“Dëmtimi i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për krizën në Ukrainë do të reflektojë në Lindjen e Mesme, veçanërisht në konfliktin 3-vjeçar në Siri”. 
Analistët janë të mendimit se, kjo mund t’i lejojë presidentit sirian, Bashar al-Assad, të shtypë opozitën për të siguruar rizgjedhjen si president, në zgjedhjet e planifikuara në muajin Korrik.
Ndikim do të ketë jo vetëm në konfliktin në Siri, por edhe në negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor, si dhe në bisedimet izraelito-palestineze.
Profesori Keit Darden, i Universitetit Amerikan, thotë se “këto dy çështje janë më lart se Siria në axhendën e politikës së Jashtme të administratës amerikane”.
“Mendoj se përçarja diplomatike, që po shohim tani – thotë ai, – nëse vazhdon do të ketë pasoja në pothuajse çdo sferë të politikës ndërkombëtare”.
Ish-ambasadori amerikan në Irak, James Jeffrey, thotë: “Ne duhet ta vëzhgojmë situatën në Siri, e cila është e vështirë, jo nga konteksti i marrëdhënieve me Rusinë, por në lidhje me pozitën tonë në Lindjen e Mesme. Ne duhet të jemi shumë më aktivë – thotë Jeffrey, – të lëvizim më shpejt”.
Moska e furnizon me armë Damaskun dhe mbështet luftën e tyre kundër rebelëve të armatosur.
Megjithatë, me vëmendjen e botës drejt Ukrainës, disa vëzhgues thonë se Siria mund të mos jetë më përparësi për Rusinë.
Ish-ambasadori amerikan në Bahrein, Adam Ereli, mendon se “rusët do t’i kushtojnë shumë më pak vëmendje dhe do të kenë më pak dëshirë të shpenzojnë kohë dhe kapital politik për të mbështetur presidentin Assad”.
Herën e fundit, që presidenti Assad kandidoi për rizgjedhje në postin e presidentit, ishte në vitin 2007 dhe asokohe ai fitoi më shumë se 97% të votave. Sipas analistëve, një rezultat i ngjashëm mund të pritet edhe kësaj here për Bashar al-Assad-in, që do të rikandidojë për mandatin e tretë. / Top Channel