Categories
Opinione

Turqia në rrezik!

Ligjëratat tona nëpër disa vende të Lindjes së Mesme dhe në Turqi të dy javëve të fundit kishin të bënin rreth dy temave profesionale: Logjikë dhe Filozofi e Religjionit. Por kjo nuk është tema e këtij shkrimi. Temë e këtij shkrimi nuk është as Siria që shumë kë e la pa tekst, shumë kush gabimisht kuptoi dhe interpretoi  “problemin Siri”,  gabimisht informohej lexuesi shqiptar e shumë herë gabimisht ishte folur për te mbase edhe nëpër xhamitë tona. Këtu do të flasim për Turqinë, më saktësisht për problemin më serioz të saj prej sa Taip Erdogan erdhi në pushtet. Turqia është para një sfide të madhe, sepse, kësaj radhe kemi të bëjmë me luftën e llojit. Ajo është më e rrezikshmja.
***
Është paradoksale përplasja e këtyre ditëve mes Erdoganit dhe “hizmetit”, lëvizjes Fetullah Gylen e cila është e përhapur pothuajse nëpër të gjitha rrugët e të gjitha qyteteve të Turqisë dhe gati gjithkund nëpër botë.  Paradoksale është sepse këto plasaritje po ndodh në këtë kohë dhe mund të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme në të cilat “hizmeti” mund të mbështesë partinë sekulariste turke (CHP) të cilën dikur e udhëhiqte Ismet Inonu.
Ku është problemi dhe si filloi ai?
Në Turqi, sikur askund tjetër në botë, “ders’hanet” apo shkollat private përgatitore për regjistrime në shkolla të mesme dhe fakultete janë shumë të përhapura. Përfitimet nga ato shkolla janë me miliarda dollarë. Kjo shumë kaq e madhe të hollash do të kishte shqetësuar edhe qeveritë më të qëndrueshme të vendeve më të zhvilluara të botës. Një numër i madh i këtyre shkollave janë pronë ose e institucioneve që menaxhohen nga “hizmeti” ose janë të njerëzve të cilët mbështesin financiarisht atë. Ajo që për qeverinë turke duket të jetë e papranueshme është forcimi i vazhdueshëm i lëvizjes “Gylen”, sidomos nëpërmes sistemit arsimor gati paralel me shkollat shtetërore. Fryma e përhapur nëpër ato shkolla nesër mund të jetë e rrezikshme për themelet e shtetit turk; nëpërmes “ders’haneve”, filozofia shtetërore e Ataturkut është zbehur ndërsa shkamit të laicizmit i janë lëkundur këmbët.
Ders’hanet nuk janë problemi i vetëm mes Erdoganit dhe “hizmetit”. Problemi është më i thellë se kaq dhe më i gjerë sa që duket. Në fakt, një numër i konsiderueshëm i deputetëve, mbase edhe i ministrave të qeverisë së Erdoganit kanë qenë studentë të ders’have të Gylenit ose kanë banuar nëpër konviktet të cilat menaxhohen dhe financohen nga njerëzit e tij. Ata po kundërshtojnë mbylljen e atyre shkollave. Dorëheqja e Hakan Shukurit, dikur lojtar i Gallatasarajit dhe i ekipit kombëtar turk nga partia e kryeministrit turk është vetëm një nga shumë raste të ndjeshme që sinjalizojnë lëkundjet serioze në politikën e brendshme të Turqisë. Kohëve të fundit janë zbuluar raste korruptive miliona dollarësh në të cilat janë të involvuar familjarë të ministrave me peshë në qeverinë turke. Po flitet se katër ministra të rëndësishëm kanë dhënë dorëheqje ose janë në largim e sipër.  Meseleja e shkollave private, sipas të gjitha gjasave nuk do të kalojë pa pasoja.
Përderisa njerëzit e lëvizjes së Gylenit po ushtrojnë presion mbi qeverinë e Erdoganit, kjo e fundit po përdorë mjete për të diskredituar gylenistët. Shtypi turk vazhdimisht përmend dosje të turbullta, nga të dyja palët. Qeveria turke thotë se po kërcënohet disa herë me kinse dosje të cilat po u publikuan, Erdogani do të humb zgjedhjet. Erdoganistët thonë se “hizmeti” nuk ka më shumë se 3% të votave, ndërsa sipas burimeve të gazetës Zaman, organ i gylenistëve, “hizmeti” ka peshë të madhe në Turqi. Për momentin secila palë po tregon muskuj. Njerëzit e qeverisë së Erdoganit thonë se “hizmeti” është ai që ka shantazhuar me incizime. Zërat se ka incizime për keqpërdorime të mëdha por edhe video skandaloze amorale, prokurorinë e shtetit e quan në këmbë. U burgosën djem të ministrave, kundër disa zyrtarëve të lartë u ngritën padi ndërsa shumë të tjera janë në proces e sipër. Si reaksion i parë i Erdoganit u shkarkuan mbi 50 komandantë policorë të qyteteve kryesore, ndërsa prefekti i Stambollit u zëvendësua me njeriun shumë të afërt me Erdoganin.
Gjeneza e mosmarrëveshjeve mes dy palëve është emërimi i Hakan Fidanit për shef të shërbimit sekret të Turqisë (MIT). Fidani u emërua për kryespijun pas përhapjes së disa informacioneve se shërbimi sekret i deriatëhershëm kishte bashkëpunuar me Mosadin e Izraelit dhe si pasojë kishte ndodhur masakra e anijes Marmara. Për të treguar forcën por edhe për të përfituar zemrat e thyera të arabëve, Erdogani dërgoi anijen për të thyer embargon izraelite ndaj Rripit të Gazës. Në atë botë, Fetullah Gylen pati deklaruar se dërgimi i asaj anije ishte gabim strategjik i Erdoganit. Askush deri më tani nuk e di saktësisht se përse “hizmeti” nuk dëshiron të prishë marrëdhëniet me Izraelin. Vendimi i parevokueshëm i Erdoganit për emërimin e Fidanit në krye të shërbimit sekret të Turqisë, nga gylenistët u kundërshtua edhe për disa arsye tjera, që sipas këtyre të fundit ai kishte një të kaluar jo të mirë fetare. Thuhej se Fidani luajti rol vendimtar në bisedimet me separatistët kurd e që ky akt u shpall si tradhti kombëtare. Në fakt, as politikat e ministrit të jashtëm turk nuk pëlqehen nga gylenistët. Deklaratat e tij ndaj ndryshimit të historisë së disa vendeve të Ballkanit, nga “hizmeti” nuk u pritën mirë. “Hizmeti” nuk dëshiron ti prishen “figurat e shahut” të cilat i ka renditur në mbi 140 shtete të botës, posaçërisht në trojet shqiptare. Ata i kemi prezent me shkolla shumë të shtrenjta në të cilat nuk mund të shkollohen shumica e bijve tanë, fëmijët e prindërve shqiptarë që janë të dërmuar nga gjendja e rëndë ekonomike. Nëpër shkollat e “hizmetit” në Kosovë dhe Shqipëri më tepër mësojnë një numër jo i vogël i fëmijëve të politikanëve të cilët më vonë, po ashtu nga “hizmeti” ndihmohen për të vazhduar shkollimin në Turqi dhe vende tjera perëndimore.
Sido që të jetë, guximi i gylenistëve për të kundërshtuar Erdoganin deri në këtë masë, tregon forcë. Sa do që Fetullah Gyleni nga Ohajo e Amerikës po thërret në uljen e shpatave, përkrahësit e tij, kësaj radhe dëshirojnë ti masin forcat me Taip Erdoganin, njeriun për të cilin flitet si të ishte pasardhësi i sulltanatit osman në botën moderne.
 
(Ky shkrim është botuar në të përditshmen ZËRI me datë 21. 12. 2013)

Exit mobile version