Categories
Lajme FRI

U botua libri “Shtrati i lules – përmbledhje aforizmash” i autorit Iljasa Salihu

Falënderoj Zotin që ma mundësoi ta botoj librin e radhës, “Shtrati i lules” – përmbledhje aforizmash, – shprehet vetë autori. Mes tjerash ai kështu shkruan: “Shkrimtari kërkon rubrika e rubrika për t’i paraqitur kështu mendimet e veta në letër. Sërish ballafaqohet me dukurinë e pamjaftueshmërisë. Mendon se duhet davaritur edhe më tej mendimet, duke i ndryshuar kështu mënyrat e paraqitjes dhe jo thelbin e atyre mendimeve. Mund të shkruash një libër shkencor, por sheh se nuk ndihesh i plotësuar me këtë libër. Del në fushën e artit, fushë kjo që i përket vetëm të dhuntuarve. E shkruan një libër me përmbajtje artistike, edhe pse profesionalisht mund t’i përkasësh ndonjë fushe tjetër. Pas pak sheh se kjo tematikë është mirë të rrihet edhe nga këndvështrimi shkencor. Kësisoj, koha të kalon duke u munduar në mënyra dhe forma të ndryshme t’i paraqesësh mendimet për dukuri të ndryshme përpara lexuesve”.
“Tani në librin e radhës, unë e kam zgjedhur një mënyrë tjetër të paraqitjes sime përpara lexuesve. Kësaj radhe do të “kacafytem” me njeriun, shoqërinë dhe shtetin përmes aforizmave. Ka kohë që shkruaj shkrime të gjata duke mëtuar se lexuesi shkrimin tim do ta ngërthejë në tri apo katër vargje. Tani në këtë libër, lexuesi do të lexojë tri apo katër vargje, por do të ngërthejë për secilën aforizëm nga një shkrim të gjatë. Këto aforizma janë të përmbledhura dhe të përzgjedhura. Aforizma e parë ka lindur në vitin 2007 dhe ajo e fundit në vitin 2014. Ato vetëm se kanë lindur, tani pritet të ushqehen dhe të rriten prej lexuesve. Me këtë rast, lexuesi do ta fitojë një bashkëpunëtor të mirë në çështje të ndryshme në jetë”!
“Falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në botimin e këtij libri. Ardian Ramadanin që është recensent, Arsim Jonuzin që është redaktor gjuhësor dhe Jusuf Salihun që është përkujdesur teknikisht për këtë libër. Me theks të veçenat falënderoj Gafurr Kamberin dhe Bunjamin Salihun që e morën përsipër financimin e këtij libri, shkruan z. Salihu”.
A.R
 

Exit mobile version