Në Bruksel po mbahet raundi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimit të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën praninë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i kanë paraprirë bisedimet dypalëshe të baroneshës me delegacionet e të dyja vendeve. Zëdhënësja e baroneshës Eshton Maja Koçijançiq para fillimit të raundit të tetë të bisedimeve tha se nuk ka njohuri se cili do të jetë epilogu i bisedimeve të sotme.
“Mund të them se raundi i tetë i bisedimeve këtu në Bruksel ka filluar. Fillimisht u realizuan takimet bilaterale, zonja Eshton fillimisht realizoi takim me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq dhe delegacionin e tij dhe më pas edhe me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e tij. Kjo është e tëra që mund të them në këto momente dhe nuk mund të spekuloj se si do të përfundojë ky raund i bisedimeve”, tha Maja Koçijançiq, zëdhënëse e Ketrin Eshtonit.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me të arritur në Burksel shprehu edhe një herë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Thaçi para fillimit të bisedimeve tha se në Bruksel është për të marrë vendim për të ardhmen e Kosovës dhe perspektivën evropiane të rajonit.
“Ne jemi këtu sot për të arrit marrëveshje mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje që do të lëvizte përpara edhe shtetin e Kosovës dhe tërë rajonin në perspektivën evropiane, Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e veta. Ne jemi në fav0or të fqinjësisë së mirë që të përmbyllim kapitullin e konfrontimeve dhe të hapim etapën dhe periudhën e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë, të raporteve evropiane mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë e më tepër, është njohur prej rreth 100 shteteve , pra më tepër se gjysmës së vendeve anëtare të OKB-ve. Ne do të punojmë që edhe më shpejtë edhe më mirë të lëvizim drejt anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB”, deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Në mesin e çështjeve të hapura në këto bisedime, aktualisht janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, që në Beograd njihet me emrin “bashkësi”.
Me këtë mekanizëm është paraparë të vihet normaliteti në pjesën veriore, ku banorët lokalë serbë kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi, që nga paslufta, financon strukturat e veta paralele. Palët kanë mospajtime rreth përgjegjësive të këtij asociacioni, pasi Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm. Rezultatet nga dialogu Kosovë-Serbi shihen si esenciale për përparimin e dy vendeve në procesin e integrimit evropian. Një ditë më parë, Ashton i është drejtuar opinionit me një deklaratë për media, ku ka shfaqur bindjen se palët janë shumë pranë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
“Besoj se marrëveshja është e mundur, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Por, kur kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike. Unë besoj se ata do të vijnë në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për interesat e popullit që përfaqësojnë. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo mundësi të ikë”, ka thënë Ashton.
Ndryshe nga herët e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i pranishëm është edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq. Ai shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë./Alsat-M/
Categories