Më datë 17 Tetor 2013 në prani të kompanive pjesëmarrëse, kompanive që mbështesin projektin, donatorve, ambasadorve, institucioneve që përkrahin biznesin dhe institucioneve qeveritare dhe lokale, mediave, OEMVP-ja organizoi manifestim me të cilin shënoi suksesin e kompanive shqiptare në Republikën e Maqedonisë.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore edhe këtë vit vazhdoi me realizimin e projektit “TOP 100” kompanitë më të mira shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Ideja e projektit “TOP 100”, i cili po realizohet për herë të tretë këtë vit në Republikën e Maqedonisë, është promovimi i kompanive më të fuqishme shqiptare në tregun vendor, të cilët vitin e kaluar treguan suksese të lakmueshme.
Pjesëmarrës në këtë manifestim përveç kompanive tona anëtare ishin edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, ambasadave, ministra, organizatave të ndryshme, media e tjerë.
Kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi përshëndeti të pranishmit dhe ndërmjet tjerave tha se: “Edhe këtë vit kemi analizuar 100 kompanitë shqiptare më të suksesshme bazuar në tre kritere: qarkullimi vjetor, fitimi dhe numri i të punësuarve për vitin 2012. “TOP 100”, i cili po realizohet për herë të tretë në Republikën e Maqedonisë, është promovimi i kompanive më të fuqishme shqiptare në tregun vendor. Kompanitë anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore gjatë periudhës së vitit 2012 janë ballafaquar me problem të ndryshme, por përsëri kanë arritur të realizojnë rreth 30 milion euro qarkullim vjetor të përgjithshëm, dhe shumica e tyre kanë arritur të mbajnë pozitat në mes 100 më të mirët edhe nga viti i kaluar. Prej këtu rezulton edhe nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi për të shkurtuar rrugën drejt këtij qëllimi madhor, që të jemi më të mirët. Në qoftë se do të këmbejmë përvojat tona të mira, në qoftë se do ta mbështesim njëri-tjetrin, integrimi ynë evropian do të jetë më i suksesshëm dhe më i afërt.
Ne si Odë Ekonomike, i gëzohemi përparimit dhe suksesit të çdo kompanije tonë anëtare, si dhe atyre potenciale për anëtarësim, sepse vetëm suksesi i të gjitha këtyre kompanive sjell stabilitetin e plotë të rajonit veri-perëndimor, bashkëpunimin e mirëfilltë dhe paqen e zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm.
Ne jemi rrugës për të arritur qëllimet tona, por rruga akoma mbetet shkëmbore. Prioritet janë përforcimi dhe zgjerimi i cili do të gjenerojë përfitime të ardhshme. Nëse tregu i brendshëm është një nxitës i rritjes dhe i vendeve të punës, atëherë tregu ynë i jashtëm, pjesa tjetër e botës, duhet të jetë nxitësi tjetër. Bashkimi Evropian është tregtari më i madh i botës dhe ne jemi duke punuar shumë për të hapur tregje të reja. Por, që të realizohen këto përfitime punëtorët dhe bizneset duhet të kenë aftësi dhe kapacitete që të kenë dobi nga këto mundësi të krijuara. Buxheti i RM duhet të sigurojë investime, rritje për rajonet tona, për studentët, për bizneset, për fermerët dhe për të papunësuarit. Katalogu i 100 kompanive më të mira që botohet për herë të trete, ka për qëllim të promovojë kompanitë tona të fuqishme që janë motori i shoqërisë, të inkurajojmë kompanitë të tjera të ndjekin rrugën e 100 kompanive të fuqishme dhe të inkurajojmë rininë të merret me biznes. Edhe një herë i uroj 100 kompanitë shqiptare për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar dhe suksesin gjatë vitit 2012, dhe shpresoj do të vazhdojnë kështu edhe në të ardhmen.” – tha z. Kuçi.
Ministri i Ekonomisë z. Valon Saraqini, në fjalimin e tij tha që: “Të jesh i madh dhe i suksesshëm është me të vërtetë për çdo respekt. Por të jesh i madh dhe i suskesshëm në tregje ku lufta për pozitë është e pamëshirshme dhe është luftë e përdtshme, është me të vërtetë sukses i madh, i cili është rezultat i përkushtimit, frymës sipërmarrëse dhe kreativitetit tuaj. Ky edicion i 100 KOMPANIVE MË TË SUKSESSHME SHQIPTARE NË MAQEDONI, i cili del për herë të tretë në Maqedoni, është edicion i rëndësishëm që tubon në një vend kompanitë më të suksesshme shqiptare të vendit dhe atë nga sektrorët e ndryshëm. Në fakt ky edicion shënon rritjen dhe zhvillimin e kompanive në Maqedoni si shembull dhe nxitje për të tjerët në treg. Të dhënat tregojnë se qarkullimi vjetor i 100 kompanive më të mëdha shqiptare në Maqedoni, është 488 milion euro ato marrin pjesë me më shumë se 3% në qarkullimin e përgjithshëm në vend. Fitimi i realizuar nga këto kompani është rreth dy milionë euro. Këto shifra janë edhe më të rëndësishme, nëse marrim parasysh faktin se këto kompani janë vazhdimisht në rritje dhe zhvillim. Paralelisht me rritjen e punës së këtyre kompanive, rritet dhe numri i të punësuarve, i cili për momentin është rreth 5.000 njerëz.”
Kompanive gjithashtu iu drejtua edhe z. Imer Dalipi, drejtor i sektorit të biznesit në ProCredit Bank, i cili prezantoi shërbimet e bankës para biznesve shqiptare.
Ndër 10 kompanitë më të suksesshme këtë vit ishin kompania Ekollog, Pofiks, Vardar Dollomit, Bas Tuti Fruti, Prince Enterprise, Dauti Komerc dhe Gemak, kurse në vendin e tretë është kompania Euro Media nga Shkupi dhe në vendin e dytë kompania Alma M, gjithashtu nga Shkupi.
Si kompani më e suksesshme për vitin 2012 u shpall kompania EuroAktiva nga Shkupi, pronarë i së cilës është z. Nuhi Aliu.
Categories