Categories
Opinione

Tri dimensionet e zgjedhjeve

Në rrugëtimin e saj 101-vjeçar Shqipëria po hapëron drejt sfidës së radhës. Për fat (të keq), në çdo vend tjetër zgjedhjet do të ishin një veprim rutinë, i cili do t’i zinte faqet e gazetave njësoj si çdo televotim, por ja që në Ballkan, e sidomos ndër shqiptarët, gjendja nuk është kështu. Zgjedhjet te ne më shumë i ngjajnë thënies “jetë e a vdekje”!
Sido që të jetë, rezultati i 23 qershorit do të jetë (duhet të jetë) determeniues në tri dimensione të veprimit politik të Shqipërisë: në rrafshin shtetëror, gjithëkombëtar dhe, gjithsesi, (euro)integrues.
Dimensioni shtetëror duhet t’i rregullojë ekuilibrat politike në vend, të cilat prej disa vitesh kanë ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e imazhit negativ për politikat shtetërore. Pushteti dhe opozita, kushdoqofshin ato, rrugëtimin e vendit, përfundimisht duhet ta shohin nga një prizëm i vetëm – si një interes i përbashkët i të gjitha palëve. Tensionet e vazhdueshme që e ndjekin vendin që nga viti 1997 duhet të zëvendësohen me iniciativa dhe projekte të shëndosha, të cilat do (duhet) të jenë një terapi e efektshme për kapërcimin e situatës së vendnumërimit. Shpallja e njërës ose palës tjetër për “armik të përbetuar” tashmë është përdëftuar se nuk është alternativë e duhur për Tiranën me të gjitha institucionet që i ka. Kontradiktat e brendshme, përveç se kanë rritur hendekun politik mes të djathtëve dhe të majtëve, aspak nuk e kanë ndihmuar vendin të zë vend në tavolinën e demokracive perëndimore.
Në planin gjithëkombëtar, Tirana, nga kushdo që (do të) udhëhiqet, përfundimisht do të duhet të bindet se qoftë territorialisht, qoftë etnikisht, rreth 60 për qind të vetvetes e ka jashtë kufijve të saj administrativë-shtetërorë. Ky disavantazh i krijuar nga rrethanat historike, pa dyshim që me një politikë të mirëfilltë, mund të kthehet në një avantazh, për cilindo krah politik që do ta marrë timonin e politikës në mbrëmjen e 23 qershorit.
Në vend të sjelljes defensive, Shqipëria e ka rastin dhe shansin historik që të dëshmojë se dëshiron dhe mund të ushtrojë pushtet politik mbi këtë pjesë të shqiptarisë. Në këtë mënyrë, ajo do ta fitonte respektin e të gjitha qendrave të vendosjes. Natyrisht këtë duhet ta bëjë duke i ruajtur koniukturat e strategjive të mëdha të aleatëve tanë dhe, gjithsesi, duke mos shfaqur ide ekspansioniste, siç bëjnë shpeshherë Serbia dhe Greqia. Prezenca e shqiptarëve në Maqedoni, Luginë, Mal të Zi dhe Greqi, si dhe strukturimi i shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, meriton(jnë) një patronazh të mirëfilltë për të krijuar një ndërveprim më të gjerë. Dhe, e gjithë kjo mund të bëhet në rrugë legjitime pa i krijuar alibi askujt se Tirana po shfaq ambicie të tjera me të cilat (mund) prishen balancat në Ballkan.
Tirana zyrtare e ka patjetër ta mbajë mbi supe peshën psikologjike për gjithë shqiptarët në rajon, qofshin ata 7, 8 apo 9 milionë!
Dhe, plani (euro)integrues. Duke qenë se jemi i vetmi popull në rajon që e përdorim shprehjen “miqtë tanë ndërkombëtar”, në bazë të të gjithë parametrave logjike, ne do të duhet të ishin të parë që do të kishin “arritur” në Bruksel… Por, ja që ndodh e kundërta. Shqiptarët, kudo që janë, disi janë bërë objekt i survejimit nga “miqtë tanë ndërkombëtar”, duke na kualifikuar në të shumtën e rasteve si qenie politike, të cilat ende nuk kanë evoluuar në shkallën homo-politicus.
Kjo sjellje e qendrave të vendosjes ndaj nesh do të duhet të ishte një tregues i fuqishëm se faji është diku mes nesh.
Në një situatë të këtillë shqiptarët kanë nevojë për një artikulim të saktë të asaj çfarë duan. E këtu në radhë të parë vjen morali (politik), me të cilin (me përjashtime) duket se jemi përshëndetur prej disa vitesh.
Identiteti i krijuar i politikanit shqiptar është larg shkallës së vlerave që i ka(kanë) arritur kolegu (kolegët) i/e tij (tyre) në çdo demokraci.
Prandaj rindërtimi i vlerave sipas kodit moral, do të duhej të ishte domosdoshmëri me të cilën do t’i jepej fund “shitjes” në çast të fundit në emër të pushtetit, ngasë kështu nuk “shkohet” në Eu(v)ropë.
Çdo veprim ndryshe na këto tri dimensione Shqipërinë nuk do ta bënte më pak shqiptar(ç)e dhe më pak të dashur nga ajo seç është, mirëpo pa dyshim do ta bënte Shqipëri me paterica! (SHENJA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version