Rreth 30 persona janë vrarë dhe 150 të tjerë janë plagosur në përleshjet në Egjipt, teksa vendi shënon përvjetorin e kryengritjeve të vitit 2011, që çuan në rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak.
Protestues rivalë, mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë-ushtarake, zhvilluan demonstrata në kryeqytetin Kajro. Por policia ndërhyri ndaj protestave anti-qeveritare me gaz lotsjellës dhe raportohet se në Kajro dhe Aleksandri pati arrestime.
Tensionet në Egjipt u ndezën që ditën e premte, pas akteve të dhunës që lanë të vdekur 18 persona. Qeveria njoftoi marrjen e masave shtesë të sigurisë për ditën e shtunë.
Ministri i Brendshëm Muhammad Ibrahim u bëri thirrje qytetarëve që të mos u trembeshin masave por të shkonin në evenimentet e organizuara për përvjetorin e kryengritjes.
Mbështetës të qeverisë dhe ushtrisë u mblodhën në zona të rëndësishme të kryeqytetit Kajro, përfshirë këtu Sheshin Tahrir, i mirënjohur për protestat kundër Mubarak.
Pjesëmarrësit valëvisnin flamuj egjiptianë dhe posterë me kreun e ushtrisë, gjeneralin Abdel Fattah al Sisi, të cilit i bëjnë thirrje që të garojë për president.
Por nga ana tjetër, policia shpërndau me dhunë protestuesit anti-qeveritarë në Kajro dhe gjetkë, duke vrarë 129 vetë. Shumica e humbën jetën në kryeqytet, ndërsa dy në qytetin jugor Minia dhe një grua në atë të Aleksandrisë.
Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, një bombë u hodh pas mureve të akademisë së policisë egjiptiane, në periferi të Kajros, duke plagosur një person. /Top Channel/

Pamje nga protestat ne Egjipt 25-jan-2014

Ndalohet te shikohet nga personat qe nuk i perballojn pamjet e pergjakshme