Allahu (xh.sh) i drejtohet profetit (a.s) në Kuranin famëlartë, duke i thënë: “Sepse Zoti të dha mëshirë, prandaj ti ishe i butë me ta. Sikur të tregoheshe fjalërëndë dhe zemërgur, ata do të iknin prej teje”. (Ali Imran: 159).
Jeta e përplas njeriun me probleme nga më të ndryshmet, do apo nuk do ai. Jeta e përplas njeriun me dikë, që ka dy gramë mend në kokë, por edhe me njerëz që e kanë kokën bosh, me njerëz të urtë por edhe me arrogantë, e përplas me njerëz injorantë dhe mendjelehtë, saqë njeriu nuk di nga t`ia mbajë e çfarë të thotë.  Njeriu kalon probleme e kriza nga më të ndryshmet. Kalon situata aq delikate, në të cilat duhet të mendohet mirë para se të vendosë, sepse me një fjalë fiton apo humb gjithçka. Koha që po jetojmë, është e mbushur me të tilla situata dhe fjala më e mirë që më vjen ndër mend për të gjitha këto është sprovë. Ka rrezik të përçahet i gjithë populli, prandaj lum ai njeri që ulet dhe mendon, lum ai njeri që i lutet Allahut (xh.sh) që ta udhëzojë tek rruga më e mirë, t`i japë urtësi e butësi, ta ruajë nga nxitimi dhe mos përmbajtja e vetes së tij.
Kapitali më i madh që ka njeriu në këto kohë, nuk është as pasuria e tij dhe as mençuria e tij, por është morali i tij. Ky moral e bën njeriun që të përmbajë veten e tij. Morali ka dy cilësi kryesore: URTËSINË dhe VETËPËRMBAJTJEN.
Këto cilësi i do Zoti i gjithësisë, i deshi profeti (a.s) dhe çdo njeri i dëshiron për veten e tij. Profeti (a.s) i tha njërit prej shokëve të tij: “Ti ke dy cilësi që i do shumë Allahu (xh.sh) dhe profeti i Tij. Ti je i urtë dhe i vetëpërmbajtur”. Atëherë ky njeri falenderoi Allahun (xh.sh), që ia kishte dhënë këto dy cilësi. Njeriu ka nevojë për urtësi, për butësi dhe vetëpërmbajtje. Këto cilësi nevojiten sidomos në ato situata, kur njerëzit çoroditen dhe bëhet rrëmujë e madhe.
Për këto cilësi ka nevojë besimtari, sepse urtësia dhe vetëpërmbajtja janë cilësi hyjnore. Një nga emrat e Zotit tonë është EL – HALIM (I URTI). Allahu (xh.sh) nuk nxitohet me krijesat e Tij, nuk nxitohet me atë njeri që  bën mëkate, por pret që ai të pendohet. Dënimi i Allahut (xh.sh) vonon dhe mëshira e Tij pret. Sikur Allahu (xh.sh) t`i jepte çdo njeriu hakun pasi ka bërë punën, vallahi ne do të shkatërroheshim nga mëkatet që bëjmë. Kjo është drejtësia e Zotit. Kush është ai që nuk bën mëkate?! Të gjithë ne jemi mëkatarë. Thuhet se të gjitha krijesat e lusin Allahun (xh.sh), që t`i shkatërrojë këta njerëz, por Zoti e vonon dënimin e Tij, sepse është i Urtë, i Butë, i Vetëpërmbajtur. Për çdo ditë që lind, deti i lutet Zotit: “O Zot më jep leje t`i mbys mëkatarët, që bredhin nga njëri breg në tjetrin e nuk të kanë frikë Ty”. Toka nga ana e saj i lutet Zotit çdo ditë: “O Zot më jep leje t`i fundos në barkun tim të gjithë ata njerëz, që nuk e njohin Madhështinë Tënde”. Po ashtu edhe qielli i lutet Zotit të gjithësisë: “O Zot, më jep leje t`i shkatërroj të gjithë mëkatarët, që nuk duan t`ia dinë, se Ti i shikon në çdo moment”. Por Allahu (xh.sh) nuk i jep leje askujt, që t`i zhdukë gjynahqarët. Ai është i Butë, është Mëshirues dhe Falës i madh.
Sa njerëz sot lundrojnë  në barkun e detit?! Sikur Allahu (xh.xh) të jepte leje, që gjynahqarët dhe mëkatarët të shkatërroheshin në këto moment, sa mendoni se do të ishin vallë?
Sa njerëz ecin me makinat e tyre mbi shpinën e tokës? janë miliona e miliona njerëz. Sikur të dënoheshin menjëherë për gjynahet që kanë bërë, e mendoni sa vetë do të përpinte toka?!
Sa njerëz fluturojnë në zemër të qiellit? Sikur t’i dënonte Allahu (xh.xh), asnjë nuk do të mbetej i gjallë, por Zoti pret, se është i Butë, është Bujar, është i Mëshirshëm. Allahu (xh.sh) i thotë detit, qiellit edhe tokës: “Ju nuk i krijuat njerëzit, prandaj doni të hakmerreni ndaj tyre. Ata janë krijesat e Mia, Unë i kam krijuar e Unë i mëshiroj. Sikur t’i kishit krijuar ju njerëzit, s’do të thoshit fjalë të tilla”. Vetëpërmbajtja është cilësi e Zotit të gjithësisë. Është cilësi, për të cilën na fton vetë Zoti i gjithësisë. Cilësinë e butësisë dhe vetëpërmbajtjes e pati pejgamberi Muhamed (a.s), sepse atë e edukoi vetë Allahu (xh.xh) dhe Zoti i tha: “Sepse Zoti të dha mëshirë, prandaj ti ishe i butë me ta. Sikur të tregoheshe fjalërëndë dhe zemërgur, ata do të iknin prej teje “. (Ali Imran: 159). Profeti (a.s) ishte i butë, i mëshirshëm dhe nuk u hakmor kurrë për veten e tij, prandaj dhe armiqtë u nënshtruan përpara tij. Meditoni pak për historinë e profetit (a.s). Këtë profet e ofenduan, i thanë: “Budalla, i çmendur, magjistar, poet”, por ai kurrë nuk u nevrikos, kurrë nuk i mallkoi këta njerëz. Ky profet i Zotit u dëbua si mos më keq, pa asnjë gabim, pa asnjë faj dhe u keqtrajtua nga banorët e Taifit. Ai nuk mori hak ndaj këtyre njerëzve , por tha: “O Zot fali se ata nuk e dinë se çfarë bëjnë. O Zot nxirr nga fëmijët e këtyre njerëzve, besimtarë që do të të madhërojnë Ty”. Njëherë kur po ndante plaçkën e luftës, dikush me paturpësinë më të madhe i tha: “Pasha Zotin nuk e ndave drejt o profet i Zotit”. Profeti (a.s) ia ktheu: “Zoti të faltë ty dhe të gjithë të tjerët. Nëse unë nuk e ndaj drejt, kush do ta ndajë më mirë se unë”.
Ky profet i Zotit nuk mori hak edhe kur i urinuan në xhaminë e tij, por me butësinë më të madhe dhe me një vetëpërmbajtje të admirueshme, diti si të sillet me këta njerëz dhe arriti t`i hapte zemrat e tyre. Prandaj këta njerëz nga armiq, u bënë miq, nga beduinë që ishin, u bënë njerëzit më të civilizuar. Profeti (a.s) nuk u nxitua edhe në punët, që janë krejtësisht fetare. Pak kohë përpara se të ndërronte jetë, ai (a.s) i tha bashkëshortes së tij: “Oj Aishe! A e di ti se xhamia e Qabes nuk është në themelet e saj origjinale”? Pasha Zotin, sikur të mos kisha frikë se njerëzit përçahen, unë do e prishja Qaben, do ta ndërtoja në themelet e saj origjinale dhe do t`i bëja dy dyer”. Profeti (a.s) preferonte që më mirë ta linte Qaben aty ku është, sesa të përçante njerëzit. Ky është profeti (a.s), kjo është butësia e tij, kjo është vetëpërmbajtja e tij.
Profeti (a.s) i mësoi shokët e tij, të mos nxitohen në asnjë situatë, as atëherë kur provokohen e as atëherë kur janë të qetë. Ai (a.s) i ftoi shokët e tij, të mos nxitohen edhe në punët e mira. Prandaj Islami nuk e preferon, që namazin ta falim me nxitim. Pse duhet të nxitohesh? Kush po të sulmon nga pas? Mos u nxito, por përqendrohu në namazin tënd dhe mundohu ta përjetosh atë.
Kur profeti (a.s) bëri haxhin e lamtumirës, u thoshte njerëzve: “Qetësohuni, qetësohuni o robër të Zotit, mos u nxitoni”. Në atë kohë ishin vetëm 100 mijë vetë. Po sot që mblidhen me miliona njerëz në haxh?! A nuk duhet të jemi të kujdesshëm e të mos nxitohemi. Për fat të keq ka njerëz, që mund të pësojnë aksidente gjatë haxhit, brenda në Qabe, në vendin më të mirë që ka bërë Zoti për njerëzit dhe kjo vjen, ngaqë njerëzit nuk e përfillin porosinë e profetit (a.s). Nxitimi nuk sjell asnjëherë punë të mira. Profeti (a.s) i mësoi shokët e tij, na mësoi edhe ne me dy fjalë shumë të shkurtra: “Nxitimi është prej shejtanit, ndërsa vetëpërmbajtja është prej Rrahmanit”. Nëse vetëpërmbajtja dhe butësia i duhen njeriut në çdo situatë, unë mendoj se më shumë se kurrë i duhen muslimanit sot. Atëherë kur kjo fe akuzohet padrejtësisht nga mëngjesi deri më mbrëmje, ne duhet ta kontrollojmë veten tonë. Në një kohë kur provokohemi padrejtësisht me lloj – lloj termash e lloj – lloj veprimesh, vetëm që ne të bëjmë veprime të pahijshme, duhet ta kontrollojmë veten tonë. Është koha e thashethemeve e njeriu duhet ta përmbajë veten e tij. Çdokush le t`i lutet Allahut (xh.sh), që t`i japë butësi e urtësi në zemër. Sot më shumë se kurrë duhet ta edukojmë veten tonë, që të mos bëjmë veprime, të cilat nuk i bëjnë dobi muslimanëve. Sot më shumë se kurrë duhet t`i masim fjalët tona, t`i masim punët tona, t`i edukojmë edhe fëmijët tanë, që të jenë të urtë e të vetëpërmbajtur. Të jesh i vetëpërmbajtur dhe i butë, nuk do të thotë që ti je frikacak dhe nuk pyet për fenë e Zotit. Ne duhet të jemi të butë, por jo të nënshtruar, modestë por jo naivë, krenarë por jo mendjemëdhenj. Ne duhet të kontrollojmë fjalët dhe zemërimin tonë, të falim kur kemi mundësi, të japim kur të tjerët nuk japin, sepse për këto cilësi na nxit Zoti i gjithësisë dhe profeti (a.s).
Profeti (a.s) ka thënë: “Ajo që arrihet me butësi, nuk arrihet kurrë me vrazhdësi”.