Rusia ka në plan të ndërhyjë brenda 48 orëve ushtarakisht në Ukrainë, nëse vazhdon aksioni ukrainas kundër separatistëve pro-rusë, raportojnë mediat e ruse. Në anën tjetër, kryeministri polak sot ka thënë se “në Ukrainë ka filluar lufta, pa paralajmërim” dhe se bashkësia ndërkombëtar po humb shpresat për iniciativa diplomatike.
“Meqë nuk ka hapësirë për aktivitete politike, duhet mobilizimi i BE-së, SHBA-ve dhe Kanadasë që të sigurojmë mbi të gjitha bashkësinë tonë, që të ruajmë kufijtë tanë”, ka thënë ai.
Në të njëjtën kohë, presidenti polak, Bronisław Komorowski, ka akuzuar Rusinë për nxitje të kaosit dhe tendencave separatiste në Lindje të Ukrainës.
Vasil Krutov, shef i Qendrës Antiterroriste të Ukrainës, për aksionin e sotëm në Lindje të vendit ka thënë: “Kjo me çka ballafaqohemi në viset lindore të shtetit nuk është kryengritje afatshkurtër, kjo është luftë”.
Autoritetet ukrainase kanë vazhduar veprimtaritë antiterroriste kundër separatistëve në zonën e Krematorskit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Arsen Avakov. Ai ka konfirmuar se forcat shtetërore kanë pushtuar kullën televizive në këtë qytet.
“Nuk do të ndalemi”, ka shkruar ai në Twitter, transmeton Telegrafi.
Separatistët pro-rusë, përmes mediave të tyre në Rusi kanë thënë se nën kontroll kanë vetëm sheshin kryesor të qytetit dhe se gjatë sulmeve janë vrarë dhjetë persona. Rusët akuzojnë Perëndimin për atë që ndodh në Ukrainë, përfshirë viktimat e djeshme në Odessa.
“Kievi dhe sponsorët perëndimorë nxisin gjakderdhje”, ka thënë zëdhënësi i Vladimir Putinit.
Categories