Categories
Opinione

Themelet mbi të cilat e ndërtoi Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem – civilizimin islam

Themelet mbi të cilat e ndërtoi Muhammedi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – civilizimin islam

(Me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së mëshirës së botëve, Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem)
Nga: Sali Shasivari

Duke marë parasyshë gjerësinë dhe rëndësinë e termit dhe konceptit ‘civilizim’, të shumta janë definicionet të cilat janë dhënë – nga studjuesit e kësaj fushe – në lidhje me këtë nocion dhe fenomen, në mesin e të cilave përzgjodha deficionin në vijim: Civilizim është shkalla më a lartë e ideve, qëndrimeve, dhe identitetit kulturor, i cili rezulton në prodhim të veprave të natyrës shpirtërore (si letërsia, arti, stili i jetës, sjellja, etj.) dhe materiale (si infrastruktura, arkitektura, fabrikat, zhvillimi shkencor dhe tekniko-teknologjik, etj.).

Nëse e studjojmë jetën e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, do të kuptojmë se, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në saje të misionit të tij hyjnor, arriti t’i vëndojë themelet e civilizimit islam brenda një periudhë të shkurtër kohore (rreth 23 vite). Ndonëse, ai nuk arriti të ndërtojë rrugë, ndërtesa të mëdha, fabrika, etj., megjithatë, ai arriti të formojë individë, shoqëri dhe gjenerata të shëndosha, të cilët i ofruan botës civilizimin më shembullor dhe më madhështor që ka njohur njerëzimi; civilizim ky, i cili, shndërriti gjithë globin për shekuj me rradhë…

A thua vallë, cilat ishin themelet mbi të cilat e ndërtoi Muhammedi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – këtë civilizim islam?

Të shumta ishin parimet, bazat dhe themelet mbi të cilat e ndërtoi Muhammedi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – civilizimin islam; në mesin e të cilave do të veçojmë:
Themele intelektuale

Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Arsyeja dhe logjika: Islami, për dallim nga shumë fe tjera, nuk është dogmë, por është besim i bazuar në arsye dhe logjikë. Kështu, edhe kur flitet për besimin në Njëshmërinë e Zotit (si një nga kushtet kryesore të këtij besimi), si rrugë për të arritur deri te ky besim përmendet arsyeja: “…, dije se nuk ka zot tjetër pos All-llahut, …” (Kur’an, Sureja Muhammed, Ajeti 19).
2. Vetëdija, ideja dhe identiteti: Civilizimi islam, fillin e ka në fjalën ‘Ikre’ (Lexo), ndërsa bazën e ka në ‘Kur’an’ (Lexim) dhe ‘Kitab (Libër). Së këndejmi, në epiqendër të këtij civilizimi është vetëdija, ideja dhe identiteti; në saje të të cilave, ky civilizim la trashëgiminë më të madhe intelektuale që ka njohur njerëzimi deri më sot…
3. Arsye e udhëzuar nga Shpallja (Vahji): Duke marë parasyshë kufijtë e mendjes njerëzore, si dhe të ndikuarit e mendjes nga dëshirat, epshet dhe cytjet, Allahu Fuqiplotë dërgoi kandilin e Shpalljes Pejgamberike, me qëllim të ndriçimit të mendjes njerëzore dhe udhëzimit të së njejtës në çështjet madhore, të cilat do të garantonin shpëtimin e njeriut në këtë botë dhe në Botën Tjetër…
4. Dituri e ndërlidhur me besim: Lidhja e diturisë me besimin – dhe anasjelltas – është çështje esenciale në diskursin islam. Kjo, ngase, Islami nuk është thjeshtë fe (lidhje me Zotin), por është sistem i plotë jete…; dhe se, shkenca e mirëfilltë është pjesë e pandashme e tij… Së këndejmi, shkenca e vërtetë nuk ndeshet me islamin…
5. Dituria në shërbim të Islamit, dhe Islami në shërbim të diturisë: Në saje të kësaj, stacioni i fundit i çdo dijetari të mirëfilltë është Islami; dhe se, Islami është gjenerator dhe përkrahës i çdo dije dhe vepre të dobishme…

Themele të besimit
Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Besim i cili e ka ngritur njeriun në piedestalin më të lartë: Kjo, ngase, Islami është besim i cili niset nga e vërteta Kur’anore se, njeriu është krijesa më e dashur dhe më e fisnikëruar e Allahut, dhe se, njeriu është mëkëmbës / zëvendës i Zotit në Tokë (në kuptim të përkujdesit ndaj gjithçkahit që e rrethon)…
2. Besim i cili është në pajtueshmëri me natyrën njerëzore: Kështu, Islami, përpos që ka vënduar një ekuilibër preciz në mes dy elementeve përbërëse të njeriut (trupit dhe shpirtit), ai është në pajtueshmëri të plotë me natyrën njerëzore, në kuptim të nevojave, problemeve dhe sfidave…
3. Besim universal për tërë njerëzimin: Me ç’rast, mesazhi islam i drejtohet çdo qenie njerëzore, qoftë individ apo shoqëri, duke ofruar zgjidhje në çdo aspekt, si dhe shpëtim në të dy botërat…
4. Besim i cili shoqërohet me punë: Kështu, Islami – si besim – nuk është vetëm bindje me zemër, por është: ‘Besim me Zemër, Vërtetim me Gojë, dhe Praktikim me Vepra’. Për më tepër, Islami nuk ngërthen në vehte vetëm raportet e njeriut me Krijuesin, por edhe raportet e tij me njerëzit tjerë si dhe me gjithçka që e rrethon, duke përfshirë këtu edhe raportet e njeriut me ambientin, si dhe botën bimore dhe atë shtazore…
5. Dunjaja si parapërgatitje për Ahiret: Me ç’rast, Islami, këtë botë e sheh si ‘tokë pjellore’ ku duhet mbjellur fara e veprave të mira, me qëllim të korrjes së rezultateve në Botën Tjetër…

Themele morale
Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Moral i cili burimin e ka në natyrën e pastër njerëzore dhe në vlerat universale: Në Islam, normat kryesore morale, për burim të tyre kanë natyrën e pastër njerëzore, dhe se të njejtat janë universale, statike dhe të pandryshueshme…
2. Moral universal, i cili e ngrit njeriun: Kështu, normat morale islame vlejnë për çdokend, në çdo kohë, dhe në çdo vend; pa dallime… Dhe se, këto norma synojnë ngritjen e vazhdueshme të njeriut kah gradat më të larta të përsosmërisë…
3. Liri që i shërben vlerës dhe mirësisë: Në Islam, njeriu është qenie e lirë në të gjitha aspektet… Mirëpo, kjo liri nuk është absolute, por është e normuar me kritere… Dhe se, e njejta mbaron aty ku fillon liria e tjetrit…
4. Art i cili u përmbahet normave morale, dhe që promovon vlera: Kështu, krijimtaria artistike në Islam paraqitet si nevojë dhe pjesë e natyrës njerëzore… Mirëpo, e njejta, kërkohet që t’u përmbahet normave morale, dhe të promovojë vlera të mirëfillta…
5. Kreativitet i standardizuar me kritere dhe kufij: Kështu, në Islam, kreativiteti ka 3 kritere: të jetë në shërbim të nevojave dhe vlerave universale njerëzore, të ketë qëllim / objektivë të pastër dhe të dobishme, dhe të mos bie ndesh me traditën e shëndoshë…

Themele sociale
Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Individ i organizuar në familje dhe shoqëri: Së këndejmi, në Islam nuk ka vend për ‘individualizëm’ ekstrem, ngase, individi shihet si pjesë e kolektivit, respektivisht, familjes dhe shoqërisë…
2. Shoqëria nuk i hy në hak individit: Përreth qasjes kolektiviste, Islami nuk e mohon personalitetin, privatësinë, nevojat dhe vendimet e individit, përderisa të njejtat nuk bien ndesh me familjen dhe shoqërinë…
3. Feja si pjesë e jetës së individit dhe shoqërisë: Kështu, në Islam nuk ka ndarje në mes fesë dhe jetës, ngase, islami është jetë…
4. Parimi i ‘Konsultimit’, duke marë për bazë dritën e Shpalljes: Sipas Islamit, ky parim vlen për të gjitha shtresat, dhe në të gjitha sferat…
5. Shoqëri islame e hapur ndaj gjithkujt: Shoqëria e mirëfilltë islame është shoqëri progresiste dhe e hapur ndaj çdokujt… Është shoqëri që synon lirinë, paqen mirëqenien dhe prosperitetin për çdokend…

Themele ligjore
Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Realizimi i punëve të mira, dhe evitimi i gjërave të dëmshme: Kështu, çdo gjë që urdhërohet, preferohet dhe pëlqehet islamikisht, duhet të jemi të bindur se ka për qëllim që të mundësojë realizimin e punëve të mira; dhe se, çdo gjë që ndalohet, qortohet apo nuk pëlqehet islamikisht, duhet të jemi të bindur se ka për qëllim që të evitojë gjërat e dëmshme…
2. Realizimi i interesave afatgjate: Kështu, kudo që është interesi dhe e mira e përgjithshme, aty e ke këtë fe të Allahut…
3. Drejtësi e përkrahur nga mirësia (ihsani): Kështu, drejtësia në Islam dallon nga “drejtësia” tek civilizimet tjera… Kjo, nga fakti se, në Islam, drejtësia nuk përcaktohet vetëm në saje të shikimit / vlerësimit njerëzor, porse, Islami ka për qëllim që drejtësinë ta shndërrojë në sjellje praktike, duke synuar realizimin e mirësisë ndaj çdokujt tjetër…
4. Të drejta të barazpeshuara me obligime: Kështu, në Islam, përballë çdo të drejte qëndron një obligim; dhe anasjelltas…
5. Barazpesha në mes vetëdijes fetare dhe faktorit ligjor: Përmes ligjit islam synohet që, mbikqyrës i vërtetë të jetë vetëdija dhe vetëkontrolli, të cilat, burimin e kanë tek Mbikqyrësi i Gjithçkahit, gjegjësisht Allahu i Madhnueshëm. Mirëpo, nëse një orvatje e këtillë nuk jep rezultate, atëherë, aktivizohet fuqia e ligjit…

Themele praktike
Në mesin e këtyre themeleve do të veçonim:
1. Trup i përbërë nga shpirti: Në pikëshikimin islam, njeriu është qenie dualiste, i krijuar nga trupi dhe shpirti, dhe se, të dy elementet – bashkë me jetën – janë pronë e Krijuesit, të dhëna emanet në dorën e njeriut; d.m.th. nuk janë pronë e njeriut. Andaj, njeriu do të përgjigjet për kujdesin dhe mirëmbajtjen ndaj këtyre elementeve…
2. Trup i barazpeshuar me shpirtin, mendjen, ndjenjat dhe emocionet: Kështu, në pikevështrimin islam kërkohet ekuilibër dhe barazpeshë precize në mes të të gjitha këtyre elementeve…
3. Fuqi e cila mbron të vërteten dhe është në shërbim të saj: Kështu, Islami stimulon fuqinë shpirtërore, intelektuale, materiale, fizike, etj., me kusht që të njejtat të jenë në mbrojtje dhe në shërbim të së vërtetës…
4. Pasuri e cila fitohet me hallall dhe harxhohet per çështje / kauza të drejta: Islami konstaton se ‘dora që jep është më e dashur tek Allahu se sa dora që mer’… Mirëpo, e gjithë kjo, me kusht që pasuria që fitohet të jetë hallall, dhe e njejta të harxhohet për çështje / kauza humane dhe të drejta…
5. Edukatë e cila e plotëson ligjin: Sipas Islamit, thelbi i sjelljes së njeriut duhet të burojë nga edukata… Së këndjemi, drejtësia në islam, para se të jetë ligj, është edukatë (terbije)…

Këto janë parimet, bazat dhe themelet kryesore mbi të cilat e ndërtoi Muhammedi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – civilizimin islam.
Këto parime, baza dhe themele janë parakusht kryesor për të (ri)ndërtuar civilizim të mirëfilltë, të dobishëm dhe të qëndrueshëm… Çdo orvatje tjetër është e destinuar të dështojë…

Sal-lallahu alejhi ve sel-lem (paqa, mëshira dhe kënaqësia e Zotit qoftë mbi të).

(Londër, 25 Rebiu-l-Evvel 1442 / 12 Nëntor 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version