Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u mbajt Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë: “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e profesor Fadil Sulejmanit”, eveniment ky që organizohet me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe 19 vjetorit të fillimit të ligjëratave të para të UT-së. Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti theksoi se figura e Fadil Sulejmanit është e gjithanshme, e cila duhet të studiohet në shumë aspekte shkencore. Personaliteti dhe veprat e tij shkencore e publicistike meritojnë respekt të lartë. “Kontributi dhe veprimtaria e arsimore dhe shkencore e rektorit të parë të UT-së mbetet e pakrahasueshme, madje e jashtëzakonshme në periudhën kur veproi. Vendosmëria, guximi intelektual dhe burrëria ishin virtyte të personalitetit të Tij. Në këto dy dekada të kaluara në jetën shoqërore në Republikën e Maqedonisë, asnjë personalitet tjetër nuk zhvilloi aktivitet më të ngjeshur dhe më të pasur se profesor Fadil Sulejmani. Ai qëndroi i paepur deri në fund idealit të tij për arsimimin e gjeneratave të reja, pavarësisht se shumë herë u bë shënjestër e qarqeve pushtetare të së kaluarës, që me çdo kusht dëshironin ta pengonin arsimin shqip këtu në Maqedoni. Profesor Fadil Sulejmani, është autor i mbi dhjetë librave dhe mbi dyqind artikujve shkencorë të botuar në revista shkencore dhe periodike. Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës, drejtshkrimit, leksikologjisë, dialektologjisë dhe etnologjisë”, tha Rektori i USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani theksoi se Fadil Sulejmani e ka begatuar fondin libror të dijeve shqiptare me një mori librash të rëndësishëm shkencor dhe me qindra punime interesante të botuara në revistat prestigjioze në shqip dhe gjermanisht. “Që atëherë tetovarët krenoheshin me Fadil Sulejmanin. Emri i tij përmendej gjithnjë në kontekste pozitive, sepse Profesori ynë e meritonte këtë respekt. Në vitin 1990, kur Kosova iu nënshtrua shtazërisë serbe dhe kur shqiptarët përballeshin me rezikun e zhbërjes fizike, Fadil Sulejmani u kthye në Tetovën e tij, jo për të vuajtur fatkeqësinë e re të kombit, po por t’ia mësuar atij vlerën e lirisë”, tha Fatmir Sulejmani.
Konferencën Shkencore e ka përshëndetur dhe miku më i afërt i Prof. Fadil Sulejmanit, njëherit pronari i Kompanisë ,,Ecolog”, z. Lazim Destani. “Si kushëri, bashkëfshatar, mbi të gjitha si njeri shumë i afërt me Fadilin u falënderoj Ju iniciatorëve të kësaj konference shkencore, si dhe Ju studiuesve që me kumtesat tuaja shkencore po jepni kontribut për ta mbajtur lartë figurën e shquar të Fadil Sulejmanit i cili bashkë me mbështetësit e tij bënë përpjekje të çmueshme për themelimin e Universitetit dhe arsimit shqip në përgjithësi. I uroj punë të mbarë kësaj konference shkencore që i bën nder emrit të themeluesit dhe Rektorit të parë të këtij Universiteti, Prof. Dr. Fadil Sulejmani i cili sapo mbushi një vit që u nda nga jeta. Konferenca gjithashtu e nderon edhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, arsimin shqip dhe familjen e profesor Fadil Sulejmanit. Unë i uroj punë të mbarë Universitetit të Tetovës dhe drejtuesve të tij nën udhëheqjen e Rektorit Prof. Dr.Vullnet Ameti”, vlerësoi Lazim Destani.
Njëherit, profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi dhjetë librave dhe mbi dyqind artikujve shkencorë të botuar në revista shkencore dhe periodike. Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës, drejtshkrimit, leksikologjisë, dialektologjisë dhe etnologjisë. Prof. Dr. Fadil Sulejmani do të kujtohet gjithmonë nga të gjithë shqiptarët si Rektor Historik i Universitetit të Tetovës. Zyra për informim