Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek ka thënë në Prishtinë se për Turqinë kushti primar është ruajtja e stabilitetit, paqes dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Gjithashtu ai ka thënë se shteti i tij ka dhënë kontributin maksimal dhe do të jap edhe në të ardhmen për njohjen e Kosovës nga vendet arabe. Ndërkohë kryeparlamentari, Jakup Krasniqi marrëdhëniet mes dy vendeve i ka cilësuar si shumë të mira, duke shtuar se ato mund të përmirësohen edhe më shumë.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek po qëndron për vizitë në Kosovë me një delegacion parlamentar, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Çiçek ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë vetëm marrëdhënie zyrtare, nuk janë vetëm marrëdhënie ndërparlamentare dhe ndërqeveritare, por janë marrëdhënie shpirtërore të cilat janë duke vazhduar me një ritëm kogja të mirë.
Ai ka shtuar se të gjitha përpjekjet e Turqisë për mbrojtjen e territorit e integritetit territorial të Kosovës, pavarësisë, sovranitetit, mëkëmbjes ekonomike, mirëqenies duhet të vlerësohen në këtë kornizë të bashkëpunimit miqësor.
“Për ne Kosova është një vend tejet i rëndësishëm, arritja e paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm në rajon, duhet të vlerësohet duke pasur parasysh çështjen e Kosovës. Për këtë arsye kushti primar i ruajtjes së stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajon është ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj”, ka theksuar Çiçek.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Çiçek ka thënë se çështja e njohjes së Kosovës nga sa më shumë shtete të botës dhe arritja e vendit të saj në komunitetit ndërkombëtar është edhe ndër prioritetet e Turqisë.
Gjithashtu ai ka shtuar se Turqia ka dhënë kontributin dhe do të jap edhe më tutje në këtë çështje.
I pyetur pse ka një hezitim të vendeve arabe për të njohur Kosovën, ai ka thënë se ato vende kanë problemet e tyre të brendshme, që pastaj reflektojnë edhe në politikën e jashtme.
“Çështja e njohjes së Kosovës është një çështje që Turqia gjithmonë e ka dhënë kontributin e saj maksimal dhe përpjekjen e saj dhe do të vazhdoj të jap edhe në të ardhmen. Sa i përket njohjes nga vendet arabe, sikurse e dini momentalisht shtetet e tyre kanë problemet e tyre të brendshme, të cilat do mos do ndikojnë edhe në çështjet e tyre politikës së jashtme. Në anën tjetër vet fakti që Kosova përgjatë 5 viteve nga shpallja e pavarësisë së saj është njohur nga 100 shtete vende është një sukses i pashmangshëm i cili nuk arrihet edhe aq lehtë”, ka theksuar ai.
Për më tepër ai ka thënë se Turqia marrëdhëniet mes dy vendeve në aspektin politik, është e interesuar të avancoj edhe në marrëdhëniet tregtare dhe sociale, pasi që siç ka thënë ai populli i Kosovës ka nevojë për mëkëmbjen e tij.
Ndërsa kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, duke kërkuar nga Turqia që të mbështes Kosovën në aspektin e njohjeve.
“Marrëdhëniet tona mes dy parlamenteve janë duke u zhvilluar mjaft mirë, si në drejtimin e bashkëpunimit mes administratave dhe komisioneve të ndryshme parlamentare. Por edhe mes institucioneve tjera Qeverisë dhe presidentëve ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira. Republika turke gjatë këtyre viteve ka qenë një mbështetëse e fuqishme në botën islame dhe arabe për të njohur Kosovën. Dhe në këtë drejtim ka pasur edhe rezultate konkrete, besoj që kjo mbështetje do të vjen edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Krasniqi.
Më tej ai ka shtuar se Kosova dëshiron që mbështetja e bizneseve tona edhe prezenca e biznesit turk në Kosovë, por edhe bizneseve tona në Turqi të jetë më e madhe.
Ndërkohë i pyetur që është lënë anash nga Qeveria e Kosovës në këto bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për mos informimin nga ana e kryeministrit, Krasniqi ka thënë se kryeministri po informon Kuvendin dhe Kuvendi gjithnjë i ka mbështetur këto bisedime.
Por ai ka kërkuar që marrëveshjet që arrihen në Bruksel të jenë të plotë dhe të hapin rrugën Kosovës drejt integrimeve në institucionet e Bashkimit Evropian.
“Ne kemi informacionet që vijnë nga kryeministri në Kuvend, por nëse ndonjëherë i referohemi se nuk kemi informacione të shkruara, ju e dini që ato mungojnë. Ne i mbështesim dhe i kemi mbështetur edhe në Kuvend me rezolutë të Kuvendit këto bisedime dhe nëse arrihen marrëveshjet, ne dëshirojmë që marrëveshjet të jenë të plota dhe nëse janë të plota Kosovës duhet të i hapen rrugët drejt integrimeve në institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek përveç takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, për nder të tij do të mbahet edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu ai do të zhvilloj takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë institucionalë. /Kosovapress/
Categories