Debutimi i Didier Drogba në “Turk Telekon Arena” në Stamboll përballë tifozëve të Gallatasarajit në Ligën e Kampioneve ndaj Shalkes, pritet të jetë një nga ngjarjet më të zhurmshme të futbollit botëror, pasi tifozët e kësaj skuadre janë shpallur zyrtarisht më të zhurmshmit në botë.
Në një eksperiment mjaft të veçantë, është matur se zhurma e prodhuar nga tifozët në derbin e fundit të Stambollit ka arritur 131 decibel, zhurmë më e lartë sesa të qëndrosh 50 metra larg një avioni ushtarak, apo edhe se një këngë e grupit muzikor “The Who” në vitet ’70, i cila arriti vetëm 126 decibel.
Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid dhe Anglisë, Geri Nevill, ka deklaruar se nuk ka luajtur asnjëherë në një stadium më të zhurmshëm se ai i Gallatasarajit. Por ai e kishte fjalën për stadiumin e vjetër “Ali Sami Jen”, i cili mbante vetëm 24 mijë tifozë, më pak se gjysma e kapacitetit të stadiumit të ri të Gallatasarajit që u inaugurua në vitin 2011. (LajmeShqip.com)
Categories