A më njihni?
Unë jam mendjemadh.
Unë kam mendjen më të madhe se kokën.
Sa herë që dal të ec e dridh e e shtrydh tokën.
Mua më bindet e gjitha bota për mençurinë që e kam,
Çdoherë ma lëshon vendin mençuria kur unë aty jam.
Unë jam i madh në mendje e me trup,
Asnjëherë s’jam vetë – i pari në grup!
Unë jam më i dituri ndër shokë,
Kur marr fjalën unë, ata ulin kokë.
Kur ua jap fjalën, para meje s’flasin,
Kur u jap mend, nga gëzimi piskasin.
Kur u jap dije, më thonë se më ka hije.
Mendimi im gjithmonë ka më shumë shije!
Apo jo?
Unë jam shumë i lartë, kam kaluar çdo shkallë,
Edhe kur do të kem vdekur, do të jem i gjallë.
Edhe kur s’jam i pranishëm, unë jam aty,
Dhoma në këmbë ngrihet kur unë në të hyj.
Po!
Unë jam i shkathtë dhe fare shumë i aftë,
Kush nuk më pranon, jeta keq i vaftë!
Kush s’më do mua, s’e do as të vërtetën,
Kush ma do vdekjen, unë ia nxi jetën.
Unë jam i pasur, e ti je i sosur,
Unë pa asnjë plagë, ti i sakatosur.
Unë pa asnjë njollë, si e pastër mollë.
Nuk kam kryer shkollë – për mua shumë e hollë.
Unë jam aq i gjerë, sa nuk më zë as dera,
Më thanë sa kam vlera, e unë vetë jam vlera.
Unë jam virtyti, veset s’kanë vend te unë,
Po ndenjën më shumë, i largoj me dhunë.
Ëhëm. Ëhëm.
Ky është monolog, po ti quaje polilog!
Si të duash thuaji, në fund vëri –log.
Në daç këndoje, e në daç recitoje,
Se unë jam autori, më në fund shënoje.
Unë jam ai i madhi, që fola më lart,
Që mendje e kokë i kam shumë të artë.
Por…
Кy ar ty aspak s’të duhet,
Mos më përcill mua, se mendja të shuhet.
Mos m’i dëgjo fjalët, unë s’jam nga të rrallët.
Mos ma ndiq këtë stilin, se ngjaj me katilin.
Shuplakoj hakun e përqafoj batilin.
Ti ndiqe të vërtetën e mos u bën mendjemadh,
Vendi ku ka shumë bar emrin e ka livadh!
Bari është ushqim, po nuk është për ne,
Jo çdo ngjyrë e gjelbër duhet të jetë mbi dhe!
Gjithashtu…
Merre si parim që të jesh i përulur,
Nëse dikush të shan, gojën mbaje tkurrur!
Kur të thuhet “mendjemadh”, një nga ju është sosh:
Nëse ai je ti, të vërtetën ta pranosh,
Nëse është ai, të pavërtetën ta durosh!
“Mendjemadh është ai që nuk e pranon të vërtetën ose që nënçmon njerëzit!” – Muhamedi [alejhi selam]
Arsim Jonuzi
më 3 korrik 2014