Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”! Është kjo fushata më e fundit e nisur në stadiumet e Shqipërisë, Kosovës dhe madje edhe në Maqedoni. Një mesazh i qartë për krerët e futbollit, duke dashur që shqiptarët në Ballkan të përfaqësohen me një kombëtare, pse jo, edhe me një ligë mbarëshqiptare. Fushata ka nisur menjëherë pas zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit dhe për t’i paraprirë që Kosova dhe Shqipëria të mos kenë dy kombëtare, pra secila të veten, duke ndarë kështu edhe tifozët. Por duket se këta të fundit janë për një kombëtare, të paktën shumica e tyre, ku kryesorët, “Tifozat Kuq e Zi”, e kanë thënë fjalën e tyre para se Kosova të merrte lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjes miqësore.
FUSHATA
Ndodhë rrallë që nëpër stadiumet shqiptare të shihen pankarta të njëjta, por ja që ndodhi javën që lamë pas. Kjo, pasi në tri stadiume të ndryshme, në Laç, në Tetovë dhe në Gjakovë u hapën pankartat me mesazhin “Një Komb, Një Kombëtare, Një Ligë shqiptare”. Ky mesazh vjen pas debateve të shumta mes tifozëve dhe opinionit sportiv, nëse Kosova do duhet ta ketë një ekip përfaqësues apo ekipi kombëtar duhet të jetë i paprekshëm. Ideatorët e kësaj nisme thonë se shumë shpejt këto pankarta do të hapen edhe nëpër shumicën e stadiumeve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. “Vetëm të dielën mesazhi u hap në Gjakovë në ndeshjen Vëllaznimi-Istogu, ndërsa në Tetovë në derbin shqiptar Shkëndija-Renova. Jemi në negociata me shumë prej tifo-grupeve shqiptare, të cilët kanë përkrahur idenë tonë dhe ditëve në vazhdim do të shfaqen”, – thonë nismëtarët e fushatës. Ditë më parë një mesazh tjetër në mbështetje të kësaj ideje u shfaq edhe në Laç, në ndeshjen Laçi-Kastrioti.
CANA
Por duket se nuk janë vetëm tifozët për idenë e një kombëtareje apo të një lige mbarëshqiptare. Në fakt, kjo ide është hedhur që në vitin 2007, por publikisht, pikërisht më 4 mars të këtij viti, një ditë para ndeshjes miqësore me Maltën, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, deklaronte hapur që duhet të jetë një kombëtare shqiptare dhe një kampionat i përbashkët, në mënyrë që t’i shërbejë cilësisë jo vetëm të garës sportive, por edhe të përfaqësueses së vetme. Lorik Cana i parapriu edhe ndonjë mendimi kundër, duke deklaruar se natyrshëm që do të kishte edhe nga ata që nuk e donin këtë, por ishte i bindur se shumica do vetëm një kombëtare. Këto deklarata të Canës, presidenti i FFK-së, Fadik Vokrri, i quajti të pamatura, ndërsa futbollisti Granit Xhaka pohonte se Kosova duhej të kishte përfaqësuesen e saj dhe madje shpresonte shpejt anëtarësimin në FIFA. Por duket se tashmë tifozët kanë mbështetur Canën e jo Vokrrin me Xhakëns.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
Categories