Categories
Lajme FRI

Thënia e njerëzve "E kam zemrën e mirë…"?!

(Shpjegim akaidologjik i Fjalës së Allahut)
“Atij që Allahu ia ka zgjeruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. E, të mjerët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të tillët janë në humbje të qartë”. (Ez-Zumer, 22)
Kohët e fundit, xhamitë janë të mbushura me namaztarë, sidomos në namazin e xhumasë. El-hamdulilah, është një vetëdijesim fetar, si asnjëherë më parë. Kjo po ndodh në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj. Por, nga ana tjetër, janë edhe shumë të tjerë që e kanë obligim namazin, po nuk e falin. Dhe, kur u thuhet që të vijnë në xhami për ta falur namazin, përgjigjja e tyre është: “Hoxhë efendi, nuk kam nevojë të vij në xhami, e kam zemrën të pastër…”?!. Pikërisht, kjo çështje do të jetë bosht i këtij punimi.
Konteksti i ajetit dhe drita e imanit
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tërheq paralelen në mes të atij që Allahu ia ka hapur zemrën e tij dhe e ka pranuar Islamin, kundrejt një njeriu, të cilit i është ngurtësuar zemra, për shkak të mospërmendjes së Allahut. Pjesa e parë e ajetit: “Atij që Allahu ia ka zgjeruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet..”., transmetohet se ka zbritur me rastin e pranimit të Islamit nga Aliu, Hamza, Omeri, Ammar bin Jasir, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Por ajeti ka karakter të përgjithshëm dhe ka të bëjë me secilin mysliman, që është vetëdijesuar për madhërimin e Allahut. Zemra e tij është e shëndoshë dhe e pastër nga të gjitha elementet negative. Ibn Abbasi r.a., thotë se kraharori i tij është zgjeruar, ngase Islami e ka pushtuar personalitetin e tij.(1)
Çdo veprim e bën duke menduar si mysliman, dhe çdo veprim që nuk e bën, përsëri nuk e bën duke menduar si mysliman. Gjatë gjithë jetës mendon për çastin e vdekjes, për ringjalljen pas vdekjes, si dhe për dhënien e llogarisë para Madhërisë së Allahut. Punon për këtë botë sikur të jetojë përgjithmonë, e punon për Ahiretin sikur do të vdesë në atë çast. I fal pesë kohët e namazit. Kur vjen namazi i xhumasë, pa hezitim shkon në xhami. Kur vjen muaji i Ramazanit, agjëron me kënaqësi. Gjuha e tij nuk pushon nga përmendja e Allahut, e zemra e tij pulson devotshmëri e sinqeritet. Imani i tij është si një kurorë mbi kokë. Për shkak të kësaj, personaliteti i tij shkëlqen me një dritë prej Allahut. Në mesin e shoqërisë është shembull ideal. Reflektimi i tij tek njerëzit i ngjason fanarit që ndriçon errësirën. Njerëzit e duan atë, dhe ky i do ata. Të këqijat e njerëzve e shqetësojnë, e të mirat e tyre e gëzojnë. Ky është myslimani që Allahu i ka zgjeruar zemrën me dritën e imanit, dhe në zemrën e tij nuk gjendet asnjë element i errësirës e kufrit (mosbesimit).
Ngurtësimi i zemrës dhe vetëkënaqësia
Roli i zemrës është vendimtar tek njeriu. Islami i ka kushtuar kujdes të veçantë pastrimit të zemrës, respektivisht mbrojtjes së saj nga të gjitha mendimet dhe idetë çorientuese, të cilat nuk e lënë të qetë dhe e motivojnë për rrugë të këqija. Të gjitha veprat e njeriut janë pasqyrim direkt i zemrës. Pejgamberi a.s., në një hadith, shëndoshmërinë e tërësishme të individit e ndërlidh me shëndoshmërinë e zemrës: “…Në trupin e njeriut është një copë mishi, kur ajo përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e kur ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra”.(3)
Në këtë aspekt, diskursi parimor i besimit islam është përmirësimi i zemrës së individit dhe lidhja e saj me besueshmëri të sinqertë ndaj Krijuesit. E, në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Me të vërtetë Allahu nuk shikon në fizionominë dhe pasurinë tuaj, por shikon në zemrat tuaja”.(4)
Bile, njëra prej lutjeve të tij më të shpeshta ka qenë: “O Ti që i rrotullon zemrat e njerëzve, përforco zemrën time në fenë Tënde”.(5)
Kjo lutje e Pejgamberit a.s. është mjaft domethënëse. Sepse, në një rast të kundërt, largimi nga feja çon në ngurtësimin e zemrës dhe në brishtësinë shpirtërore e fizike të njeriut. Pas kësaj, porta e të këqijave është e hapur prore. Zemra e ngurtësuar e humb aftësinë e korrigjimit të së mirës dhe të së keqes. Ajo anon nga vetëkënaqësia dhe nga egoja personale. Mbase, në këtë kuptim, është pjesa e dytë e ajetit: “Të mjerët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të tillët janë në humbje të qartë”. Allahu i ka cilësuar se janë të mjerë dhe në humbje të qartë të gjithë ata që nuk e përmendin Allahun. Zemrat e tyre janë ngurtësuar, janë bërë dru i malit. Edhe më keq, këtyre njerëzve, kur u përmendet Allahu, nuk u gëzohet zemra, përkundrazi u shtohet mllefi, dhe për këtë shkak, ata nuk janë në gjendje të përmendin Allahun dhe ta adhurojnë Atë. Kjo kategori e njerëzve është fytyra negative e shoqërisë. Transmetohet se kjo pjesë e ajetit ka zbritur për rastin e Ebu Lehebit dhe djalit të tij, të cilët nuk e patën pranuar Islamin.(6)
Por, domethënia e ajetit ka të bëjë me secilin, që nuk E madhëron Allahun.
Bindja “e kam zemrën e pastër…”?!
Fatkeqësisht, në mjediset tona, sot kemi myslimanë që nuk interesohen fare për mësimet fetare, apo, edhe nëse dinë ndonjë gjë, nuk e praktikojnë, me bindjen se nuk kanë nevojë për fetarësi. Personalisht, kam pasur rastin t’i takoj disa myslimanë të këtillë, dhe, kur u themi të vijnë në xhami për ta madhëruar Allahun, përgjigjja e tyre është standarde: “Hoxhë efendi, unë e kam zemrën të pastër, nuk kam nevojë të vij në xhami”?!
Edhe më keq, nuk mjaftohen me kaq, po vazhdojnë të diskutojnë edhe për shumë pikëpamje të tjera, duke u munduar ta arsyetojnë konceptin që e përkrahin.
Pa dyshim, ky qëndrim i tyre është gabim. Kësaj radhe nuk do të flas se sa mëkat i madh është mosfalja e namazit, por do të them një të vërtetë – se njeriu është i obliguar ta madhërojë Krijuesin, pikërisht mbi bazën e krijimit të tij si qenie. Mbi parimin ontologjik, të gjitha krijesat e madhërojnë Allahun, pavarësisht se ne nuk mund ta dimë mënyrën e madhërimit. Allahu thotë: “Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e Toka dhe ç’ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk E madhëron (nuk i bën tesbihe), duke I shprehur falënderim Atij, po ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (sepse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë”. (El Isra, 44)
Imam Bejdaviu r.h., duke e komentuar këtë ajet, thotë se secila krijesë me gjuhën e gjendjes së vet e madhëron Allahun, që dëshmon se është qenie e mundshme dhe e krijuar nga i Plotfuqishmi i përhershëm pa fillim, i domosdoshëm në ekzistencë.(7)
Në rastin tonë, si njerëz dhe qenie të vetëdijshme, Allahu na ka mësuar në Kuran se si ta madhërojmë, e Pejgamberi a.s. na ka sqaruar detajet. Ne nuk mund të shpikim një model tjetër të madhërimit të Allahut, sepse bëjmë gabim, e kjo do të shndërrohet në ofendim për Krijuesin. Jo, absolutisht. Modeli i madhërimit, tashmë është i sqaruar, ndërsa shkuarja në xhami dhe falja e namazit është diskursi qendror i madhërimit të Allahut, në baza ditore. Ky është obligim i natyrshëm, dhe jo zgjedhje. Atyre që thonë se e kanë zemrën të pastër dhe se nuk kanë nevojë të shkojnë në xhami, u themi: Po, juve ju lejohet të mos e madhëroni Allahun, por me një kusht, që të mos shfrytëzoni mirësitë e Tij. Në atë moment që ju deklaroni se nuk dëshironi të thithni ajrin, si një bollëk i Allahut, jeni të lirë që të mos E madhëroni Allahun?!
Mirëpo, derisa e shfrytëzoni ajrin në çdo çast, dhe tokën për të ecur e për t’u ushqyer, atëherë e keni obligim madhërimin e Allahut dhe falënderimin ndaj Tij. Për këtë arsye, falja e namazit është obligim edhe për të sëmurin, përderisa të ketë vetëdije.
Po ashtu, ata e kanë gabim, ngase me këtë deklarim të tyre – se e kanë zemrën të pastër, po paragjykojnë ndaj atyre që shkojnë në xhami, kinse ata të fundit qenkan ngarkuar me gjynahe dhe shkuakan në xhami për t’i larë gjynahet?! Kjo nuk është e vërtetë. Ne e dimë se larja e mëkateve (gjynaheve), mund të ndodhë mbi bazën e efekteve anësore të namazit, por qëllimi bazë i namazit është Madhërimi i Allahut. Sikurse thamë më lart, ky është obligim i të gjitha krijesave. Bile, edhe melekët, që nuk kanë asnjë mëkat, E madhërojnë Allahun: “Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre…”. (Gafir, 7).
Nëse do të ishte e vërtetë se shkuarja në xhami është për t’i larë gjynahet, atëherë melekët nuk do të ishin ngarkuar me madhërimin e Allahut, kur dihet se ato janë të pamëkata. (shih: Et-Tahrim, 6)
Prandaj, përfundimisht, shkuarja në xhami nuk është qërim hesapesh me gjynahet, po madhërim ndaj të Lartmadhërishmit. Në momentin kur njeriu thotë se “e ka zemrën të pastër”, ai në fakt distancohet nga falënderimi dhe madhërimi i Allahut. Ky është gabim i rëndë, që myslimanin e çon në portën e mosbesimit (kufrit), (Shih: Ta-ha, 124).
Distancimi nga xhamia simptomë e zemrës së nxirë
Me të vërtetë, shprehja “e kam zemrën të pastër” është një paradoks i llojit të vet. Akoma më e pakuptimtë bëhet kur këtë e thonë edhe njerëzit e pandërgjegjshëm, që shoqëria i njeh se janë vepërkëqij. Kriteret e zemrës së pastër i cakton Allahu si një standard unikat për të gjithë njerëzit, e jo njeriu për dëshirën e vet.
Sipas Kuranit, njeri me zemër të pastër konsiderohet ai që me të vërtetë është i pastër, ngase i ka përmbushur obligimet në tri sferat kryesore të përgjegjësisë:
1) Ndaj vetvetes,
2) Ndaj të tjerëve dhe
3) Ndaj Allahut.
Këto tri sfera e karakterizojnë jetën e njeriut në përgjithësi, dhe feja Islame ka paraparë rregulla për secilën prej tyre. Në momentin që njeriu është i përgjegjshëm në respektimin e detyrimeve që ka ndaj këtyre kategorive, ai kontribuon për pastërtinë e zemrës. Mirëpo, secili mysliman duhet ta inspektojë nivelin e zbatueshmërisë, dhe vetë mund ta dijë se sa e ka zemrën të pastër. Le ta analizojmë vetëm aspektin e detyrimeve ndaj Krijuesit, meqë jemi duke folur për madhërimin e Allahut dhe shkuarjen e myslimanit në xhami. Njeriu e ka detyrim që të falë pesë kohët e namazeve ditore.
Nëse myslimani nuk shkon në xhami, respektivisht nuk fal një namaz nga pesë kohët e namazeve, për shembull namazin e sabahut, ai është borxhli ndaj Allahut. Ky borxh, nëse nuk përmbushet, është një mëkat i madh. Madje, nuk është një mëkat i lënë në harresë. Jo, ky e jep efektin negativ në zemrën e njeriut në vazhdimësi. Dhe, kur ky mëkat përsëritet, qoftë nga mosfalja e pesë kohëve të namazit apo nga mosfalja e namazit të xhumasë, pastaj dhe nga ritualet e tjera, zemra e njeriut i nënshtrohet ngurtësimit të egër. Sepse, pas çdo të keqeje (mëkati), në zemrën e njeriut vihet një pikë e zezë, dhe kjo ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit a.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a: “Me të vërtetë, kur njeriu e bën një mëkat (të keqe), në zemrën e tij i vihet një pikë e zezë, nëse largohet nga mëkati, pastaj kërkon falje dhe pendohet për të, zemra e tij rikthehet në gjendjen e mëparshme, në të kundërtën, dhe nëse vazhdon ta përsërisë, ai (mëkati) shtohet gjersa t’ia mbulojë zemrën tërësisht, dhe kjo është ajo “mbulesanxirja”, të cilën e ka përmendur Allahu në Kuran: “…Por, të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan (ua kanë nxirë)”, (El Mutaf-fifin, 14).(8)
Pas kësaj thënieje të Pejgamberit a.s., kush mund të thotë se e ka zemrën të pastër, përderisa është mëkatar dhe borxhli ndaj Allahut. Të gjithë ata që thonë se e kanë zemrën të pastër, dhe vazhdojnë indiferencën ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, më vjen keq, por zemrat e tyre janë të nxira dhe nuk bëhet fjalë më për pika të zeza, por, a thua ka mbetur në zemër ndonjë pjesëz pa u nxirë? Këtë nuk po e them në mënyrë tendencioze, por, që ta sqarojmë të vërtetën. Ani, kjo që e përmendëm, pra, obligimet (borxhet) ndaj Allahut, është vetëm një aspekt që e nxin zemrën, po ku janë edhe shumë të tjera. Ku janë obligimet ndërnjerëzore, obligimet ndaj familjes, obligimet ndaj vetvetes, e jam më se i sigurt se personi që nuk e do xhaminë dhe ikën prej saj, nuk i ka në nivel të kënaqshëm as këto. Sepse, nëse nuk e njeh fenë e Allahut, nuk di si t’i zbatojë në mënyrë të drejtë këto obligime, për të cilat është përgjegjës.
Pastrimi i zemrës dhe transformimi i myslimanit
Me të drejtë, Malik bin Dinar r.h. thotë: “Dënimi më i madh për njeriun është ngurtësimi i zemrës, ndërsa prej hidhërimit të Allahut ndaj një populli, është largimi i mëshirës nga zemrat e tyre”.(9)
Kjo, mbase është e vërtetë. Populli ynë (shqiptar), për një njeri që nuk është i dobishëm për shoqërinë, thotë: “filani nuk kish’ zemër”, domethënë është me zemër të ngurtë, që nuk bën rahmet e as bamirësi. Si kundër kësaj, myslimani që i thotë vetës mysliman, por që nuk i praktikon ritualet fetare, urgjentisht duhet të shkojë te imami i xhamisë më të afërt dhe ta pyesë për mënyrën e pastrimit të zemrës. Sepse, pa iniciativë, nuk arrihet asgjë.
Ushqimi i shpirtit dhe i zemrës është besimi në Allahun dhe madhërimi i Tij nëpërmjet ibadeteve (adhurimeve) islame. Sepse, Allahu e ka krijuar njeriun në këtë përbërje. Pa fe e fetarësi, njeriu ngel i uritur përgjithmonë.
Nga ana tjetër, fetarësia myslimanin e transformon në njeri human, të butë, të sjellshëm, solidar, të dobishëm për shoqërinë etj.. E për më shumë,zemrën e shpëton nga ngurtësimi, e ky është shpëtimi në të dy botët, ngase Allahu ka thënë: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët, (bën dobi) Vetëm kush I paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”. (Esh-Shuara, 88-89).
_________________
1) Imam Kurtubiu, El-Xhamiu Li ahkami’l Kur’an, komentimi i ajetit Ez Zumer, 22.
2) Imam Bejhekiu, el-Kada ve’l kader, hadithi nr. 334.
3) “Sahihu’l-Buhari”, Kitabu’l-imani, babu: Fadlu men istebree lidinihi, nr. 50.
4) Transmeton Imam Muslimi nga Ebu Hurejre, Sahihul Muslim, Kitabul birr-rri ves-sil-leti ve’l adab, babu: tahrimu dhulmi’l muslim, nr.4657.
5) Sunenut- Termidhij, Kitabu: Ed-da’vatu an Resulilahi (babu: minhu) hadithi nr. 3444.
6) Imam Kurtubiu, po aty, komentimi i ajetit Ez-Zumer, 22.
7) El-Bejdavij, Envaru’t-tenzil ve esraru’t-te’vil, komentimi i ajetit El-Isra, 44.
8) Imam Termidhiu, El-Xhamiu, kitabu: Tefsiril-kur’an, babu: ve min sureti’n-nisa, nr.3278. Hadithi është “Hasenun Sahihun”.
9) Imam Kurtubiu, po aty, komentimi i ajetit Ez-Zumer, 22.
Mr. Orhan Bislimaj

Exit mobile version