Pyetje:”A lejohen urimet me rastin e afrimit të muajit të Ramazanit, pasi kemi dëgjuar individë të cilët e konsiderojnë bidat diçka të tillë? Pra, a i lejohet një myslimani ti urojë të tjerët për ardhjen e muajit të Ramazanit, apo kjo është bidat?”
Një grup myftilerësh
Përgjigje:”Me emrin e Zotit që është shumë i dashur dhe i dhembshur, paqja dhe salavatet për Profetin a.s.
Të urosh myslimanët për ardhjen e muajit të Ramazanit është e lejueshme, pasi hyn tek çështjet zakonore dhe lidhur me zakonet, në origjinë ato janë të pranueshme, përveçse kur ndalohen specifikisht.
Thotë shejh Muhamed Salih El-munexhid, nga dijetarët e Arabisë Saudite:”Nuk ka asgjë të keqe nëse myslimanët urojnë njëri-tjetrin për hyrjen e hënës së Ramazanit. Vetë profeti Muhamed a.s i përgëzonte myslimanët për ardhjen e Ramazanit dhe i nxiste që ta shfrytëzojnë në maksimum. Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”U ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Zoti ua ka bërë obligim agjërimin e tij. Gjatë këtij muaji, hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e ferrit dhe prangosen shejtanët. Në këtë muaj gjendet një natë e cila është më e vlefshme se njëmijë net. Kush e humbet mirësinë e saj është i përvuajtur i vërtetë.”
Thotë shejh Umer ibnu Abdullah El-mukbil, nga dijetarët e Arabisë Saudite:”Urimet hyjnë tek zakonet dhe tradita, të cilat në origjinë janë të lejuara, përderisa nuk ka ndonjë tekst të shenjtë që i ndalon ndonjë syresh. Vetë shokët e Profetit a.s e uronin njëri-tjetrin në festa, gjë e cila ishte e zakonshme për raste të tilla.”
Thotë Essadij lidhur me të njëjtën çështje:”Këto mesele dhe të ngjashme me to, i përfshin një parim tepër i dobishëm, sipas të cilit të gjithë traditat, fjalë qofshin apo vepra, janë të lejuara në origjinë. Askush nuk ka të drejtë të ndalojë dhe refuzojë diçka që nuk e ka ndaluar Sovrani dhe nëse nuk përmban ndonjë dëm që e ndalon sheriati. Këtë parim e gjejmë si në Kuran ashtu dhe në traditën profetike, të cilin e ka konfirmuar dhe shejhu islam, Ibnu Tejmije e të tjerë.
Lidhur me pyetjen në fjalë dhe mesele të ngjashme me të, vlen të themi se njerëzit nuk i përdorin si ritual fetar, por thjesht kanë mbetur në traditë që në raste e festa të caktuara të urojnë njëri-tjetrin. Urime të tilla përmbajnë lutje për myslimanët, të cilat ndikojnë në forcimin e lidhjeve mes tyre.
Prandaj, nëse dikush të uron i pari, personi që urohet duhet t’ia kthejë me një urim të përshtatshëm. Në të kundërt, kjo sjellje nxit mëritë dhe mbjell urrejtje.
Veç kësaj, mos harrojmë se nëse zakonet dhe traditat shoqërohen me akte të dobishme, ngrihen në nivelin e veprave të pëlqyeshme tek Zoti. Ashtu siç nëse shoqërohen me vese të liga, shndërrohen në çështje të urryera tek Zoti.” (Mendhumetul Kavaid)
Nëse besojmë se urimet hyjnë tek zakonet dhe traditat, asnjë zakon dhe traditë nuk shihet e dënueshme përveç atyre që i ka dënuar sheriati. Prandaj, Islami i aprovoi disa tradita të arabëve, madje i stimuloi dhe nxiti disa, ashtu siç ndaloi një sërë traditash të tjera, siç ishte përulja si formë përshëndetje.
Mos harrojmë se për urimin e ardhjes së Ramazanit, janë përmendur edhe hadithe, të cilat kuptohen si sinjale për diçka të tillë. Transmeton Ebu Hurejre se Profeti a.s ka thënë:”U ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Zoti ua ka bërë obligim agjërimin e tij. Gjatë këtij muaji, hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e ferrit dhe prangosen shejtanët. Në këtë muaj gjendet një natë e cila është më e vlefshme se njëmijë net. Kush e humbet mirësinë e saj është i përvuajtur i vërtetë.” (Nisaij, Ahmed)
Shumica e studiuesve myslimanë besojnë se urimi për festën e bajramit nuk ka asgjë të keqe, madje të tjerë e shohin si diçka të ligjshme. Lidhur me mendimin e imam Ahmedit, ekzistojnë katër mendime sipas të cilave urimi për bajram shihet si diçka e pranueshme.
Thotë Ibnu Kudame në El-mugni (3/294):”Thotë imam Ahmedi:”Nuk ka asgjë të keqe nëse një mysliman i thotë një tjetri ditën e Bajramit:”Zoti ua pastë pranuar juve dhe neve!” Thotë Harb:”Imam Ahmedi është pyetur lidhur me urimet e njerëzve:”Zoti ua pastë pranuar juve dhe neve!” dhe tha:”Nuk prish punë.”
Nëse kjo nuk prish punë për ditën e bajramit, atëherë për ardhjen e një muaji të shenjtë si Ramazani, muaj i veprave të mira, i zbritjes së mëshirës, dyfishimit të shpërblimit etj… duhet parë si diçka e pëlqyeshme.
Një rast tjetër që vërteton se urimet janë të lejueshme, është historia e pendimit të Kab ibnu Malik, të cilin e uruan të gjithë myslimanët se Zoti ia pranoi pendimin.
Thotë Ibnul Kajjim duke komentuar historinë e Kab ibnu Malik:”Ajo na tregon se urimi për mirësitë e Zotit është diçka e pëlqyeshme. Një person i tillë vlen të urohet, të ngrihesh në këmbë për të dhe ti shtrëngohet dora. Kjo është traditë profetike e pëlqyeshme dhe e lejueshme për dikë që i është dhënë një mirësi nga Zoti. Për raste të tilla është mirë të urohet me fjalët:”Të uroj për mirësinë që të ka dhënë Zoti etj…” Kështu, ne ia atribuojmë mirësinë burimit të vërtetë dhe lutemi për personin që e ka merituar.” (Zadul Mead, 3/585)
Nuk ka asnjë dyshim se ardhja e Ramazanit dhe mundësia e agjërimit të tij është një mirësi fetare, për të cilën ia vlen të urohet çdo mysliman. Aq më tepër kur lexojmë se të parët tanë e lusnin Zotin gjashtë muaj para që t’ua bëjë rizk agjërimin e Ramazanit, kurse gjashtë muajt e tjerë e lusnin që t’jua ketë pranuar. Ne konstatojmë që pak para muajit të Ramazanit vdesin me dhjetëra njerëz të njohur, duke mos e arritur ta agjërojnë.
Si përfundim:
Pas kësaj panorame, kuptohet që urimet për ardhjen e Ramazanit janë të lejueshme, prandaj askush nuk ka përse ti ndalojë. Por edhe nëse dikush nuk i preferon, nuk ka përse të kritikohet.
Zoti e di më mirë
EDITOR
11 years ago
previous article