Categories
Lajme

Terrori me shqiptarët në shtetin e Daçiqit (Foto)

Lufta, për dhjetëra mijëra shqiptarë në Serbi nuk ka përfunduar. Lufta për mbijetesë, për të jetuar në vendin ku janë lindur e rritur, për t’u shkolluar me apo pa libra në shqip, dhe mbi të gjitha lufta për të qenë shqiptar.
Një vizitë në Luginën e Preshevës të rikujton hiç më pak se kohën e Sllobodan Millosheviqit, presionin që qenia shqiptare e kalon 24 orë në shtetin që udhëhiqet nga politikanë që dikur ishin bashkëpunëtorët më të afërt të “Kasapit të Ballkanit”.
Shtypja e shqiptarëve është identike me atë që e kanë kaluar edhe shqiptarët e Kosovës deri në vitin 1999, kohë kur edhe shkollimi me libra shqip konsiderohej krim.
Praktikat kanë mbetur të njëjta me kohën e regjimit të Millosheviqit, ish-shefit të kryeministrit aktual serb, Ivica Daçiqit. Përpos burgosjes së shqiptarëve të Luginës me akuzat për terrorizëm, të cilat pas disa vitesh vetë gjykatat serbe i shpallin akuza të pavërteta, çdo sulm që iu bëhet shqiptarëve të Luginës të rikujton kohën e regjimit të Millosheviqit.

Në dhjetor të vitit 2008 u arrestuan 11 shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin me akuzën për krime lufte, për t’u liruar pesë vjet më pas si tërësisht të pafajshëm.
Akuzat përfshinin vrasjen dhe masakrimin e së paku 47 civilëve, ndërsa ata akuzoheshin edhe për zhdukjen e mbi 30 të tjerëve.
Ndonëse shqiptarët e “Grupit të Gjilanit” po punojnë me avokatët e tyre për të menduar hapat e mëtutjeshëm, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se shteti që udhëhiqet nga urrejtja ndaj çdo gjëje shqiptare, nuk e çan kokën pse i ka mbajtur 11 shqiptarë të pafajshëm në burg.
Gjithçka si në Kosovën e viteve ‘90
Arrestimet e shqiptarëve nuk janë e vetmja formë e presionit mbi popullatën shqiptare. Në komunat e Luginës së Preshevës me vetëm 500 nënshkrime mund të krijosh një parti politike, ndërsa nënshkrimet e të njëjtëve nuk vlejnë për asgjë tjetër, as për gjëra elementare, si p.sh. tekstet për shkolla fillore.
Përpos kësaj, nëse një shkollë shqiptare bëhet cak i sulmit, ajo fillimisht gjatë gjithë ditës rrethohet, përcillet nga forca policore që vijnë nga pjesë të tjera të Serbisë dhe më pas kryhet operacioni. Ata që e kanë kryer shkollën gjatë viteve të 90-ta i kanë ende kujtimet e freskëta nga të njëjtat rrethime dhe operacione të policisë së Millosheviqit.
Kanë kaluar dy javë që kur janë konfiskuar mbi 5 mijë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë të Preshevës, nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Këto tekste u konfiskuan nga hiç më pak se sa inspektorati për krime ekonomike i shtetit serb.
Tekstet që u bënë dhuratë për shqiptarët e qytezës me 55 mijë banorë nga Ministria e Arsimit e Kosovës, tani konsiderohen kontrabandë.

Drejtori i shkollës shqiptare, Shukri Ymeri, rrezikon edhe burgun nëse akuzohet zyrtarisht për kontrabandim.
“Ditën e premte ishte datë tetë nëntor, qysh në mëngjes e kam nuhatur se diçka do të ndodhë në shkollën tonë”, kujton ditën e konfiskimit të librave Shukri Ymeri, duke thënë se tashmë i marrin vesh me kohë shenjat kur shteti i udhëhequr nga Ivica Daçiq vë në shënjestër shkollën shqipe.
“E nuhata se gjatë ditës shikoja rreth e rrotull policë, të cilët nuk ishin të zakonshëm për rrethin tonë, gjegjësisht para shkollës. Domethënë gjatë tërë ditës kanë qëndruar aty edhe kështu kam nuhatur se diçka do të ndodhë dhe këtë sekret fillimisht vetëm me një arsimtar e kam ndarë”, tregon për “Zërin” më tej drejtori i shkollës “Zenel Hajdini”.
Hyrja, oborri jo edhe aq i rregulluar e deri te aroma e çimentos së pastruar me ujë në shkollën “Zenel Hajdini” të rikujtojnë shkollat e para luftës në Kosovë. Të njëjtat kujtime të zgjojnë edhe dyert e klasave të mbaruara me dërrasa tashmë të vjetruara e dëmtuara. I vetmi dallim nga krahasimi me Kosovën e kohës së Millosheviqit është se klasat janë pothuajse të zbrazëta.
Mërgimi, vrasësi serik i Luginës
Migrimi i shqiptarëve, nga pamundësia për të bërë një jetë si duhet, vazhdon në masë të madhe. Nga 55 mijë banorë sa besohet që jetojnë në Preshevë, komuna beson se 20 mijë shqiptarë janë larguar për në Kosovë apo vende të tjera.
Ndërkohë lajmi i fundit është se qeveria e Ivica Daçiqit vazhdon të ndëshkojë pa dhënë asnjë sqarim këtë zonë me shkurtime buxhetore.

Kryetari Ragmi Mustafa thotë se ndonëse buxheti shtetëror serb për vitin 2014 ka shënuar rritje prej 15 për qind, komunës së Preshevës për të njëjtin vit fiskal i është shkurtuar buxheti për 10 për qind. “Ku të tregon i forti, ai që udhëhiqet nga parimi i fuqisë dhe urrejtjes pse merr vendime të tilla” thotë shkurt kryetari Mustafa kur u pyet nga “Zëri” nëse është dhënë ndonjë sqarim pse është marrë ky vendim nga qeveria serbe.
Mësuesi shqiptar me tri abetare
Njëra prej klasave të dyta të shkollës “Zenel Hajdini” në Raincë të Preshevës ka rreth 15 nxënës, ndërsa asnjëri rresht i bankave nuk i ka tekstet e njëjta shkollore, përfshirë edhe mësuesin, i cili posedon tri lloje të abetareve. Njëra është e kohës së komunizmit, ajo legalja, dhe dy të tjera, një nga të cilat abetarja mbarëkombëtare, do të mund të konfiskoheshin si armë pa leje nëse i zbulohet se e posedon. Më tetë nëntor, tekstet shkollore në shqip u konfiskuan nga kjo shkollë me urdhër të zëvendësprokurorit të Vranjës.
Kur shteti serb planifikon operacione të tilla kundër shqiptarëve të kësaj zone, komuna e Preshevës që udhëhiqet nga shqiptarët përjashtohet në tërësi. Ditën kur u bë konfiskimi i mbi pesë mijë teksteve shkollore që janë dhuratë e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, inspektorit komunal arsimor, Nexhmedin Ahmeti i është kërkuar që të sigurohet që në shkollë të jenë të pranishëm drejtori dhe sekretari i shkollës. Komuna që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa nuk është njoftuar me asnjë detaj tjetër se çfarë do të ndodhë në shkollën “Zenel Hajdini”.

“E pyeta (Nexhmedin Ahmetin) dhe i thashë cila është arsyeja e ardhjes së tyre (inspektorëve serbë), përmes telefonit, ai më njoftoi se edhe vetë nuk e dinte arsyen përse. Dhe kështu, brenda 10 minutash, kanë ardhur këtu dhe në të njëjtën kohë jam informuar edhe unë me këta inspektorët e kriminalitetit ekonomik, njëri ka qenë serb nga Vranja dhe tjetri nga Presheva” e kujton atë ditë drejtori i shkollës.
Zëvendësprokurori i Vranjës i ka hedhur menjëherë poshtë të gjitha kërkesat e bëra atë ditë që tekstet të mbaheshin në shkollë apo të dërgohen në objektin e Komunës derisa të plotësohet ndonjë dokumentacion që shteti serb mendon se mungon.
Inspektorët serbë, sipas drejtorit të shkollës “Zenel Hajdini”, vetëm një mundësi e kishin ofruar më 8 nëntor. Ose tregoni se ku janë tekstet shkollore ose të gjitha klasat e shkollës do të bastiseshin. Në momentin kur bëhej bastisja e shkollës, mbahej mësimi i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Shukri Ymeri thotë për të mos terrorizuar fëmijët e vegjël, i ka dërguar inspektorët menjëherë të vendi ku mbaheshin tekstet dhuratë nga Kosova.
Edhe po të bëhej përpjekje që të refuzohet dorëzimi i teksteve, inspektorët e krimit ekonomik nga Vranja thoshin se kanë dëshmi me fotografi se tekstet në shqip janë brenda në shkollë.
Histori e maltretimeve pa përfundim
Kjo histori mbetet e papërfunduar pasi librat, sipas të gjitha gjasave, mbahen në stacionin policor, ndërsa drejtori dhe sekretari i shkollës mund të bëhen të burgosurit shqiptarë të radhës. Në fakt e gjithë historia e maltretimeve të kësaj zone të populluar me shqiptarë nuk përfundon me kaq. Ato vazhdojnë derisa Beogradi në një anë është tërësisht i shkëputur nga realiteti në këtë zonë për t’u interesuar vetëm atëherë kur duhet të konfiskojnë abetare dhe libra në shqip. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, realiteti i hidhur vazhdon edhe përtej kufirit të saporregulluar mirë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për “Integrim të Menaxhuar të Kufirit”.
Shumica e qytetarëve me të cilët ka biseduar ekipi i “Zërit” në Preshevë, në kushte anonimiteti janë ankuar në sjelljet e policëve kosovarë në pikën kufitare që të çon drejt Gjilanit. “Më në hall jemi me policët e Kosovës se sa këta të Serbisë, pasi jo pak policë me uniformë serbe janë shqiptarë. Policët kosovarë duket se mendojnë se fakti që e kanë uniformën policore veshur iu jep autoritet dhe të drejtë për sjellje të vrazhda. Sidoqoftë, ne mbesim të maltretuar në të dy anët e kufirit”, tha një djalë në të tridhjetat.

Exit mobile version