Përleshje kanë shpërthyer mes forcave egjiptiane të sigurisë dhe protestuesve, të cilët dolën në rrugë për të denoncuar dënimet e ashpra të dhëna ndaj një grupi prej 21 grash e vajzash, për shkak të pjesëmarrjes në protesta paqësore në fillim të muajit.
Trazirat e së enjtes përpara Universitetit të Kajros, në kryeqytet, lanë 1 person të vdekur, bënë të ditur burime mjekësore. Protestueset e dënuara, të cilët janë mbështetës të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, u ndëshkuan me 11 vjet burgim për formimin e një zinxhiri njerëzor dhe shpërndarjen e fletushkae në qytetin e Aleksandrisë. Pjesëtarja më e re e grupit ishte vetëm 15 vjeç.
Pamjet nga salla e gjyqit në Aleksandri, ku u dha edhe vendimi gjatë së mërkurës, tregojnë grupin, që kishte veshur shami të bardha dhe uniformat e burgut, me pranga në duar dhe të vendosur në kafazin e të pandehurve.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar gjithashtu ashpër këtë vendim të gjykatës, duke thënë se ai tregon vendosmëri edhe më të guximshme të qeverisë së mbështetur nga ushtria, për të shtypur të gjithë kundërshtarët disidentë.
Qeveria egjiptiane, e mbështetur nga ushtria, kaloi më herët gjatë kësaj jave një ligj, që ndalon demonstratat. Ligji i ri ndalon protestat publike apo grumbullimet politike të më shumë se 10 personave të organizuar, pa lejen e autoriteteve egjiptiane. Qeveria po planifikon të vendosë gjoba të majme dhe ndëshkime me burgim për shkelësit e këtij ligji. / Top Channel
Categories