Me 31 Janar 2013, Qendra Kulturore Islame Shqiptare e Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut, e realizoi me sukses aksionin bamirës për dhurimin e gjakut, i cili aksion u realizua në muajin e lindjes së Muhamedit s.a.v.s., me moton “E dua Pejgamberin, e dua njeriun”. Interesimi ishte shumë i madh nga ana e anëtarëve të kësaj qendre, e poashtu, këtij aksioni iu bashkangjitën edhe vullnetarë nga qendrat tjera islame të kantonit të Cyrihut.
Këtë aksion e përshëndetën edhe zyrtarët e Shoqatës së Dhurimit të Gjakut në Cyrih-Blutspende Zürich, të cilët shprehën konsideratë të lartë ndaj këtij aksioni të komunitetit musliman shqiptar në Cyrih. Ata nënvizuan se në Kantonin e Cyrihut është rasti i parë që një qendrë islame në mënyrë të organizuar ka masovikisht e realizon një aksion të këtillë humanitar. Aksioni u realizua në ambientet e Qendrës Kulturore Islame Shqiptare të Wetzikonit.
Aksioni në fjalë u mbulua edhe nga mediat zvicerane, të cilat u interesuan për motivin e lidhjes së këtij aksioni me muajin e lindjes së Pejgamberit a.s. Imami i kësaj qendre Bashkim Aliu, deklaroi për televizionin Zürich Plus se frymëzimi për të bërë mirë dhe për të qenë human, nga vin ne muslimanëve nga fjalët e Allahut dhe fjalët e Pejgamberit, për këtë, vendosëm që këtë aksion ta realizojmë në këtë muaj. Poashtu, ai deklaroi se me këtë aksion, komuniteti ynë don të dëshmojë se është për t’u integruar pozitivisht përmes aksioneve të dobishme, dhe se besimi ynë na mëson të jemi human, solidar dhe bamirës ndaj tjerëve, e jo të jemi destruktiv dhe të dëmshëm për shoqërinë.