Ka kohë që Maqedonia përballet me çoroditje të shumta vlerash shoqërore dhe që sistemi i vlerave ka humbur sensin logjik të gjërave. Kjo gjendje, e cila nuk është kalimtare, sigurisht se nuk mund të jetë as vetëm rastësi, pasi sistemi i vlerave është shprishur nga maja e piramidës së një shoqërie, nga institucionet e arsimit të lartë. Thuajse të gjitha reformat e ndërmarra për universitete janë bërë, ose duke mos pasur bazën e nevojshme infrastrukturore ose për efekte populizmi, sikurse janë vendosja e sistemit të Bolonjës, shpërndarja e universiteteve cep më cep Maqedonisë apo edhe intervenimet e herëpashershme ligjore me qëllimi të shndërrimit të universiteteve në organe të kontrollueshme nga qeveria. Të gjitha këto, sikurse vërejnë profesorët, kanë degraduar në mënyrë të dukshme kualitetin e studimeve dhe peshën e diplomës universitare. Për pasojë, Maqedonia është kthyer në shtetin pa asnjë perspektivë deri edhe për studentët e ekselencës dhe kjo mund të kuptohet jo vetëm nga të dhënat e institucioneve relevante që konfirmojnë faktin e largimit të inteligjencës, por edhe nga mos siguria që kanë studentët për ardhmërinë e tyre.
Muhamet Abazi, është njëri prej studentëve të universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, i diplomuar me mesataren 10.00, por që sinqerisht nuk di se cila do të jetë perspektiva e tij. Nuk ka për momentin asnjë ofertë punësimi edhe pse të diplomosh me një mesatare aq të lartë në universitetin e Shkupit dhe për më tepër, të jesh shqiptar është një meritë e dyfishtë. Mirëpo, Maqedonia, sikurse pohon Abazi, nuk ofron perspektivë as për të dhe as për tjerët që mbarojnë studimet universitare.
“Nuk e di se cila do të jetë e ardhja ime profesionale. Mendoja pikërisht sot, është diploma e katërt që marr në duar ose më saktësisht një diplome dhe tre mirënjohje, mirëpo nuk jam gjendur ende përballë një perspektive për punësim”, shprehet Abazi. Dihet se si funksionojnë gjërat këtu tek ne – personat e kualifikuar rrinë në shtëpi ose bëjnë punë të tjera, ndërsa vendin e tyre e zënë persona të paaftë dhe që vijnë në pozita përmes partive dhe jo meritave. I diplomuar në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në drejtimin e përkthyesve me interpretim, Abazi thotë se do të pret shpalljen e ndonjë konkursi me shpresën se do të hasën në ndonjë ofertë serioze dhe që nuk do të jetë farsë si shumë konkurse të tjera.
Në bazë të një ankete që është realizuar për nevojat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, mbi 85 për qind e studentëve janë deklaruar se pas përfundimit të arsimit mendojnë të braktisin vendin, kurse 29 për qind tashmë janë deklaruar se jetojnë jashtë kufijve të Maqedonisë. Këtë të dhëna vetëm se kanë rritur shqetësimin për statistikat që ka publikuar EUROSTAT për Maqedoninë, e sipas të cilave, nga viti 1998 deri në vitin 2011 kanë emigruar 230 mijë persona apo 10 për qind e popullatës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë sistemuar në shoqëritë e shteteve ku ata punojnë, janë rikualifikuar dhe kanë vende të mira pune e, të cilat Maqedonia vështirë se do të mund t’jua afrojë edhe për 20 vitet e ardhshme. Sikurse kanë pohuar dhe vetë krerët e politikave të arsimit dhe të punësimit, ka një mospërputhje të madhe mes kërkesave të treguat dhe diplomave të universiteteve. Në emër të këtij segmenti prej para 10 viteve në universitete e Maqedonisë nisi të zbatohet sistemi i Bolonojës, por që sipas profesorëve Aziz Shehi dhe Sabaudin Zhuta, nuk ka kohën dhe vendin duhur.
“Bolonja është proces shumë i rëndësishëm, të cilin duhet ta përkrahin çdo universitet. Mirëpo, duhet të bëhet një dallim – Bolonja është për universitetet që kanë kushte dhe jo për universitete tona”, pohon prof.dr. Aziz Shehu. Në Maqedoni, plotëson më tej ai, nuk kemi universitet, i cili plotëson kushtet që kërkon Bolonja. “Nuk mundet që në kushtet kur ligjëratat mbahen para 100 studentëve, të kërkohet Bolonja, pasi me të kërkohet që për çdo 20 studentë të ketë një profesor dhe disa asistentë”.
Për reformën e disperzimit të universiteteve, Shehu veçon dimensionin social. Mirëpo, nuk mund të flet me admirim për dimensionin profesional. “Studimet duhet të kryen nëpër qendra, sepse është një dimension më i gjerë socializmi. Pra, nuk mund të studime të bazuara vetëm në fakultetin, por nevojitet të plotësohet edhe me vizitat në teatër, shprehinë e të lexuarit gazeta, pjesëmarrjen nëpër evenimente të ndryshme”, thotë ai. Këto vlerësime ndan edhe profesor Zhuta. “Disperzimi është vërtetë një mënyrë për të lehtësuar pjesëmarrjen e nxënësve të talentuar në arsimin larët., mirëpo nuk duhet të tolerohet që secili të regjistrohet në fakultet sepse kjo i humbën peshën diplomës universitare”, thotë ai. “Bolonja është një sistem i menduar mirë, mirëpo për mjedise, të cilat kanë kushte krejt tjera, ku punohet në grupe me 10-15 studentë dhe jo me grupe prej 100-155 studentë. Profesori nuk ka mundësi t’i njeh student dhe jo më të punojë me to”.
Zhuta veçon si çështje të dhimbshme intervenimet ligjore që ndodhën në kohën e ish-ministrit Nikolla Todorov. “Ishin intervenime, të cilat u bënë për shkaqe subjektive të ish-ministrit dhe jo për nevoja akademike. Edhe ky është një moment i cili i kontribuoi devalvimit të arsimit të lartë”, shprehet ai. Kontribuues tjerë të kësaj natyre thotë se janë edhe hapja e fakulteteve private, arsimi i mesëm i obligueshëm për të gjithë dhe sidomos – mos profilizim i shkollimi të atij niveli. Zhuta dhe Shehu, janë dy profesorët shqiptarë të Fakultetit Pedagogjik në Shkup, të cilët prej këtij viti kanë dalë në pension./koha/
Categories