identiteve etnike brenda Maqedonisë, por tek paisja e shqiptarëve me karakteristikën e tejdukshmërisë së qelqit. Një realitet i tillë domosdoshmërisht nënkupton përjashtimin e të huajve ose inferiorizimin e tyre si kategori dytësore, e konsideruar ardhacake, e pazhvilluar, e rrezikshme dhe bartëse e të gjitha stereotipeve klasike.
Nëse lexohet përshkrimi historik i Shkupit në faqen zyrtare të bashkisë mund të vërehet me lehtësi se kush janë të huajt, apo që shqiptarët citohen në kllapa sëbashku me turq, çerkez, pomakë dhe tartar, si dyndje muhaxhirësh në fundshekullin e XIX. Shqiptarët ose do të njesohen në formatin maqedonas, pra në stërnipat me kryq të Aleksandrit, që përbëjnë sintezën e panoramës me të cilën Maqedonia prezantohet jashtë kufijve të saj, ose do të përjashtohen. E në fakt shteti maqedonas, në pamundësi për t’i integruar shqiptarët në doktrinën e «identitetit të maqedonasve», po ngre barriera të pakapërcyeshme duke ndërtuar krahas «vetvetes» dhe «tjetrin»: me ose pa dashje, shqiptarët e Maqedonisë dalin në pah si grup etnik kompakt dhe i huaj për shtetin.
Më shumë se për shkaktarët e ngjarjeve të fundit të dhunës në Shkup, shteti maqedonas duhet të mbajë përgjegjësi për politikat e vetëdijshme që finalizohen me përjashtimin e një komuniteti etnik, dhe pasi është punuar vrullshëm në sajimin e një formati, në simbolet e të cilit nuk mund të identifikohen shqiptarët, e aq më tepër pasi ky format publicizohet nëpër rrugë, sheshe, ndërtime dhe peizazhe natyrore, është e pabesueshme që hartuesit e mekanizmave të tillë të shqetësohen dhe të surprizohen nga dalja e situatës jashtë kontrollit apo të justifikohen sikur problemi reduktohet tek disa huliganë. Ato individë vërtet janë të tillë, por nuk bëjnë gjë tjetër veçse identifikohen në mesazhet e përcjella nga politika nacionalizuese shtetërore.
Një fazë të ngjashme ka kaluar edhe Serbia gjatë viteve ’80 kur ekzaltimi i mitologjisë serbe u përvetësua nga politika nacionalizuese e Millosheviçit dhe rezultati ishte një dekadë me konflikte shfarosëse në emër të origjinave antiko-mesjetare, të superioritetit etnik, të llogoreve fetare, të asgjësimit të diversitetit, që vërtetuan dështimin e modelit Jugosllavi. Nga shpërbërja e Jugosllavisë lindën dy minijugosllavi, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia: e para nuk i mbijetoi dot pretendimeve përjashtuese të minoriteteve serbe dhe kroate, ndërsa e dyta, Maqedonia, rrezikon ekuilibrin e brishtë jo aq nga shtyrja e pakicave sa nga vetë shteti maqedonas. Nga njëra anë, Maqedonia ka lindur si kopje e një modeli të shkatërruar tragjikisht dhe, nga ana tjetër, ka rreth dhjetë vite që pregatit një doktrinë identitare pa shqiptarët, ndonëse përfaqëuesit politik të tyre janë pjesë e koalicioneve qeveritare.
Është më së e kuptueshme që aktiviteti identitet-formues i politikave qeveritare maqedonase do të gjenerojë reagimin e shqiptarëve të Maqedonisë, siç edhe ka ndodhur me inflacionin e simbologjisë kombëtare shqiptare, megjithëse e tërë kjo është e papërfillshme përballë pompozitetit të simbologjisë etnike maqedonase e cila antikizimin e saj e ka veshur me ngjyresa të forta fetare që po i transformojnë fytyrën një qyteti si Shkupi, tradicionalisht me fizionomi osmane dhe me modernitet titist. Pushtetarët shqiptar të koalicionit qeveritar maqedonas, në rastet e shpërthimit të dhunës kundër zgjedhësve të tyre, limitohen të dënojnë dhunuesit fizik, ndërsa në një nivel më largpamës kërkojnë ndonjë shesh publik për të mbjellur Skënderbeun, pasi në këtë mënyrë e bindin masën e votuesve që vellëzërit e etnisë dominuese i respektojnë.
E pra nuk e kemi parë gjëkundi në prezantimin Macedonia Timeless një element kombëtar shqiptar e jo më simbole. Do të thotë që strategjia e Ali Ahmetit & Co thjesht po e getizon popullsinë shqiptare brenda një Maqedonie që gradualisht i ka shndërruar shqiptarët në «outsiders», të paktën përsa i përket pjesëmarrjes së kësaj etnie në simbologjinë zyrtare: në këtë pikë mund të arrijë Gruevski pa ndihmën e politikanëve “nacionalistë” shqiparë.