Tifozët shqiptarë nuk do ua falin “tradhtinë” futbollistëve që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën para Shqipërisë.
Ky është mesazhi i qartë që vjen nga një prej grupeve që ndjek prej shumë vitesh kombëtaren shqiptare të futbollit, “Plisat” e Prishtinës, të cilët qëndrimin e tyre e treguan edhe në ndeshjen ku “Yjet e Kosovës” luajtën kundër skuadrës së Prishtinës.
Ndonëse kjo ishte një ndeshje miqësore, një spektakël për të nderuar ditën e çlirimit të Prishtinës, “Plisat” nuk kanë pritur me brohoritma në fushën e lojës shumë prej futbollistëve të “Yjeve të Kosovës”, të cilët kanë zgjedhur kombëtare të tjera para asaj shqiptare. Më i shigjetuari ka qenë Valon Behrami, i cili thuajse në çdo prekje të topit është shoqëruar nga vërshëllimat e gjata.
-Behrami ka ardhur në Kosovë dhe na mashtroi të gjithë tifozëve duke na thënë që do të bëhej lojtar i kombëtares. Por në momentin që i bëri ftesë Zvicra, na tradhtoi, ishte deklarata e një prej organizatorëve kryesorë të këtij grupi tifozësh në gazetën kosovare “Express”, Albert Kastrati. Duket se kjo është arsyeja pse sa herë që Behrami ishte në zotërim të topit, nga tribunat vërshonin thirrjet: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe “Behrami, Behrami, Behrami, tradhtar si Esat Pashë Toptani”.
Në fakt, pjesa tjetër e stadiumit, e përjetoi këtë si një ndeshje spektakli, pasi ishte një miqësore, por “Plisat” duken të bindur të vazhdojnë “luftën” e tyre. Kjo ishte arsyeja pse deri pak orë para ndeshjes ata ishin në mëdyshje për t’u shfaqur në tribunat e stadiumit të Prishtinës apo jo. Në fund kanë vendosur që e tregojnë që në këtë ndeshje qëndrimin e tyre, për të zhvilluar luftën e vërtetë në tetor, kur do të luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës në “Qemal Stafa” dhe ku emra si Behrami, Xhaka e Shaqiri do të jenë përsëri kundërshtarë të fanellës kuqezi.
-Edhe nëse nuk do t’i shanim në Prishtinë, prapëseprapë në Tiranë do t’i shanim, sepse nuk jemi me dy fytyra. Do ta shihni se çfarë ferri i pret atje, pasi më shumë se gjysma e stadiumit do të jetë i mbushur me shqiptarë të Kosovës, ishte deklarata e Kastratit.
Ndeshja në fjalë pritet të jetë shumë përcaktuese për fatet e të dy këtyre kombëtareve në Eliminatoret e Botërorit 2014, pasi nga njëra anë mund të dekretojë vendin e parë në grup për kombëtaren e Zvicrës, ndërsa nga ana tjetër mund të ndihmojë përfaqësuesen shqiptare të sigurojë një vend të dytë të mundshëm që çon në play-off.