Në kuadër të programit me bursistët, janë realizuar dy takimet e fundit për këtë vit akademik, në qytetet e Shkupit dhe Tetovës.
Në Shkup, ligjërues ishte Mr. Xhabir Emini me temën: “Islami, nevojë e civilizimit modern”.
Në fjalën e tij, z. Emini theksoi rëndësinë e parimeve islame në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, humane dhe të zhvilluar. Ai u ndal në aspektin universal të vlerave islame dhe ndikimin që ato mund të kenë në zgjidhjen e krizave morale dhe sociale që përballon shoqëria moderne.
Ndërkohë, në Tetovë, takimi u zhvillua me ligjëruesin Mevlan Abazi, i cili trajtoi temën:
“Ndikimi i sinqeritetit në formimin e personalitetit të njeriut”.
Z. Abazi shtjelloi rolin qenësor që ka sinqeriteti në ndërtimin e një karakteri të fortë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm, duke nënvizuar se pa këtë cilësi, asnjë sukses nuk ka qëndrueshmëri afatgjatë.
Të dy takimet u karakterizuan nga një atmosferë reflektimi të thellë, bashkëbisedimi të hapur dhe përkushtimi për përvetësimin e vlerave që ndikojnë drejtpërdrejt në personalitetin e të rinjve.
24 maj 2025