Në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak, Turqia do t’i dhurojë Shqipërisë 1.137.500 USD me qëllim modernizimin e Forcave tona të Armatosura.
Referuar relacionit të projektligjit të depozituar për miratim në Kuvend, sqarohet se granti përbëhet nga tri shuma kryesore. Konkretisht 895.500 dollarë amerikanë, do përdoren për blerjen e materialeve apo pajisjeve ushtarake nga kompanitë turke që operojnë në industrinë ushtarake. Shuma prej 50 mijë USD, që përbën dhe shumën e përcaktuar në protokollin e zbatimit të ndihmës financiare, do të përdoret për të mbuluar pagesat e vizitave zyrtare, trajnimeve si edhe tarifat e kurseve të personelit shqiptar në Turqi.
Kurse shuma prej 192.000 USD, do të përdoret si kontribut për projektin e modernizimit të aeroportit të Kuçovës. Referuar marrëveshjes dypalëshe, bëhet e ditur se qeveria turke ka vënë dy kushte për prokurimin e pajisjeve ushtarake. Së pari që ato të blihen nga një kompani turke që operon në industrinë ushtarake (me të njëjtat kushte cilësore dhe lehtësime financiare që prokurojnë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë). E së dyti që 90% e shumës të paguhet nga pala turke dhe 10% e shumës të paguhet nga pala shqiptare. Marrëveshja do të mbetet në fuqi për 5 vjet, derisa burimet financiare të caktuara për qeverinë shqiptare të përdoren plotësisht. Nëse burimi financiar i alokuar përdoret plotësisht, marrëveshja përfundon në datën e marrjes së njoftimit të dytë me shkrim, nëpërmjet të cilit palët njoftojnë njëra-tjetrën për situatën.
“Në rast se fondi nuk përdoret brenda këtij afati, ai digjet. Për çdo mosmarrëveshje që mund të dalë për shkak të zbatimit apo interpretimit të këtij protokolli, çështja nuk do t’i paraqitet asnjë pale të tretë, bordi arbitrazhi apo gjykate ndërkombëtare. Çdo mosmarrëveshje, që do të lindë gjatë zbatimit të këtij protokolli, do të zgjidhet nëpërmjet negociatave ndërmjet palëve”, – thuhet mes të tjerash në relacionin e projektligjit. Tashmë drafti “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë” po diskutohet në Kuvend, ku deri tani ka marrë “OK”-in e Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare. /Lajmifundit/
Categories