Problemet në testimin ekstern nuk kanë të ndalur. Përveç mangësive të shumta gjatë testimit, ky projekt është përballur edhe me një dukuri tjetër negative. Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme ‘Pançe Karagjozov’ në Shkup  dhe Nace Bugjoni’ në Kumanovë  të cilët janë testuar në gjuhën shqipe, kanë marrë notë të dobët. Kjo për shkak se softueri nuk i ka lexuar përgjigjet e nxënësve. Mbi 250 nxënës së shkollës së mesme të mjekësisë Pançe Karagjozov në Shkup dhe 170 të shkollës së mesme teknike në Kumanovë kanë mbetur të habitur kur kanë parë sot rezultatet e shpallura.
“Ne jemi nxënës të shkëlqyeshëm dhe i kemi të gjitha pesa, dhe për ta marrë notën pesë ne mësojmë gjatë tërë vitit, kemi notë për lekturë, notë për sjellje dhe notë për aktivitetet gjatë vitit shkollor. Nuk është e mundur që të gjithë pyetjet ti kemi të pasakta, së paku 20 pyetje kemi mundur ti kemi të sakta”, tha një nxënëse.
“Sot kemi ardhur që ti shohim rezultatet e testit ekstern mirëpo kur  erdhëm pamë se gjithë nxënësit ishin vlerësuar me nota të dobët, përfshirë këtu edhe nxënësit e shkëlqyer. Prandaj ne jemi shumë të revoltuar  dhe kërkojmë nga organet kompetente  që të përmirësojnë këtë gabim”, u shpreh një nxënëse.
Ndihmës drejtori i shkollës së mesme teknike ‘Nace Bugjoni’ në Kumanovë thotë se të gjithë nxënësit e kësaj shkolle kanë marrë notë të dobët dhe automatikisht ajo ndikon në notën mesatare të nxënësve.
“Arsyjet se si ka ndodh ajo nuk e di. A ka ndodh për shkak  moskujdesit të sektorit për përgatitjet e testit ekstern apo për ndonjë gjë tjetër  nuk e dimë. Ne për atë juve ju kemi ftuar si mjet informativ për ti sqaruar disa gjëra që me të vërtetë na brengosin si neve ashtu edhe nxënësit. Prandaj edhe nxënësit janë të dëshpëruar se brenda këtyre 170 nxënësve të cilët kanë dështuar nga testi janë nxënës superior”, tha Elmaz Musliu, ndihmës drejtor në SHMT “Nace Bugjoni”.
“Kemi nxënës superior të cilët vërtetë janë të shqetësuar për arsye se mendojnë se e kanë kryer testin me sukses.  Këtu është një gabim teknik, këtë gabim teknik kërkojmë nga  organet ose përgjegjësit që kanë bërë këtë lëshim ta korrigjojnë”, deklaroi Husamedin Halili, profesor.
Nga Qendra shtetërore për zbatimin e testimit ekstern thanë për Alsat M se janë të njoftuar me rastin dhe po bëjnë gjithçka për mënjanimin e problemeve. Ata theksojnë se nëse bëhet fjalë për problem teknik të pamënjanueshëm, atëherë testi do të përsëritet në afatin e gushtit. Për zgjidhjen e këtij problemi, drejtori i qendrës për zbatimin e testimit ekstern Jusuf Arifi do të prononcohet gjatë ditës së nesërme. /Alsat-M/