Në një lëvizje të beftë, Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman thërriti ambasadorët e vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Europian për t’u sqaruar ‘se qëndrimi i tyre konstant kundër shtetit hebre dhe në favor të palestinezëve, është i papranueshëm”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Francës iu kërkua prej Tel Avivit të ‘sqaronin pozicionin e tyre në lidhje me 1800 ndërtimet e reja kolone në Bregun Perëndimor’. Në fakt si Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të paligjshme ndërtimet në këtë territoret e pushtuara prej Izraelit që prej viteve ’70.
Një ditë më parë, kryeministri Benjamin Netanyahu kritikoi vendet e BE-së që kishin thërritur ambasadorët izraelitë për t’u njoftuar qëndrimin e tyre kundër ndërtimeve të reja kolone në Bregun Perëndimor.
Izraeli është përfshirë në një sërë përplasjesh diplomatike me komunitetin ndërkombëtar. Pak ditë më parë, deklarata e Ministrit të Mbrojtjes Moshe Jalon për rolin e Sekretarit të Shtetit John Kerry në procesin e paqes me palestinezët shkaktoi reagimin e Departamentit të Shtetit që e cilësoi atë të papranueshme.
Ministri Jalon deklaroi se Kerry ‘nuk mund t’u mësojë asgjë të re izraelitëve për të zgjidhur konfliktin me palestinezët’. Menjëherë pas kësaj, Tel Avivi kërkoi ndjesë, ndërsa duket se përplasja e radhës do të jetë me Bashkimin Europian.
/ Top Channel
Categories