Me krizën ndërkombëtare ekonomike që vazhdon, qeveria turke ka njoftuar se do të kërkojë të hyjë në industrinë financiare islamike prej 1 trilion dollarësh.
Edhe pse Turqia është një shtet laik, ajo është kryesisht muslimane. Nën drejtimin dhjetëvjeçar të partisë me bazë islamike AK, bizneset kanë lulëzuar.
Attila Yesilada është një analist politik me seli në Stamboll me firmën politike të konsulencës Global Source Partners.
“Pati njerëz dhe institucione që refuzuan t’i depozitonin paratë me interes dhe i mbajtën ato në depozita të sigurta pa interes. Kështu që ka një kërkesë të madhe për produkte bankare islamike në Turqi.”
Bankat islame veprojnë në përputhje me rregullat financiare islame të cilat ndalojnë interesin. Por firmat bankare islame përdorin instrumente financiare që përputhen me ligjin islamik për të siguruar të ardhura.
Gjatë dekadës së kaluar, ky sektor është rritur ndjeshëm në një industri gati 1 trilionë dollarëshe.
Shumë nga kjo rritje ka ndodhur në shtetet e pasura me energji të Gjirit dhe Afrikës Veriore. Në Turqi rritja ka qënë më pak mbresëlënëse, me vetën katër institucione që ofrojnë financa islamike, megjithëse këto banka kanë patur një farë rritje.
Omer Bolat është drejtor ekzekutiv i konglomeratit Albayrak. Ai thotë se vendimi i qeverisë për të hyrë në tregun islamik të financave jep një garanci të rëndësishme politike duke qënë se qeveritë e mëparshme turke, me qëndrim të fortë laik, e shihnin këtë treg me dyshim.
“Para se kjo qeveri të vinte në pushtet, qeveritë e mëparshme nuk e pëlqenin sektorin islamik bankar dhe bankat mund të mbylleshin me lehtësi. Depozituesit kishin frikë se në se këto banka mund të mbylleshin ata do të humbisnin paratë e tyre.”
Vëzhguesit thonë se banka më të forta islamike do ta bënin Turqinë të tërhiqte më shumë kesh nga Gjiri Persik dhe Azia, ku kërkesa për produkte bankare në përputhje me ligjet islamike e tejkalon ofertën ekzistuse.
Inan Demir, ekonomist i lartë në Finansbank në Stamboll thotë se kjo qasje mund ta bëjë Stambollin një qendër rajonale financiare.
“Nëse administrata qeveritare dhe ekonomike ka ambicje për të qënë qendrër financiare rajonale, atëherë kjo qendër duhet të përfshijë Lindjen e Mesme dhe rajonet e Afrikës Veriore, ku dominojnë praktikat islamike bankare.”
Tani për tani, Evropa ende synon të jetë e pranishme në tregun e madh financiar turk. Por me krizën ekonomike ende në sfond, ekonomia turke po diversifikohet dhe po kërkon tregje alternative në Lindjen e Mesme ose Afrikën Veriore. Zhvillimi i financave islamike mund të bëhet një instrument i vlefshëm për të realizuar këtë strategji.

www.voal-online.ch