Categories
Lajme FRI

Turizmi në Islam

Edhe pse nuk kemi ndonjë përkufizim të veçantë të turizmit hallall, kryesisht ky është pranuar si një formë e turizmit që ofron shërbimet e mikpritjes në pajtim me normat dhe ligjet islame.

Në këtë drejtim p.sh. mund të llogarisim hotelet hallall, që nuk shërbejnë pije alkoolike, ofrojnë certifikata hallall për ushqim, kanë objekte të veçanta për gratë, vende për ibadet dhe mjedise të përshtatshme për myslimanët.
Një vit jo edhe aq i lehtë, i stërmbushur me obligime e detyrime dhe me punë, kërkon një pushim e qetësi për trupin. Këtu do të trajtojmë turizmin si koncept islam. Zakonisht ndër ne turizmi si term nënkupton të shkosh e të pushosh dhe të çlodhesh në viset bregdetare. Por, si qëndron puna e këtij koncepti në pikëpamje islame dhe si e trajton feja jonë këtë koncept.
Me shfaqjen dhe shtrirjen e Islamit, ai ndryshoi shumë koncepte të shtrembërimeve si rrjedhojë e mendjes njerëzore dhe, për pasojë, Islami i kanalizoi ato koncepte në drejtim të duhur duke i orientuar drejt vlerave dhe moralit. Turizmi mund të jetë edhe në rang ibadeti, me se nënkuptohet përgatitja dhe nisja për në Vende të Shenjta, në Mekë e Medinë, ku myslimani u bën vizitë Vendeve të Shenjta, si dhe gjatë kësaj vizite sjell imazhe e kujtime nga jeta e Resulullahut a.s., e shokëve të tij dhe të myslimanëve të parë, si dhe për gjetje arkeologjike që kanë këto dy vende. Dhe kjo vizitë mbush shpirtin me iman e me energji të reja për shtigje të reja në jetën e tij. Nga ana tjetër, edhe Kur’ani na urdhëron që, krahas vizitave dhe shëtitjeve të ndryshme, të kemi në qendër interesimi ngritjen dhe lartësimin e Fjalës së Allahut: “(Të Xhenetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e Allahut. Pra, përgëzoji besimtarët”. (Et- Tevbe,112).
Kurse në ajete të tjera na obligon të lëvizim në vende të ndryshme për të parë se si ka qenë gjendja e popujve të mëhershëm dhe e atyre që nuk u janë përmbajtur udhëzimeve hyjnore. Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve”.(El-En’am,11).
Në një vend tjetër thotë: Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve”! (En-Neml,69).
Gjatë këtyre vizitave myslimani sheh dhe mahnitet edhe nga krijimtaria e Allahut: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se Allahu ka mundësi për çdo send”. (El- Ankebut,20)
Nga kjo del se të gjitha premisat flasin se turizmi hallall vetëm sa po zgjerohet. Bazuar në raportin nga Panairi i Turizmit Botëror, për vitet në vijim është parashikuar rritja e turizmit hallall. Megjithatë, duke u hapur definicioni i turizmit hallall, shumë hotele nëpër botë e shohin veten si të përshtatshme për pritjen e myslimanëve. Si një aspekt i rëndësishëm i këtij tregu në rritje, mund të shihet gjendja në hotelet luksoze, si p.sh. Lord Milner në Londër apo zinxhiri i hoteleve Holiday Villa, të cilat në dhomat e tyre ofrojnë drejtimin që tregon Kiblen. Për shkak të këtij trendi, shumë hotele janë duke përshtatur shërbimet e tyre për mysafirët myslimanë. Gjatë Ramazanit të fundit, hoteli i famshëm Sacher në Vjenë, ka siguruar një dhomë të veçantë për lutje, si dhe ushqime të veçanta para lindjes së diellit dhe pas perëndimit të diellit.
Një tjetër shembull mund të shihet në Dubai, ku disa grupe hotelesh kanë njoftuar për zhvillimin e zinxhirit hotelier në pajtim me ligjin islam.
Almulla Hospitality deri në vitin 2015 pritet të hapë 150 hotele hallall, jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Përveç kësaj, zinxhiri hotelier Jawhara, në një të ardhme të afërt, ka për qëllim që 25% të hoteleve në Dubai të jenë në bazë të ligjit të Sheriatit. Hotelet e tyre shpenzojnë 2,5% të të ardhurave të tyre neto për zekat. Vendet me turizëm botëror, si Turqia, Dubai,Malajzia, Indonezia etj., vazhdimisht po tërheqin interes të madh për objekte dhe trashëgimi myslimane. Statistikat flasin se vetëm më 2005, më shumë se 150.000 turistë udhëtuan nga Lindja e Mesme në Malajzi, ndërsa vlerësohet se rreth 250.000 njerëz kanë zgjedhur një destinacion duke u bazuar vetëm në objektet, ku janë certifikuar ushqime hallall. Përmirësimi i imazhit të këtyre vendeve falë arritjeve të mëdha të kohëve të fundit, ka bërë që agjencitë e shumta turistike dhe mediatike të botës t’i cilësojnë këto vende si gurë të çmuar.
Edhe në kontinentin tonë të vjetër gjendja nuk është keq. Mësohet se zinxhiri më i vjetër i hoteleve luksoze në Evropë Kempinski nga Zyrihu, po ndërton rreth 30 hotele në bashkëpunim me kompaninë islamike Guidance Financial Group. Grupi i hoteleve Reziror nga Brukseli, i cili bën biznes me kompani të tilla si Radisson Blu dhe Park Inn, vlerëson se tregu i hoteleve hallall do të rritet 20% gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm.
Për fund, këto të mira dhe këto të arritura të njerëzimit në sfera të ndryshme, dhe ndjenjat që krijon njeriu gjatë pushimeve dhe turizmit, duhet t’i kthejë në një forcë motivuese dhe prosperuese për të mirën dhe mirëqenien e vendit të vet dhe njerëzimit në përgjithësi.
Mr. Rexhep Suma
DituriaIslame 251-252

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version