Në një atmosferë shpirtërore dhe përmbajtje të pasur, në ambientet e Teatrit Shqiptar, u realizua tribuna e organizuar nga Forumi Rinor Islam në prag të muajit të bekuar të Ramazanit.

Programi filloi me lexim të Kuranit nga hfz. Xhemail Nuhiju, drejtor i Institutit të Hifzit “Ismail Efendiu”, i cili me zërin e tij tërheqës solli një emocion të veçantë në sallë. Më pas, fjalën e mori kryetari i FRI-së, AbdulHamid Mustafa, i cili theksoi rëndësinë e këtij muaji, duke inkurajuar të gjithë të reflektojnë mbi këtë bekim të madh dhe fuqinë që sjell besimi gjatë Ramazanit.

Monologu i interpretuar nga Zurijet Sulejmani, me titullin “I premtova Allahut”, emocionoi të pranishmit duke përcjellë mesazhe të fuqishme përkushtimi dhe vetëdijesimi. Pas tij, fjala iu dha hoxhës Ardian Sejdiu, i cili foli për rëndësinë e shfrytëzimit të këtij muaji si një mundësi për ndryshim dhe pastrim shpirtëror, duke theksuar që Ramazani nuk është vetëm një muaj agjërimi, por edhe një shkollë e durimit, e reflektimit dhe e lidhjes më të fortë me Allahun.

Në vazhdim, hoxhë Hasan Baftijari mbajti një ligjëratë të veçantë, duke folur për rëndësinë e durimit, reflektimit dhe vlerave që duhet të përfitojmë nga ky muaj i shenjtë, duke i nxitur të gjithë të mendojnë se çfarë duhet të ndryshojnë tek vetja dhe si të përfitojnë shpirtërisht nga Ramazani.

Në fund të programit, atmosfera u mbush me ndjenja shpirtërore përmes ilahisë së kënduar nga hfz. Xhemail Nuhiju, ndërsa tribuna u përmbyll me salavate.
Të pranishmëve në dalje iu shpërndanë hurma.

Shkup, 27 Shkurt 2025