Categories
Opinione

Udhëtimi nëpër veriun e Kosovës për Novi Pazar

Ditë më parë, saktësisht me datë 12 dhjetor 2013, pas plot 14 vitesh bëra një udhëtim nëpërmjet veriut të Kosovës drejt Novi Pazarit në Sanxhak.
U nisëm herët në mëngjes, në ora 7.00 së bashku me shoferin e veturës që e bënte këtë punë, sa herë që kishte udhëtar për Novi Pazar, me të cilin e siguronte kafshatën e gojës në këtë kohë të vështirë për të mbajtur veten dhe familjen e tij. Nga Prizreni, nëpërmjet autostradës, duke kaluar nëpër Drenas e Skenderaj arritëm në Mitrovicë, së pari para se të kalojmë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicë, pata dëshirë të shohë xhaminë e rindërtuar nga komuna e Bajram Pashës së Stambollit në vend të ish xhamisë së Zallit, të ashtuquajtur në popull, në qendër të Mitrovicës te ish tregu i dikurshëm. Me  të vërtet, tani xhamia e re është një bukuroshe e vërtet, që shndrit me  tërë bukurinë e saj qendrën e Mitrovicës. Meqë ura kryesore në  Mitrovicë  ka kohë që është e bllokuar, kaluam nëpër urën që kalon nëpër mahallën e boshnjakëve, si dhe kaluam pran Fakultetit Teknologjik, në të cilin kam studiuar. Emocionalisht jam i lidhur me Mitrovicën pasi që kam jetuar plot 5 vite të plota, e cila karakterizohej përveç tjerash  me njerëz shumë të mirë dhe të ngritur intelektualisht në një nivel të lartë dhe  largpamës, nuk mund e të mos e përmend mentorin tim të jetës studentore, z. Rizah Gashi, apo Riza abej siç e thërrisnim, shpirti rahmet i pastë,  me të cilën kam kaluar çaste të bukura dhe kam marrë  mësime të paharruara të cilat përherë  kanë mbetur në kujtimet e mia. Nuk pata kohë të takoj Agronin dhe të vizitojë shtëpinë e tij në të cilin kam banuar plot tre vite gjatë studimeve, pasi që në ora 10.00 e kam pas të caktuar takimin në Novi Pazar. Sa i përket konviktit në Mitrovicë, në të cilin kam banuar 2 vite, nuk mund të mos e përmend disa detaje karakteristike për te nga koha e studimeve,  ai ka qenë i rrethuar në anën e majtë me burgun e Mitrovicës, në anën e djathtë me Gjykatën Komunale dhe të Qarkut të Mitrovicës dhe vetëm 50 metra përpara e kishte policinë, të cilët edhe tani gjenden aty ku kanë qenë. Në vitet e tetëdhjeta në atë kohë që ishte periudha e jehonës së demostratave studentore dhe klasës punëtore, mjaftonte që në një trekëndësh prej 100 metrash, të zihesh nga policia, të dënohesh nga Gjykata dhe të përfundosh në burgun pran konviktit. Më tutje kaluam pranë varrezave myslimane  në dalje të Mitrovicës, në anën e majtë, ku ia këndova nga një Elham për shpirt profesorit tim të nderuar  në Fakultetin Teknologjik, prof.dr. Fatmir Agolli, si dhe mentorit tim gjatë jetës studentore Rizah Gashit. Pastaj kaluam nëpër qendër të Zveçanit,  për të vazhduar nëpër grykën e Ibrit drejt kufirit në vendkalimin Jarinje. Rruga që e përshkruam matanë Ibrit deri në kufi është rreth 50 km. Gjatë rrugës  vura re, se me të vërtet mbretëronte një gjendje mjeruese, me vetura që qarkullonin pa tabela apo me tabela të Serbisë, nuk pash as njërën me tabela të Kosovës. Nëpër shtylla  valonin flamujt e Serbisë, panot me thirrje kundër votimit për zgjidhje lokale, apo pro zgjidhjeve lokale të iniciativës Sërpska. Procedura e identifikimit dhe kontrollit të letërnjoftimeve zgjati shumë pak kohë, pasi që me marrëveshjen IBM të Brukselit, tani të dy kontrollat kufitare janë përafruar në një distancë pothuajse 2 metra, por me një procedurë të veçantë në kontrollin kufitar serb, të cilit lëshonin një dokument përcjellës i cili si i tillë ishte i vetmi me vlerë gjatë kohës së qëndrimit në Serbi, me afat skadimi 15 ditësh. Pas kalimit të kufirit gjëja e parë që vura re në Serbi ishte gërmimi me eskavator në Rudnicë të Rashkës,  ngjit me rrugën magjistrale që kaluam,  në të cilin tani veç janë gjetur mbetjet mortore  në varrezën masive, në të cilin dyshohet  në më se 250 shqiptarët e vrarë gjatë kohës së luftës dhe bombardimeve të NATO-së në ish Jugosllavi në vitin 1999, të cilët janë varrosur në këtë varrezë masive.
Në ora 10.00 ishim  para Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit, ku e takova rektorin e Universitetit prof. Dr. Mevlud Dudiçin, një shok dhe mik i im në veçanti dhe i shqiptarëve në përgjithësi,  plot 30 vite  është gjithherë në shoqëri me shqiptarët dhe e kishte mësuar edhe shqipen mirë, që edhe tani e flet dhe e kupton rrjedhshëm. Përshëndetja kaloi në mënyrë si më të mirë sikurse takohen shokët dhe miqtë më të ngushtë. Së pari u vendosa në zyrën e tij, ku, duke pirë kafe,  tregoi një histori të shkurtër të Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit, rektori i të cilit ishte edhe në mandatin e dytë, dhe i cili si i tillë ishte në përfundim e sipër.   Universiteti u themelua në vitin 2002, pasi që gjer atëherë në Pazar të Ri nuk kishte as një institucion i lartë arsimor në të cilin studentët do të mund të studionin. Në kuadër të këtij janë 6 fakultete: ekonomik, juridik, filologjik, pedagogjik, teknologjisë informative dhe të artit, me drejtime të ndryshme sipas fakulteteve në të cilin për momentin studionin rreth 3000 studentë, shkollimi ishte sipas sistemit të Bolonjës me kohëzgjatje të studimeve 4+1,  pas 4 vitesh të kryera, studenti e merr diplomën e fakultetit , dhe vazhdon vetëm edhe 1 vit për master, pas së cilës  mund të vazhdojë studimet postdiplomike të doktoraturës për 3 vite tjera. Edhe pse e kishte lejen përkatëse për zhvillimin e procesit të lartë arsimor në të  tri nivelet  për studime, kanë kaluar plot 10 vite, qeveria e Serbisë, gjegjësisht ministria e arsimit akoma nuk e ka akredituar, duke i bërë shantazhe dhe pengesa teknike, e kryekëput ato ishin politike,  që të heqin dorë nga Universiteti Ndërkombëtar i Novi Pazarit. Serbia ka hap edhe Universitetin Shtetëror Publik të Novi Pazarit në vitin 2006, pothuajse me të njëjtit fakultete dhe drejtime, dhe atë pa pagesë, me të vetmin qëllim që të pamundësojnë këtë institucion të lartë arsimore privat, që vetvetiu të shuhet në mungesë të studentëve, edhe pse është jopublik çmohej si një ndër universitete më të mira jopublike në Serbi dhe më i liri në Serbi, me pagesë 1000 euro për një vit për një student. Nga 3000 studentë që ndjekin mësimin universitar,  pak më tepër se gjysma janë të nacionalitetit serb, dhe diku mbi gjysma e personelit arsimor shkencor janë të nacionalitetit serb, që do të thotë se ky Universitet nuk është vetëm  boshnjak, por i përbashkët dhe multinacional. Por, Universiteti kishte shkuar aq larg me punë dhe kuadro të reja, sa që me një rast në një tubim kishte deklaruar “babai” i kombit serb Dobrica Qosiçi, se kthim mbrapa nuk ka:
“si në Kosovë kur lejuam hapjen e Universitetit të Prishtinës, edhe pse Rankoviçi i mblodhi pushkët, ne i dhamë topin, ashtu që edhe në Sanxhak tani duhet të pajtohemi me këtë”. Pas kësaj rektori Dudiçi prezantoi hapësirat e Universitetit, i cili ishte i pajisur me të gjitha kapacitetet e saj të nevojshme, ashtu që sipas Dudiçit edhe pse për një studentë është  paraparë 2.5 m2,  një student posedon 5 m2 katror hapësirë të nevojshme studimi. Pas kësaj në bashkëbisedim me të më njoftoi edhe rreth punës së Bashkësisë Islame të Sanxhakut, e cila edhe pse ishte themeluar në vitin 1993, pas ndarjes së saj nga Bashkësia Islame e Kosovës, tani ka arritë suksese jashtëzakonisht të mëdha dhe si e tillë e ka kaluar jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës e Maqedonisë, por edhe të Bosnjës e Hercegovinës, pasi që ka startuar nga zeroja, duke arritë tani, të ketë prej çerdheve të fëmijëve  në të cilin  mësojnë dhe edukohen mbi 1000 fëmijë në Pazar të Ri, me Medresenë e Gazi Isa beut  me  paralele të ndara për meshkuj dhe femra, me konvikte për meshkuj dhe vajza, si dhe me paralele të ndarë të femrave në Rozhajë, me Fakultetin e Studimeve Islame në qendër të Pazarit,  me shtëpinë botuese”Kelimeh” në të cilin botohen me qindra botime të reja në vit, dhe se vetëm një fakt që e ceku Dudiçi, ishte e mjaftueshme dhe flet çdo gjë, gjersa në vitin 1993 në Sanxhak ishin vetëm 3 teolog islam të diplomuar, tani janë më se 60 teolog të diplomuar, edhe me tituj doktor shkencash teologjike. Por do të cek një porosi të  Dudiçit, për aktualitetin e tanishëm politik:” Serbia është gjithherë e paparashikueshme, dinake,  që nuk bën t’i besohet kurrë dhe është në gjendje të ndërmarr veprime të papara për të cilët neve duhet të jemi syçelë dhe të përgatitur gjithherë, atëherë kur më së paku mund të presim. Për dallim nga ju, shqiptarët, në Kosovë, ne me numër jemi dhjetëfish më pak,  200.000 boshnjak, për dallim nga ju që jeni dy milion shqiptar në Kosovë, po të ishim ne dy milion boshnjak në Sanxhak, një Zot e di se ku do të arrinim. Përveç kësaj, mbi ne, përveç barrës që kemi mbi supe, për të organizuar dhe mirëmbajtur aspektin fetar dhe shpirtëror mysliman, ne kemi edhe një barrë tjetër, atë të ngritjes së aspektit nacional dhe politik kombëtar boshnjak, pasi që liderët  politik boshnjak (Ljajiq e Uglanin) nuk janë në shërbim të popullit boshnjak, të cilin do të duhej të përfaqësonin në qeverinë e Serbisë, por ata  janë në shërbim të Beogradit për të qeverisur Sanxhakun. Qeveria e Serbisë, edhe në aspektin organizativ të Bashkësisë Islame ka themeluar dhe përkrahur Bashkësinë Islame paralele me reisin e vetëshpallur Adem Zilkiçin, i cili nuk ka kurrfarë legjimiteti fetar, pasi që mbi 90% të popullit boshnjak e përkrah myftinë e Sanxhakut dhe kryetarin e Meshihatit së Bashkësisë Islame në Serbi  Muamer ef. Zukorliçin”.
Në kërkesën time për të  aranzhuar një takim me myftinë e Sanxhakut Muamer ef. Zukorliçin, rektori Dudiç pa një pa dy, e mori telefonin dhe e thirri myftinë, ku mori konfirmim se edhe pse ishte i zanur,  do të ndaj nga koha e tij e çmuar një gjysëm ore për të na takuar. Hipëm në veturë nga Universiteti Ndërkombëtar i cili gjendej në periferi të qytetit dhe shkuam në takim me myftinë në qendër të Novi Pazarit. Na priti ngrohtësisht dhe përzemërsisht si e ka zakon, duke pirë çaj biseduam gjërë e gjatë për plot gjysmë ore, për të cilin takim do të shkruaj në një rast tjetër, për këtë figurë karizmatike dhe emblematike të boshnjakëve të Sanxhakut, të një lideri fetar e politik që me të vërtet Krijuesi Fuqiplotë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur e ka krijuar dhe ju ka dërguar si dhuratë, që të jetë prijës i popullit të përvuajtur boshnjak plot një shekull në Sanxhak. Përveç tjerash pata rastin të takojë edhe prof. dr. Harun Haxhiçin, si dhe  dekanin e Fakultetit të Studimeve Islame, dr.Almir Pramenkoviç  dhe drejtorin e Medresesë së Gazi Isa Beut në Pazar, Reshat Plojoviq.
Në ora 15.00 u ndamë nga rektori Mevlud Dudiçi, duke na dëshiruar udhë të mbarë dhe selam të gjithë miqëve, shokëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Në kthim në kontrollin kufitar të Kosovës, hasa në një befasi të këndshme, pas kontrollit të letërnjoftimeve, polici në kontrollin kufitar kosovar, na përshëndeti dhe na dëshiroi udhë të mbarë, i gëzuar ndoshta pa masë edhe ai, pasi që edhe shqiptarët kanë nis dalëngadalë të udhëtojnë dhe të lëvizin nëpër veriun e Kosovës drejt Sanxhakut e më tutje . Shoferi i veturës më tregoi se ai ishte nga  Vushtrria, dhe se përveç tij shpesh rastis gjatë vendkalimit kufitar edhe në një shqiptar tjetër polic.
Ndoshta simbolike, por kjo më gëzoi edhe mua, pasi që ishte i vetmi simbol i prezencës së shtetit të Republikës së Kosovës në veriun e Kosovës.
 

Exit mobile version