Categories
Fetva Ramazani

Urtësia e agjërimit dhe sekretet e tij

Pyetje:”Cila është urtësia dhe sekretet madhore të agjërimit? Si mund ta dimë urtësinë e agjërimit?”
Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje:”Falënderimet janë për Zotin, paqja dhe përshëndetjet për profetin Muhamed a.s, familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin udhën e tij.
Nuk do mund ta perceptojmë dot urtësinë dhe sekretin e agjërimit, veçse pasi të kemi perceptuar dhe kuptuar drejt urtësinë dhe misionin e njeriut mbi tokë. Vallë çfarë është njeriu? Mos është ky masiv mishi, gjaku, kockash dhe nervash? Nëse ky masiv do të përbënte njeriun e vërtetë, atëherë ai është qenie e pavlerë.
Në fakt, njeriu nuk është thjesht kjo strukturë mishi e prekshme. Ai është shpirt qiellor që jeton në një trup tokësor, është sekret me burim qiellor, i mbështjellë nga një kapak me origjinë baltën. E vërteta e këtij njeriu qëndron pikërisht në atë frymë hyjnore dhe thelb shpirtëror, me të cilën Zoti i fali aftësinë për të menduar, ndjerë, shijuar, planifikuar dhe menaxhuar jetën në tokë, si dhe synuar mbretërinë e qiellit. Ishte ky shkaku përse Zoti urdhëroi melekët ti përulen Ademit dhe jo përbërja materiale e tij. Kur Zoti yt u tha engjëjve:“Unë do të krijoj një njeri prej balte. Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!” (Sad, 71-72)
Ky është njeriu i vërtetë, është shpirt qiellor që banon në një trup tokësor. Trupi i njeriut është shtëpia, kurse shpirti është banori i saj. Trupi është mjeti i udhëtimit, kurse shpirti udhëtari. Shtëpia nuk ndërtohet për hir të saj dhe as kafsha nuk blihet dhe mbahet veçse për ti shërbyer përdoruesit.  Të çuditshëm janë ata njerëz të cilët u janë dhënë kënaqësive trupore dhe janë shndërruar në shërbëtorë të mjeteve, kanë injoruar shpirtin duke adhuruar trupin. Ata janë vënë në shërbim të trupit, punojnë për kënaqësitë e tij, aktivizohen për përmbushjen e epsheve, sillen rreth kënaqësive të barkut dhe nepsit. Himni i tyre ka qenë dhe mbetet:
O botë ushqimesh, pijesh e fjetje,
në humbshin këto të them përshëndetje.
 
Janë ata njerëz të cilët Zoti i përshkruan me fjalët:”A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij? 44. A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.” (Furkan, 43-44)
Pra, njeriu është trup dhe shpirt, ku trupi ka kërkesat e tij të cilat përkojnë me origjinën e tij tokësore, ashtu siç shpirti ka kërkesat dhe nevojat e veta të cilat përkojnë me origjinën e tij qiellore. Nëse njeriu jepet vetëm pas nevojave trupore duke injoruar ato shpirtërore, transformohet nga një engjëll në një kafshë dhe shejtan të mallkuar. Poeti besimtar i bën thirrje kësaj kategorie me vargjet:
O skllav i trupit sa lodhesh në shërbim të tij
Kërkon fitoren aty ku humbja është e sigurt
Kthehu nga shpirti dhe moralen kërko
Jo për trupin, por për shpirtin jeto
 
Sakaq, njeriu që e di vlerën e tij të vërtetë, ai që e kupton urtësinë e krijimit dhe i përkushtohet elementit të tij shpirtëror më shumë se atij trupor, përkujdeset për udhëtarin më shumë se për mjetin e udhëtimit, për banorin më shumë se për muret, për dinjitetin më shumë se për epshet, është shndërruar në një engjëll. Thotë Zoti në Kuran:”Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira.” (Bejine, 7)
Bazuar në sa thamë, Zoti ka përligjur agjërimin me qëllim që njeriu të çlirohet nga vargonjtë e epsheve dhe instinkteve të tij dhe të dalë nga burgu i tyre, të triumfojë ndaj nepsit, të kontrollojë aspektin e tij kafshërore dhe tu përngjajë më shumë engjëjve. Nuk është aspak e vështirë që shpirti i agjëruesit të lartësohet dhe ti afrohet banorëve të qiellit, të trokasë portat e tij me anë të lutjeve dhe ato ti hapen, ti drejtohet Zotit me lutje dhe Ai ti përgjigjet, ti thërrasë dhe Zoti t’ia kthejë:”Të përgjigjem robi Im!” Lidhur me këtë thotë profeti Muhamed a.s:”Tre personave nuk u kthehet bosh lutja: Agjëruesit në kohën e iftarit, një sovrani të drejtë dhe lutja e dikujt që i është bërë padrejtësi…” (Tirmidhij)
 
Zoti e di më mirë.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version