BDI është shprehur e gatshme që të zgjidh ngërçin politik në Strugë dhe Tetovë, gjegjësisht për formimit e këshillave komunal. Kështu tha sot sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi. Ai tha se BDI është e gatshme për të ndihmuar Strugën dhe qytetarët e Strugës, por kërkoi gatishmëri edhe nga PDH-ja për të zgjidhur problemin me Këshillin Komunal.
“Meqë në Strugë nuk ka shumicë për këshillin se edhe ne edhe PDSH-ja kemi nga 7 këshilltarë dhe tjerët më pak, kuptohet që aty do duhet të bisedohet por ne nuk jemi për ti bllokuar institucionet, ne jemi të gatshëm për ta ndihmuar Strugën dhe qytetarët e saj nëse partitë tjera pranojnë që bashkë ta drejtojmë Strugën ne jemi të hapur për bisedime”, tha Abdylaqim Ademi, sekretar i BDI-së.
Sa i takon problemit në Tetovë, Ademi tha se partia fituese, në këtë rast BDI duhet të udhëheqë me proceset në këtë Komunë. Ai paralajmëroi se bisedimet për formimin e këshillit komunal po ecin mbarë dhe se së shpejti do të ketë marrëveshje.
“Sigurisht se subjektet që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale kanë zhvilluar edhe bisedime dhe ato në radhë të parë kanë një parim, që subjekti politik i cili ka fituar zgjedhjet mban edhe përgjegjësi më të madhe jo vetëm me kreun e komunës por edhe me këshillin dhe institucionet tjera lokale, duke u udhëhequr nga ky parim edhe për Tetovën ne kemi përgjegjësinë më të madhe dhe ne duhet ti udhëheqim edhe proceset në Komunën e Tetovës. Prandaj ne jemi në bisedime me subjektet tjera politike dhe së shpejti do arrihet marrëveshja”, deklaroi Abdylaqim Ademi, sekretar i BDI-së.
Gati tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Komuna e Tetovës dhe ajo e Strugës funksionojnë pa këshilla, pasi subjektet politike ende nuk po arrijnë që të merren vesh rreth ndarjes së posteve nëpër drejtoritë e Komunave. /Alsat-M/