Në qendrën e FRI-së në Shkup u realizua trajnimi “Orientimi Profesional”, dedikuar nxënësve të vitit të katërt të shkollave të mesme. Ky aktivitet, i udhëhequr nga psikologia Edlira Destani, kishte për qëllim t’i ndihmojë maturantët në procesin e njohjes së vetes dhe të zgjedhjes së drejtimit të duhur për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.
Gjatë ligjëratës dhe bashkëbisedimit me të rinjtë, psikologia theksoi rëndësinë e vetënjohjes si gur themeli për suksesin. Sipas saj, “vetëm kur e njohim veten — aftësitë, interesat dhe vlerat tona — mund të bëjmë zgjedhje të qëndrueshme dhe të suksesshme në jetë”. Ajo po ashtu vuri në dukje rëndësinë e vendimmarrjes së ndërgjegjshme, duke inkurajuar nxënësit që të mos ndjekin thjesht rrjedhën apo presionin shoqëror, por të analizojnë me kujdes çdo hap që ndërmarrin.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësve iu shpërndanë mesazhe motivuese dhe test vetëvlerësimi, i cili kishte për qëllim t’i ndihmojë të reflektojnë mbi pikat e tyre të forta dhe fushat ku mund të punojnë më shumë në zhvillimin personal dhe profesional.
24 maj 2025, Shkup