Fenomeni i vetëvrasjeve në Pollog shënon rritje alarmante në dy vitet e fundit. Nëse gjatë vitit të kaluar në Pollog ishin regjistruar 9 vetëvrasje, këtë vit vetëm për pesë muaj e parë numri ka shkuar në 10 vetëvrasje. Por, ajo që është edhe më tragjike ka të bëj me faktin se gjithnjë e më tepër kryerës të këtij akti janë persona të moshës më të re. Madje për të veçuar është edhe rasti i 12 vjeçarit nga fshati Trebosh i Tetovës, i cili bëri vetëvrasje të shtunën.
Psikologët dhe sociologët konsiderojnë se rastet e vetëvrasjeve te moshat më të reja kanë të bëjnë me aspektin e keqpërdorimit të teknologjisë, sidomos internetit dhe filmave. Me këtë, sipas tyre, fëmijët gjithnjë e më shumë bëhen më agresiv dhe shfaqin sjellje devijuese. Tek moshat më madhore, vetëvrasjet kanë të bëjnë me aspektet sociale, ekonomike dhe problemet me sëmundjet mendore.
Ibish Kadriu, profesor i sociologjisë në USHT, thotë se vetëvrasja si kategori merr përmasa që në moshën e adoleshencës, por fatkeqësisht ky devijim social, thotë ai, ka filluar edhe në moshat më të reja se adoleshenca, siç është rasti i fundit me 12 vjeçarin në Tetovë. Ai vlerëson se teknologjia kompjuterike, interneti dhe filmat me pamje të dhunshme, janë faktorë kryesorë që çojnë në vetëvrasje.“Si faktor kryesor në këtë dukuri është edhe keqpërdorimi i teknologjisë kompjuterike, siç janë interneti, DVD, filmat e ndryshëm me pamje të dhunshme,  televizioni gjithashtu, kurse në këtë aspekt mungon kontrolli nga prindi, arsimtari dhe kjo reflekton elemente agresiviteti me ç`rast pasojat janë tragjike. Me një fjalë fëmija atë që e sheh në film apo në internet edhe e manifeston gjatë sjelljeve të tija, dëshiron që të imitojë idolin e tij në film. Ky është edhe element i sëmundjeve të ndryshme psikike, gjenetike, që kërkon një trajtim të veçantë nga institucionet, psikologët dhe neuropsikiatrit. Mosinteresimi në kohë për këtë dukuri ka pasoja jashtëzakonisht të mëdha si tek individi, tek familja dhe shoqëria në tërësi”, thotë Ibish Kadriu, sociolog.
Njëjtë mendojnë edhe psikologët, të cilët theksojnë se interneti tashmë në masë të madhe ka ndikuar në këtë aspekt. Psikologu Muhamed Jonuzi, shprehet se fenomeni i vetëvrasjeve në shoqërinë shqiptare, sidomos te mosha e re, ka të bëjë me përdorimin joracional të televizionit dhe teknologjisë së re kompjuterike.  “Nëse ndalemi në ndodhitë e fundit, fakti është edhe më shqetësues, sepse vetëvrasja ndodh në një moshë shumë të njomë, për të mos thënë fëmijëri, dhe në këtë rast listës së shkaqeve të kësaj dukurie patologjike në shoqëri i shtohet edhe përdorimi jo racional i televizionit, kompjuterit, internetit, lojërave të ndryshme kompjuterike, të cilat tek të rinjtë ngjallin ndjenja agresive dhe transformime në sjelljet e përditshme”, thotë Jonuzi. Ai poashtu në këtë kontest përmend edhe rrjetet sociale të cilët, sipas tij, karakterizohen me çrregullime emocioanle.
Edhe sociologët, por edhe psikologët rekomandojnë që fëmijët të jenë nën mbikëqyrje kur janë pranë televizionit, pranë kompjuterit dhe kur luajnë lojërat e tyre të ndryshme, ngase pasojat nga keqpërdorimet nga teknologjitë e reja janë fatale për fëmijët.
 Për 5 muaj, 15 orvatje për vetëvrasje
Sipas zëdhënësit të policisë së Tetovës Marjan Joisfovski, shumica e vetëvrasjeve këtë vit janë kryer me varje, ndërsa në të tjerat është përdorur armë ose hedhje në lum. “Krahas kësaj, janë regjistruar edhe 15 tentime për vetëvrasje, sidomos në rajonin e Gostivarit, më shumë me helmim me medikamente ose materie toksike. Si shkaktarë të vetëvrasjeve por edhe të tentimeve janë mosmarrëveshjet e ndryshme familjare, sëmundjet nervore, zënkat, dashuria, suksesi i dobët në shkollë dhe devijimet e ndryshme mendore. Shumica e atyre që kanë kryer vetëvrasje këtë vit janë të moshës mbi 25 vjeçare, ndërsa rasti më i ri është i 12 vjeçarit nga Tetova”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Sipas tij, vetëvrasjet, në shumicën e rasteve janë kryer në objekte ndihmëse, ahur dhe në drunjtë afër shtëpisë. Në disa raste personat që kanë kryer këtë akt, kanë lënë edhe letra lamtumirëse, ku kanë theksuar edhe motivet se pse e kanë marrë një hap të këtillë, theksojnë nga Policia e Tetovës./koha/