Në kuadër të aktiviteteve të muajit të bekuar të Ramazanit, Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi ligjëratën fetare për gra dhe vajza me temë “Mesi i Ramazanit: Koha e Faljes dhe Pendimit”.
Ligjërata u mbajt nga teologia Esma Sherifi Kurti, e cila foli për rëndësinë shpirtërore të mesit të muajit të Ramazanit, duke theksuar se kjo periudhë është një mundësi e veçantë për reflektim, përmirësim të vetes dhe kthim të sinqertë tek Zoti përmes faljes dhe pendimit.
Aktiviteti u zhvillua pas mukabeles së përditshme që mbahet në ambientet e Forumit Rinor Islam në Shkup, ku pjesëmarrëset patën mundësi të dëgjojnë këshilla dhe mesazhe motivuese për shfrytëzimin sa më të mirë të ditëve të mbetura të këtij muaji të bekuar.
Mukabelja organizohet çdo ditë nga ora 11:00 nën udhëheqjen e hafizes Mervenur Ramadani dhe është e hapur për të gjitha gratë dhe vajzat, ndërsa çdo të shtunë pas mukabeles realizohen edhe ligjërata fetare me tema të ndryshme edukative dhe shpirtërore.
Shkup, 7 mars 2026
